E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankandi i makinave Kuvendit i mbeten stok 36 automjete

Bilanci Parlamentit i munguan ofertat. Makinat kushtonin nga 75 mijë deri në 1.2 milionë lekë

Edhe pse Kuvendi ka shitur shumicën e automjeteve me vlerën më të ulët financiare nga çmimi i tregut, në bilancin e fundvitit të këtij institucioni rezultojnë 36 makina që nuk janë shitur. Ankandi i fundit u zhvillua në muajin tetor 2010, ndërkohë që procesi ka nisur prej kohësh që prej muajit maj 2010. Vetëm një makinë ka vlerën e lartë prej 1.255.436 lekëve të reja, pjesa tjetër ka pasur një vlerë fillestare prej 75 mijë lekësh deri në 478 mijë lekë. Shumica e makinave të mbetura stok janë të markave të njohura, që qarkullojnë në tregun shqiptar, ndërkohë që Kuvendi nuk ka mundur dot t’i nxjerrë as në ankand për shkak të mungesës së kërkesës për t’i blerë këto automjete. Vlera totale e makinave të mbetura stok në Kuvend, sipas formularëve fillestarë të ankandit shkon në 8 milionë lekë të reja. Vlen të theksohet se nga personat që kanë mundur të blejnë automjetet me çmime të arsyeshme janë njerëz që kanë qenë fort mirë të interesuar për nxjerrjen në ankand të tyre. Nga grafiku i librit të shitjeve të automjeteve në ankand vihet re se një person nuk ka blerë vetëm një, por ka paraqitur edhe ofertën më të ulët për të blerë dy makina. Në muajin mars 2010, deputetët e mazhorancës kanë blerë makinat e Kuvendit me një vlerë simbolike. Shitja e makinave është bërë në bazë të ligjit për transportin e zyrtarëve të lartë që u miratua pak kohë më parë nga Kuvendi, por nga shitja e makinave kanë përfituar vetëm deputetët e PD-së, ndërsa ata të PS-së nuk ishin njoftuar. Pjesa tjetër e deputetëve socialistë të cilët u njoftuan për ankandin dhe kërkesa e tyre u pranua edhe nga Kryetarja e Kuvendit arritën të përfitonin automjetin që kërkonin me vlerën më të ulët simbolike në tregun e makinave. Në bazë të këtij ligji, deputetët nuk do të mund të mbajnë shoferë dhe makina shtetërore, por do të kenë të drejtën e parablerjes së këtyre makinave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›