E Shtunë, 31 Tetor 2026

Per here te peste rikthehet ne Kuvend ligji per partite politike

Pesë muaj para zgjedhjeve

Qeveria dhe Kuvendi vazhdojnë lojën e “hidh e prit” me ligjin për partitë politike. Pesë muaj përpara fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore, Kuvendi rikthen për herën e pestë në komisionet parlamentare ndryshimet në projektligjin për partitë politike. Drafti i ri është protokolluar së fundmi në Kuvend më datë 10 dhjetor 2010. Ende nuk janë të qarta modalitetet dhe ndryshimet e reja që janë ribërë në ligjin për partitë politike, por duket se këtë herë, komisionet parlamentare do ta marrin në shqyrtim për ta përcjellë atë më pas për votim në seancë plenare në janar 2011. Ligji do të përfshihet nga e para në axhendën e re parlamentare në konferencën e kryetarëve. Projektligji i qeverisë parashikon që në ligjin ekzistues të shtohet një dispozitë e re nëpërmjet së cilës që të gjitha partitë politike që pas një palë zgjedhjesh parlamentare nuk arrijnë të sigurojnë asnjë mandat deputeti, humbasin selinë ose qiranë në rastet kur nuk u ka dhënë një ambient shtetëror. Me mbarimin e veprimtarisë parlamentare të partisë politike, ministri i Brendshëm njofton atë që brenda 30 ditëve të lirojë dhe të dorëzojë godinën apo ambientin që ka marrë në përdorim. Sipas draftit të qeverisë, parashikohet që për të krijuar një forcë politike, nismëtarët duhet të paraqesin pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë jo më njëmijë firma siç parashikohet në ligjin ekzistues, por tre mijë të tilla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›