E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delegacioni shqiptar në AP e KE, shkelje e rregullores

Ndonëse delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, mundi të zhbllokojë kredencialet dhe të drejëtn e votës,emërimi i tij mbetet ende i paqartë. Megjithëse u pretendua se lista me përbërjen që iu dorëzua në 23 janar asamblesë, ishte miratuar që në tetor,  emrat e përzgjedhur nga Topalli nuk kanë kaluar në procedurat normale të Kuvendit, pasi nuk janë diskutuar dhe miratuar as në Konferencën e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare dhe ajo që është më e rëndësishme nuk janë miratuar as në seancë plenare.

Sipas zëdhënëses së kryeparlamentares, Suela Ruseti  kjo përbërje i
është njoftuar deputetëve që në tetor, por nuk ishte e nevojshme
miratimi me votë. Sipas saj ka qenë vetë Shpëtim Idrizi ai që ka kërkuar
të përfshihet në të. Pretendim ky që bie poshtë për faktin se Idrizi
deri në nëntor të 2009, ishte deputet i pabetuar i Partisë Socialiste,
dhe vetem në këtë muaj u shkëput prej kësaj force për të futur në Kuvend
nën siglën e PDU-së.

Sipas procesverbaleve të seancave plenare, në seancën e 16 shtator 2009,
kryetarja Topalli vë në dijeni se dy grupet parlamentare të pranishme
në Kuvend, kanë përcaktuar formacionet e komisioneve të përhershme dhe
të delegacioneve të Kuvendit, ndër to dhe ai i KE-se. Por nuk përmend
përbërjen e tyre. Emrat e Ilir Rusmajli, Lajla Përnaskës dhe Mesila
Dodës si përfaqësues në delegacionin tonë në Këshillin e Europës, sipas
procesverbaleve dalin vetëm në seancën e 10 dhjetorit 2009, kur Topalli
lexon listën por në të mungojnë emrat e Islamit dhe Idrizit.

Në 25 janar në  çelje të punimeve të sesionit të dimrit, grupi socialist
i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës  kërkoi bllokimin e
kredencialeve të Shqipërisë  duke e argumentuar si cënim të rregullores
së Këshillit të Europës mënyrën e përfaqësimit të këtij delegacioni...një ditë më pas komisioni i rregullores në këtë organizëm, vendosi që të
tërheqë një vendim të tillë dhe t’i japë të drejtën e votës deputetëve
shqiptarë.

Sipas kryetares së Kuvendit incidenti ishte pasojë e një letre që
deputetja e Partisë Socialiste Arta Dade i kishte derguar këtij
organizmi, për të blokuar dhe përjashtuar Shqipërinë. Por sipas Partisë
Socialiste letra shprehte vetëm shqetësimin se delegacioni nuk
reflektonte përbërjen e Parlamentit, emërimi ishte  bërë në mënyrë
arbitrare  duke reduktuar vendet që i takojnë opozitës, fakt ky që u
hodh poshtë nga Kuvendi.

Elona Gjylmi

< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›