Dobjani: Komisariati i Bajrma Currit më mirë edhe se ato Tiranës
Laureta Rryçi
Avokati i Popullit inspekton pa njoftim paraprak dhomat e shoqërimit dhe të sigurimit (izolimit), si dhe në ambientet e aplikimit për pasaporta në Komisariatin e Policisë Bajram Curri.
Burime pranë këtij institucioni shpjeguan se inspektimi u krye në orët e paradites deri në kohën e mbarimit të orarit zyrtar të punës dhe gjithçka që është konstatuar i është nisur me një letër zyrtare Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Premçi. Ndryshe nga të gjitha komisariatet e tjera të vendit, duket se Komisariati i Bajram Currit mund të shërbejë si model edhe për vetë komisariatet e kryeqytetit.
Inspektimi
Shoqërimi i shtetasve rezultoi se bëhej gjithmonë sipas kritereve ligjore. Sipas Dobjanit u konstatua se nuk shoqëroheshin në polici persona jashtë kritereve ligjore të përcaktuara në dispozitat e mësipërme. Konkretisht nuk rezultoi te trajtoheshin si të shoqëruar persona te dyshuar si autorë të veprave penale apo si dëshmitarë të një ngjarjeje, pasi aplikohej e drejta e “njoftimit për paraqitje në polici”, e parashikuar në nenin 100 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Lidhur me problemin e shoqërimit të shtetasve u konstatua se në këtë komisariat policie bëhej një punë e kualifikuar dhe profesionale për një konceptim të ri të momentit të shoqërimit, bazuar në kriteret dhe kushtet e reja të përcaktuara në ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit". Konkretisht të shoqëruarve nuk ju bëhej kontroll personal dhe nuk ju hiqeshin apo bllokoheshin sendet personale si telefona etj, përveç se në kushtet e nenit 108 të ligjit “Për Policinë e Shtetit” ku është parashikuar bllokimi i sendeve, si përjashtim vetëm në rastet kur sendet përbëjnë kërcënim të çastit ndaj rendit dhe sigurisë publike. Ndryshe nga çfarë është konstatuar në komisariatet e kryeqytetit librat e shoqërimit të shtetasve në polici plotësoheshin me shumë përgjegjësi duke pasqyruar saktë shkakun ligjor të shoqërimit. Dhomat e shoqërimit të shtetasve ishin të ndara, për meshkujt, femrat dhe për të miturit. Dhomat e shoqërimit, ishin brenda përmasave të përcaktuara në ligj, me ndriçim dhe ajrim të plotë, të pastra dhe të lyera përveç faktit që mungonin stola për tu ulur të shoqëruarit. Pas vënies ne dukje të këtij fakti nga ana e Avokatit te Popullit, punonjësit e Komisariatit bënë të mundur vendosjen e tyre të menjëhershme.
Kushtet në izolim
Sipas Dobjanit dhomat e izolimit ishin të përshtatshme për qëndrim dhe plotësonin standardet e nevojshme për jetesë. Ato ishin të lyera, të pastra dhe me tualet normal për t’u larë. Në ambientet e Komisariatit të Policisë sidomos në ato të shoqërimit dhe arrestimit ishin të ekspozuara posterat për të drejtat e personave të shoqëruar, ndaluar apo arrestuar nga policia. Në praktikën e këtij komisariati të gjithë të ndaluarve dhe të arrestuarve ju bëhej detyrimisht kontroll mjekësor lidhur me sëmundjet që mund të kishin, aq më tepër kur bëhet fjalë për sëmundje ngjitëse. Ambientet ku qytetarët aplikonin për pajisjen e tyre me pasaporta për jashtë shtetit ishin të përshtatshme dhe komode, eksperiencë të cilën duhet ta kenë të gjithë komisariatet e policisë në vend. Ambienti ishte me tavolina e karrike ku qytetarët aplikues kishin gjithë komoditetin për të plotësuar formularët përkatës, apo për të pritur në radhë.
13 Gusht 2008