Deliallisi: Te Dinamo u riktheva sepse ndjehem borxhli ndaj këtij ekipi
Lojtari që ka qenë pjesë e bluve edhe gjatë sezonit të kaluar shprehet se rikthimi i tij ka ndodhur pasi ai ndjen një detyrim moral ndaj skuadrës që e ka promovuar në futbollin shqiptar
Prej disa ditësh mesfushori është duke u stërvitur me blutë në ambientet e ish-kompleksit Dinamo, ku edhe pse nuk ka luajtur ende në kampionat pas disa probleme fizike, ai mund të quhet një rikthim i rëndësishëm në skuadër.
Vetë Deliallisi shprehet se në takimin e fundjavës kundër Himarës ai mund të jetë gati dhe nëse do të jetë kështu do të japë maksimumin për të ndihmuar ekipin që të arrijë një rezultat pozitiv. Prej disa kohësh ai u largua nga blutë dhe dukej se ishte afër marrëveshjes me ekipin e Kamzës, por në fund ai vendosi të zgjedhë Dinamon.
Eksperienca e tij në kampionatin shqiptar dhe aftësitë e tij mund të jenë një armë më shumë për dinamovitët që të arrijnë ato objektiva, të cilat drejtuesit e klubit kanë për këtë sezon. Megjithatë vetë Deliallisi për këtë temë tregohet modest dhe nuk kërkon që ti japë ngjyrime të larta euforike rikthimit të tij te Dinamo kur shprehet se:
Pasi kam folur me drejtuesit e klubit vendosa të luaj me Dinamon gjatë këtij sezoni dhe kjo ka ndodhur vetëm në momentet e fundit. Kërkoj të jap ndihmesën time për këtë skuadër me aq mundësi sa kam. Kjo pasi ka qenë ky ekip, që më ka promovuar në futbollin shqiptar dhe ndjej disi një lloj detyrimi moral për të dhënë kontributin tim modest për Dinamon.
Është kjo arsyeja më e madhe që më bëri të jem edhe këtë vit pjesë e kësaj skuadre, pasi nuk mund të thuhet se kushtet financiare janë nga më të mirat dhe të them se ishte pikërisht kjo shtysa kryesore e këtij vendimi që kam marrë. Megjithatë të gjithë së bashku do të mundohemi ta çojmë përpara Dinamon dhe të përpiqemi ta ngjisim aty ku i takon. Për këtë duhet punë e përditshme, të cilën po vazhdojmë ta kryejmë duke u stërvitur me seriozitet.
Kjo pasi Kategoria e Parë është e vështirë, por edhe sepse ambienti sportiv në këtë kategori është disi më i ashpër se në Superligë dhe kërkon përgatitje maksimale edhe nga ana psikologjike. E nevojshme është që Dinamos të mos ndihet e diferencuar dhe e dëmtuar nga gjyqtarët dhe të marrë atë që meriton. Pyetjes se cilin ekip sheh si rivalin më të fortë të bluve në këtë kampionat Deliallisi i përgjigjet:
Di se ka shumë skuadra që kanë shprehur pretendimet e tyre për tu ngjitur në Superligë, por mua personalisht më intereson vetëm Dinamo dhe e ardhmja e kësaj skuadre. Të besuarit e trajnerit Zhupa do të luajë këtë fundjavë në shtëpi kundër Himarës dhe duket se pika e marrë në transfertë kundër Gramshit i ka shtuar besimin lojtarëve, për të arritur tashmë fitoren e parë dhe për të konfirmuar edhe njëherë emrin e tyre si pretendentë për tu ngjitur në Superligë.
