Kamza fitore me zemër, nga 0-2 për Elbasanin e kthen në 3-2
Kamzalinjtë të detyruar të bëjnë rolin e endacakut, pasi nuk lejohen të luajnë në stadiumin e tyre, dje kanë triumfuar ndaj elbasanasve
KAMZA – ELBASANI 3 2
Shënues: Maho 63, Kapaj 67 (11-m), Dosti 90 / Olatunji 32, 45
KAMZA: Bytyçi, Tafaj, Kapaj, Beqiri, Selimaj (Kaloti 54), Ishka, Ruço (Mullaj 46), Dosti, Xhemalaj, Përnezha (Blloku 75), Maho.Trajner: S. Malko
ELBASANI: Ruçi, Mërtiri, Ibrahimi (Balla 70), Merxha, Dalipi, Musta, Olatunji (Xhordja 89), Hila, Kapja (Tafani 87), Okoronko, Dushku. Trajner: I. File
Gjyqtarë: E. Dyrmishaj, D. Rexha, E. Doda (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Tafaj, Kapaj, Ishka, Dosti / Ibrahimi, Musta
Takimi Kamza Elbasani u mbyll me fitoren 3-2 të kamzalinjëve dhe me këtë sfidë u mbyll java e dytë e Kategorisë së Parë. Takimi u zhvillua në stadiumin Selman Stërmasi në prani të mbi 500 spektatorëve, por ajo që ra në sy në këtë përballje ishte loja me dy tablo. Pjesa e parë u mbyll me fitoren 2-0 të miqëve nga Elbasani dhe me këtë avatazh, u mendua se gjithaçka u mbyll.
Por 45 minutëshi i dytë dhuroi emocione të shumta, pasi kamzalinjtë e trajnerit Sajmir Malko vunë zemrën në fushë duke treguar karakter dhe forcë besimi. Kamza arrin të shënojë tre herë duke e përmbysur pjesën e parë dhe në fund janë kamzalinjtë ata që buzëqeshin, duke marrë pikët maksimale.
Skuadra e ndërtuar nga presidenti Naim Qarri e ka të pamundur që të luajë në Kamzë, kjo për shkak të mosmarrëveshjeve të lindura gjatë verës me bashkinë e qytetit. Të gjendur në këto kushte kamzalinjtë kanë marrë rolin e endacakut, megjithatë kjo nuk e ka penguar skuadrën e trajnerit Sajmir Malko për ta nisur mbarë sezonin e ri në kategorinë e parë.
Kamzalinjtë kanë kontrollin e lojës, por finalizimet nuk janë të duhura. Në minutën e 32-të, elbasanasit në kundërzbritjen e parë, finalizojnë me sukses. Merxha nga e djathta lëshon një top në zonë edhe nigeriani Olatunji me zgjuarsi e devijon duke e dërguar në rrjetë, 0-1. Kamza reagon sërish, por nuk konkretizon.
Në minutën e 45-të elbasanasit ekzekutojnë shpejt goditjen standarte duke i gjetur të papërgatitur kamzalinjtë. Merxha fotokopjon aksionin e golit të parë dhe krosi i tij nga e djathta gjen Olatunjin dhe nigeriani shënon golin e dytë, 0-2 mbyllet pjesa e parë. Kamzalinjtë dalim nga dhomat e zhveshjes me bindjen se ata kanë forcë për ta kthyer në favorin e tyre ndeshjen dhe realisht ashtu ndodh.
Të besuarit e trajnerit Malko hidhen menjëherë në sulm, ku padyshim inspiruesi i kthesës së madhe ishte mbrojtësi Ardit Beqiri, i cili në 45 minutat e dyta ishte një luan i pamposhtur, pasi të tre golat erdhën si rezultat i aksioneve të nisura nga ai, nëbashkëpunim me Kapaj. Në fushën e lojës ka vetëm një ekip, ku kamazalinjtë arrijnë që në minutën e 63-të të gjenë golin e parë. Goditje dënimi nga e djathta Kapaj lëshon topin në zonë dhe Maho me instiktin e golashënuesit me kokë e dërgon topin në rrjetë. 1-2.
Katër minuta më vonë Beqiri ndërmerr një sulm të gjatë nga e djathta lëshon një topin në zonë që ndalet me dorë mbrojtësi Kapja i Elbasanit. Gjyqtari akordon penallti dhe është Mariglen Kapaj, që finalizon nga pika e bardhë, 2-2. Pas këtij goli kamzalinjtë janë më të qetë dhe e ulin disi ritmin, gjë e cila u jep mundësi miqëve të kundërsulmojnë.
Kur mendohej se gjithçka do të mbyllej në barazim, në minutën e fundit Beqiri kombinon me Mahon, i cili shërben për Dostin, i cili gjuan dhe shënon, 3-2. Kamzalinjtë shpërthejnë në festë, ndërsa elbasanasit nuk e besojnë se janë mundur. Në fund të ndeshjes nuk munguan edhe replikat dhe pakënaqësitë e elbasanasve për gjykimin, që sipas tyre ndikoi në disfatën e tyre.
Thanë pas ndeshjes
Sajmir Malko, trajner i Kamzës: E kishim menduar që në fillim që rezultatin duhet ta zgjidhnim në favorin tonë. Pjesën e parë e nisëm mirë, por çaluam në finalizim. U ndëshkuam në dy raste nga kundërshtari, që na zuri në befasi.Në pushim t ndeshjes u thamë lojtarëve se duke ditur kontigjentin, patjetër duhet ta kthenim rezultatin. Ekipi tregoi karakter dhe gjeti forca në vetvete, për të kthyer rezultatin. Për këtë dua ti falënderoj të gjithë lojtarët. Fillimi është i mbarë, ndeshjet do ti marrim një nga një dhe synojmë ngjitjen në superligë.
Ilirjan File, trajner i Elbasanit: Padyshim një rezultat i papritur, për vetë mënyrën se si shkoi takimi. U ndëshkuam nga disa gabimet tona elementare. Nuk dua të merrem me gjykimin, pasi është sektor që nuk më përket mua, gjithsesi Elbasani ka vetëm një synim, ngjitjen në Superligë.