E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji, 200 telefonata me Edi Ramën



Biznesmeni i pagoi kryetarit të PS-së pushimet në Kretë në vitin 2006, ndërsa Rama ende nuk ka anuluar mbi tridhjetë leje ndërtimi pallatesh në mes të Tiranës për kompaninë e Delijorgjit

Meqë është bërë praktikë e prokurorisë mediatizimi i dokumentave të saj ta bëjë këtë gjë dhe të kërkojë të gjitha tabulatet e Ramës në periudhën e Gërdecit dhe ato me Kreshnik Spahiun rreth datave të gjykimit të rrugës Durrës-Kukës

Mediat afër kryetarit të PS-së, Edi Rama, botuan këto ditë tabulate të bisedave telefonike të Delijorgjit, por fshehën pjesën më të madhe të tyre të cilat ishin bisedat mes Edi Ramës dhe Mihal Delijorgjit.

Nuk janë pak, por 200 të tilla të cilat u fshinë nga dokumentet e shpërndara në mënyrë antiligjore nga zyrtarë të Prokurorisë dhe prokurorë të cilët tani ose në fillim të procesit të Gërdecit janë marrë me këtë çështje. Fshehja e këtyre telefonatave dekonspiron edhe ndërmjetësin e këtyre dokumenteve që e ka zyrën herë te Bashkia e Tiranës e herë tek Partia Socialiste.

Më se një herë problemi i telefonatave dhe miqësisë mes Ramës dhe Delijorgjit është bërë publik edhe nga zyrtarë të lartë të politikës, edhe nga media. Në Parlament këto biseda janë kthyer në batuta, ndërkohë që media e rreshtuar majtas i fshehu ato dhe pranoi të botonte materiale ndër të tjera të censuruara nga selia e PS-së.

Transferimi i marrëdhënieve miqësore dhe përfitimi nga Rama tek zyrtarë të PD-së ose njerëz afër qeverisë dhe Partisë Demokratike është mjaft i sforcuar. Sado të përpiqet Rama t’u hedhë hi syve të publikut përmes mashtrimeve dhe lavazhit mbi tabulatet është mjaft vështirë të shtrish përtokë rreth 34 pallate të ndërtuara tek ish-uzina nga Delijorgji me lejet e Ramës, ndërkohë që një fond tjetër lejesh i është dhënë atij vetëm pak ditë para shpërthimit, leje të cilat Rama nuk i ka kthyer ende.

Por miqësia e Ramës me Delijorgjin përveçse është e vjetër, është e shtrirë nga biznesi te pushimet e fundjavat. Vetëm tre vjet më parë, Delijorgji, referuar burimeve të sigurta zyrtare, ka paguar pushimet e Ramës në Kretë.

Në nevojë të transparencës dhe publikimit të saktë të tabulateve, gazeta i kërkon Prokurorisë t’i vërë në dispozicion bisedat e Ramës me Delijorgjin, bashkë me premtimin se do t’i botojmë ato të plota.

Në vijim meqë është bërë praktikë e prokurorisë mediatizimi i dokumentave të saj ta bëjë këtë gjë dhe të kërkojë të gjitha tabulatet e Ramës në periudhën e Gërdecit dhe ato me Kreshnik Spahiun rreth datave të gjykimit të rrugës Durrës-Kukës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›