KQZ kërcënon me gjyq 135 krerë lokalë
Krerët lokalë të cilët nuk i janë përgjigjur kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të dorëzuar listën paraprake të zgjedhjeve, mund të ndiqen penalisht nga Prokuroria. Kërcënimi u bë dje nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili u bëri thirrje rreth 135 krerëve lokalë, kryetarë bashkish e komunash, që të përmbushin detyrimin e tyre. Ristani tha se do të merren masa në rast se kryetarët lokalë nuk ndërgjegjësohen, dhe një nga masat është ndjekja penale. “Nga 383 njësi të qeverisjes vendore, - tha Ristani, - 135 nuk i kanë prurë akoma këto të dhëna, duke shkelur ligjin dhe udhëzimin e KQZ-së. Në zbatim të ligjit do të thërras një mbledhje tjetër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë masa administrative dhe për të parë mundësinë e një kallëzimi penal, sepse mund të ketë dhe elemente të shpërdorimit të detyrës”.
Dorëzimi i kësaj liste është një detyrim ligjor dhe shërben mbi të gjitha në mbarëvajtjen normale të përgatitjes së procesit parapërgatitor. KQZ-ja ka denoncuar shpesh vonesat e shkaktuara, në të shumtën e rasteve nga neglizhenca. Vetëm pak javë më parë, partitë politike shkaktuan vonesa në dërgimin e emrave të anëtarëve të komisioneve zonale.
Ndërkohë, KQZ-ja debatoi dje në lidhje me miratimin e udhëzimit “Për caktimin e partive politike, të cilave u lind e drejta të marrin pjesë në shortin për anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave për zgjedhjet e 28 qershorit”. Sipas udhëzimit, dy anëtarët e shortit duhet të fitohen: një nga partia parlamentare e opozitës dhe një nga partia parlamentare e shumicës. Por që nga viti 2005, ka pasur aleanca të ndryshme dhe ky ndryshim u debatua dje. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, kërkoi që Partia Aleanca Demokratike të mos cilësohet si parti e opozitës dhe të njëjtën gjë kërkoi edhe për PDK-në. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, kërkoi që përcaktimi i shumicës dhe pakicës parlamentare të mbështetet në realitetin aktual politik, në mënyrën se si janë bërë aleancat politike dhe të mos merren për bazë zgjedhjet e vitit 2005. KQZ-ja nuk mori vendim, por shtyu udhëzimin për t’u miratuar në një ditë tjetër. Në bazë të këtij udhëzimi, do të miratohen me short dy anëtarët e grupit të numërimit të votave. Çdo grup numërimi votash ka 4 anëtarë, 1 është i PD-së, 1 është i PS-së, ndërsa dy të tjerët miratohen me short dhe këtë short mund ta fitojë çdo parti aktuale parlamentare, pavarësisht se ka ose jo anëtar në KQZ.