Topi në Maqedoni për Ivanovin president
Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi, në krye të delegacionit shqiptar u nis dje drejt Maqedonisë për të marrë pjesë në ceremoninë solemne me rastin e marrjes së detyrës nga Presidenti i zgjedhur i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. I ftuar nga kreu i ri i shtetit maqedonas, Presidenti Topi do të jetë nesër i pranishëm në ceremoninë që do të zhvillohet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së bashku me homologë të tjerë nga rajoni dhe më gjerëm, si Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, i Serbisë Boris Tadiç, i Bullgarisë Georgi Parvanov etj. Presidenti Topi do të zhvillojë edhe një takim të veçantë me Presidentin Gjorgje Ivanov në rezidencën zyrtare të Presidentit të Republikës së Maqedonisë.