E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, Topi: Procesi, në rrugë të mbarë



Presidenti Bamir Topi ndIhet i kënaqur me situatën pozitive parazgjedhore në Shqipëri, në mënyrë të veçantë me mbylljen me sukses të procesit të pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit. Këtë gjë ia shprehu dje edhe kongresmenit amerikan Eliot Engel, të cilit i vuri në dukje se ky proces është në rrugë të mbarë dhe po e çon vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Ashtu si dhe pajisja e shtetasve shqiptarë me karta identiteti. Presidenti Topi theksoi rëndësinë e ecurisë pozitive të procesit parazgjedhor si dhe përfundimin me sukses të pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti, si etapë e rëndësishme e reformës elektorale. Presidenti Topi, pasi bëri një pasqyrë të shkurtër të zhvillimeve të brendshme në vend, konkretisht mbi reformat kushtetuese, ato zgjedhore, në drejtësi, ekonomi etj., nënvizoi se këto reforma mbeten faktorë të rëndësishëm, jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve në vend, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, Kreu i shtetit vuri në dukje se ecuria pozitive e situatës parazgjedhore në vend, përfundimi me sukses i pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti, - si etapë e rëndësishme e reformës elektorale, - si dhe realizimi i zgjedhjeve të drejta e të pakontestueshme parlamentare të 2009-s për Shqipërinë do të jenë tregues të qartë të stabilitetit të konsoliduar politik në vend. Gjatë takimit të djeshëm me kongresmenin amerikan, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti i Nju Jorkut, Eliot Engel, Presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve dhe shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të njohin dimensione të reja, veçanërisht pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Ne i jemi mirënjohës SHBA-së për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë, si në rrugën e transformimeve të brendshme demokratike e në konsolidimin e demokracisë shqiptare, ashtu edhe për kontributin e madh në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO, proces i cili u konkretizua në samitin e Strasburg-Kehl-it", u shpreh Presidenti Topi. Gjithashtu, kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për qëndrimin e SHBA-së ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi dhe ndaj çështjes së Kosovës në veçanti. Në këtë kuadër, Presidenti Topi shprehu vlerësimet për mbështetjen dhe përkushtimin e madh të z. Engel në përkrahje të çështjes shqiptare.

Nga ana e tij, kongresmeni amerikan, Eliot Engel, vuri në dukje rolin moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, për ruajtjen dhe forcimin e paqes e qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan. "Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri shumetnik e demokratik, që respekton të drejtat e të gjitha pakicave, rajoni i Ballkanit është projektuar i tëri drejt integrimit euroatlantik", - tha zoti Engel. Kongresmeni amerikan vlerësoi gjithashtu edhe mbështetjen maksimale të Shqipërisë për politikën amerikane në rajon, si aleate e partnere e besueshme në rajon e më gjerë. "Shqipëria dhe kombi shqiptar janë miqtë më të mëdhenj e më të mirë të Shteteve të Bashkuara në mbarë botën", - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›