Delijorgji, 50 mijë euro gjyqtarëve
Dhjetë ditë pas tragjedisë së Gërdecit, më 25 mars 2008, Mihal Delijorgji ishte arrestuar. Ai ndodhej në burgun 313 dhe sipas përgjimeve telefonike, rezulton se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me të shoqen, Vjollca Delijorgji. Ky i fundit kërkon t’i çojnë cigare në burg, ndërsa e shoqja e pyet edhe për drejtorin e fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxollin, me të cilin Delijorgji thotë se ndan ushqimet që i çojnë nga shtëpia. Në bisedë flitet edhe për bllokimin e llogarive bankare të kompanive të Mihal Delijorgjit, ndërsa gruaja e tij ankohet se i kanë bllokuar edhe kartën bankare me të cilën tërheq rrogën e saj në bankë. Më poshtë biseda e përgjuar dhjetë ditë pas tragjedisë kur Delijorgji kishte një javë në burgun 313 në Tiranë.
Përgjim i datës 25 mars 2008, ora 12:21:17
Nr i telefonuesit: 0682038886 (Vjollca)
Nr që përgjigjet: 0693384370 (Delijorgji)
(...flet një fëmijë i vogël...)
Vjollca: Misho, si je?
Delijorgji: Mirë shumë.
Vjollca: E shikon si flet kjo, ka qarë dje gjithë ditën.
Delijorgji: Edhe sot kanë lënë takime.
Vjollca: Kush të tha?
Delijorgji: Një polic.
Vjollca: Ngaqë më thua nuk ka. E mirë, nesër do vijmë që në mëngjes se nuk i kemi bërë gjellët gati.
Delijorgji: Mirë, më merrni dhe nja dy karta telefoni, më sill “Malboro” jo nga ato të dyqanit....
Vjollca: Mirë je ti vetë?
Delijorgji: Mirë, shumë mirë.
Vjollca: Shkova një çikë andej nga puna, njerëzit të alarmuar.
Delijorgji: Nuk kanë pse të alarmohen, ato të gjitha janë bllokuar....tani mos u mërzitni, kjo është gjë që ndodh, nuk është se e kam bërë me dashje.
Vjollca: As që e diskutoj fare.
Delijorgji: Frigoriferin doja një çikë urgjent dhe satelitin me kartë, një 6-mujore.
Vjollca: Po Tani si është, mirë? Tanit i jep ndonjë ushqim?
Delijorgji: Të gjitha, se bashkë jemi.
Vjollca: Nuk është problem me një fjalë...?...na kanë mbyll të gjitha llogaritë dhe të mijat private edhe kartën e rrogës.
Delijorgji: Po i mbyllin që të shohin të gjitha lëvizjet....ajo M-ja ka ardhur.
Vjollca: Erdhi dje, diçka kishte shkruar atë ditë ai i shoqi një gjë.
Delijorgji: E kisha fshirë.
Vjollca: E sigurt?
Delijorgji: Po, po.
Vjollca: Ia kishte thënë njëri që pse ke thënë që mos e çaj kokën, sikur të ka thënë ty mos e çaj kokën.
Delijorgji: Ai më ka thënë, vëlla më ke tani. Dhe e kam fshirë direkt.
Vjollca: Kishin marrë në telefon, sot kishin thënë mos vazhdoni më atje që janë afër shtëpisë tonë. Dhe për atë që ke afër, nuk duam të dëgjojmë kokërr llafi për atë njeri...thoshin se i ka shitur armë Serbisë, gënjeshtra që marrin ato gazetat qelbësirat që i shkrijnë për 24 orë e t’i hedhin në gjyq...na kanë hedh shumë baltë.
Më poshtë, ndodhet një mesazh i përgjuar, i cili dërgohet nga Vjollca Delijorgji në adresë të bashkëshortit të saj Mihal Delijorgji. Në këtë mesazh telefonik, të zbardhur nga përgjimi i datës 30 maj 2008, disa muaj pas tragjedisë, flitet për seancat e marrjes në pyetje të Delijorgjit në qeli nga prokurorët që po hetonin ngjarjen e Gërdecit.
Përgjim i datës 30 maj 2008, ora 23:07:30
Lloji i thirrjes: SMS
Nr i telefonuesit që merr: 0693602016 (Vjollca)
Nr i telefonuesit që përgjigjet: 0693388481 (Delijorgji)
“Zemër, po foli me avokatin. Erdhi Lodi këtu tha avokati kam rregullu ca gjona me prokurorin dhe të honën ose të martën të takoj. Do të thotë ai çfarë të thush ditë tjetër. Do vi me prokurorin, do të pyesi prokurori vetë. Të du shum...
Përgj.
Tri ditë pas mesazhit të mësipërm, Delijorgji flet përsëri me të shoqen. Biseda është e përqendruar në lidhje me avokatët dhe pyetjen e Delijorgjit nga prokurorët si dhe një vendim për shtyrjen e afatit të mbajtjes në përgjim për llogari të hetimeve lidhur me tragjedinë.
Përgjim i datës 2 qershor 2008
Nr i telefonit që merr: 0693602016
Nr i telefonit që përgjigjet: 0693388481 (Delijorgji)
E:...çar të ka thanë avokati?
Delijorgji: Hiç, të shohim njëherë, se erdhi ai më mori në pytje kshu po nuk erdhi Prokurori.
E: Çar të thanë?
Delijorgji: Po ku di gja unë, ca përgjime tha shtyhen, se çar ngatërroi se nuk erdhi prokurori fare
E: Po nanji kafe të mirë nuk të tha fare?
Delijorgji: Të shohim, ai kur erdhi para nja nji ore tha llafe të mira, po mbrapa kur nuk erdhi prokurori erdhën ata policët gjyqësorë.
E: Ishte avokati aty?
Delijorgji: Ehe.
E: Po nuk i the avokatit se më the llafe të mira, e tani jo?
Delijorgji: Po ngaqë erdhën letrat me vonesë...
Në përgjimin e mëposhtëm flitet për një shumë prej 50 mijë eurosh të kërkuar nga avokatët me qëllim që Delijorgjit t’i ulet dënimi në shtatë vjet në Gjykatën e Shkallës së Parë, ndërsa në Apel dënimi të zbresë në vetëm dy vjet burg.
Përgjim i datës 3 qershor 2008, ora 15:48:11
Nr i telefonit që merr: +355693602016 (Vjollca)
Nr i telefonit që përgjigjet: 0693388481 (Delijorgji)
Lloji i thirrjes: SMS
“Zemër, Lodi erdhi nga avokati e takoi me gjithë Adin. Avokati si fillim ka kërku 50 mijë euro që gjyqin e parë me të dhonë 7 vjet pastaj në gjykatë të Apelit me të dhonë 2 vjet për këtë dënim është i sigurt avokati. Gjithsej ka kërku 15 mijë euro me ta lonë 2 vjet, e fundit fare, avokati i kishte përmend Lodit edhe punën e jevgut, Bazit, tani për tani s’kishte thonë gjo për gjyqe. Llafe të mira më duken, zemër të shofim, tani e kanë ato në dorë, po ti mos u mërzit”.
Firma e Patrik Henri, panik te MEICO
Fatos Mahmutaj
Një ditë pas shpërthimit në repartin ushtarak në Gërdec ka nisur ankthi i zbulimit të dokumenteve të paplota dhe jo të sakta me të cilat punonte kompania e Mihal Delijorgjit. Është një punonjëse e kompanisë shtetërore MEICO, e quajtur Bona, e cila është përgjuar teksa ka kryer një bisedë telefonike me një vajzë, të cilës i ka bërë me dije problemin që kishte dalë me kontratat, që Delijorgji mohonte të kishte bërë me ministrinë, duke u përpjekur ta kalonte fajësinë te kompania amerikane SAC.
Përgjimi i datës 16 mars 2008.
Nr. që merr: 0692097547
Nr. që përgjigjet: 0692074303 (Bona)
Personi i panjohur: Çar thoshte Vjollca e Muhalit?
Bona: Hiç presin.
P: Po mirë, ajo vërtet është që ka mbaruar kontrata me firmën amerikane që në dhjetor?
B: Po jo moj gocë, ajo në dhjetor ka bërë të dytën, po mohon kontratën e dytë që ka bërë me ministrinë.
P: Eee, kontratën e dytë që ka bërë me ministrinë. E mohon ai?
B: E mohon, nuk kam bërë thotë.
P: Po mirë, nuk ka kopje të asaj?
B: Ka kopje të asaj, edhe kontratën tonë që ka bërë, por që e ka me firmat e veta origjinale. Edhe i thashë Mihalit, po ti mos u lodh fare, thuaji ambasadës ta çojë për ekspertizë. Po qe se është firma e atij i thashë atëherë që e ka firmosë me shkrimin e vet me dorën e vet, para dy-tre vetave që kemi qenë në zyrë. Nuk mohon atë ai, mohon këtë të ministrisë, se nuk ka punë shteti me neve, e ka shteti me burrin e huj andej.
P: Po mirë ju sikur e noteruat një më duket!
B: Po ajo është.
P: Cila është me juve, me amerikanët?
B: Me neve me amerikanin. Po nuk thotë për atë ai, ai thotë për ministrinë me amerikanin. Sepse ka bërë në fillim ministria me amerikanin pa bëri tonën, se po mos të kishte bërë me ministrinë, çar do bënte me ne ai.
P: Po ai pse thotë që ka mbaruar që në dhjetor?
B: Ja fut kot, ai thotë dhe unë nuk jam bashkaksioner te firma Albademil. Po thashë si nuk qenka bashkaksioner. Po ka dalë me vendim gjykate? Se unë e kam me vendim gjykate. Bile e kam administrator me vendim gjykate.
P: Ehe.
B: Edhe këta janë hutu se jau kap truri. I thashë si paska ikur si administrator i firmës, po vendimin e gjykatës, ku e ka ai? Se ai që të iki duhet të çregjistroj aksionet, ai aksionet i ka të regjistruara në emër të vet. Hapëm letrat, i pamë që është në emër të vet, është 50% aksioner dhe administrator firme.
P: I firmës që u bë ky me këtë?
B: Firmës me Mihalin, janë bashkadministrator, janë dy administratorë, është Mihali dhe Patriku.
P: Po, po.
B: Dhe thotë që unë nuk jam administrator, unë kam qenë administrator te projekti i parë. Po mirë e ke hequr emrin me vendim gjykate? Se administratori nuk thotë do të iki dhe ika, administratorit i duhet vendimi i gjykatës, e ka emrin në vendim të regjistruar që është aksioner dhe që është administrator dhe që vepron i pavarur me Mihalin.
P: Leri porosi Mihalit tu thotë ka qenë Moza këtu kur i ka marrë firmën e atij.
B: Po, po patjetër, ka qenë Moza te zyra e Bonës.
P: Kam ardhur unë aty që kemi marrë firmën, ka qenë Bona. Kush ka qenë tjetër?
B: Vjollca, Mihali vetë, ik mos çaj kokë, po hë?
P: Jo, lerua porosi atyre po them.
B: Ja le porosi, mos u shqetëso fare.
P: Se mos i shpëton atij ndonjëherë, edhe.
B: Jo, jo, jo nuk bëhet fjalë. Ata shumë-shumë mund të thonë pse e keni bërë më 31 dhjetor, atëherë e bëmë noterinë, ç’rëndësi ka?
P: Po ai ka qenë në 31 dhjetor këtu?
B: Ai ka qenë më përpara.
P: Epo e sheh sa gabim është bërë ajo punë, prandaj duhet t’i bëni punë duke më pyetur mua.
B: Po të kam pyetur unë për atë, se të thashë që kam amerikanin te zyra.
P: E kishe te zyra, po në çar date e kishe amerikanin te zyra ti?
B: Më datë 7 më duket.
P: E po të thotë ai që më 31 dhjetor kam qenë në Amerikë.
B: Po e kishim marrë me firmë, firmën e kishte origjinale ai.
P: Po jo moj Bona është krejt gabim ajo punë.
B: Pse?
P: Jo Bona, mos e nxirr fare atë punë.
B: Ajo do të dali si kontratë.
P: Ku je ti?
B: Në shpi.
P: Më jep numrin e shpis, mos e nxirrni si kontratë njëherë.
B: Bjeri një numri 232154.
Mbaron përgjimi.
Bumçi, kallëzim penal për ish-sekretaren
Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi hodhi poshtë pretendimet e ish-sekretares së tij, sipas së cilës shënimi në projektvendimin e Gërdecit “për Shkëlzen Berishën” është shkruar nga ai. Gjatë një konference për shtyp zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së tha se shkrimi i tij mund të verifikohet fare lehtë, teksa bëri të ditur se do të ngrejë kallëzim penal për ish-vartësen e tij. “Shënimi në shkresë nuk është shkrimi im. Kjo është diçka lehtësisht e verifikueshme nga kushdo, shënimet e mia gjenden në qindra shkresa të Ministrisë. Dhe kjo nuk është një çështje opinioni, por çështje fakti. Sot është e martë dhe nuk bëhet dot e diel. E njëjta gjë vlen dhe për shkrimin”, u shpreh Bumçi. “I kërkoj Organit të Akuzës të sqarojë publikun shqiptar, se pse nuk kanë filluar një padi penale për dëshminë e rreme. Prokuroria ka gati një vit që është në dijeni të kësaj dëshmie, atëherë pse nuk ka vepruar? Kujt i intereson kjo sjellje? Nëse sot do të kishim një përgjigje kjo tymnajë nuk do të vazhdonte më. Prokuroria ka hetuar për një vit, duhet të japë një shpjegim publik për këtë çështje”, vijoi më tej deputeti i Partisë Demokratike. Bumçi tha se gjatë gjithë kohës që ka mbajtur postin ministrit të Drejtësisë ka mbajtur marrëdhënie institucionale dhe në asnjë rast nuk ka komunikuar, nuk është konsultuar me persona privat, përfshirë këtu dhe djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berisha. “Mendimi ligjor i dhënë nga Ministria e Drejtësisë është dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes që në datë 9 mars me postë si dhe me faks me datë 12 mars. Pra, ky opinion ligjor ekzistonte i protokolluar në Ministrinë e Mbrojtjes përpara shkresës së datës 13 mars. Çfarë tregon shumë qartë se e ashtuquajtura tezë e konsultimit dhe informimit, që unë po i bëja z. Shkëlzen Berisha nuk qëndron sepse opinioni ynë ligjor ishte dërguar më parë”, u shpreh Bumçi. Ai shtoi gjithashtu, se nëse do të donte të fliste me djalin e kryeministrit, mund të përdorte format e tjera të komunikimit, duke përmendur telefonin apo mesazhet.