E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta premton 100 mijë vende pune

 

Aristir Lumezi

Kreu i LSI-së prezantoi dje “Planin për Veprim”, programin për qeverisjen e vendit me prioritete të qarta. “Në themel të këtij ‘Plani për Veprim’ qëndron pikërisht punësimi si shtylla kryesore dhe objektivi kryesor mbi të cilin do të ndërtohet mirëqenia e qytetarëve shqiptarë dhe në radhë të parë e atyre që janë pa punë dhe e gjithë të tjerëve që sot përjetojnë pamundësinë në rritje për të shprehur aftësitë e tyre, talentin e tyre, njëkohësisht për të ndërtuar një të ardhme të sigurt për veten e tyre dhe familjen e tyre pikërisht këtu në Shqipëri”, u shpreh Meta në prezantimin e tij. Deri në fund të muajit maj, LSI do të bëjë prezantimin e këtij programi në të gjithë vendin. “Si kryetar i LSI-së, së bashku dhe me disa nga drejtuesit më të spikatur të LSI-së, por edhe nga specialistët më të aftë në LSI dhe rreth saj, do të fillojmë paraqitjen dhe zbulimin e ‘Planit për Veprim’, që është një përmbledhje e prioriteteve të programit elektoral dhe qeverisës të LSI-së, që tregon shumë qartë se forca jonë politike dhe alternativa jonë në këto zgjedhje është më realistja, më tokësorja dhe njëkohësisht më e përgatitura për të përballuar problemet më të rëndësishme që ndeshet sot vendi dhe qytetari shqiptar, në radhë të parë problemet ekonomike dhe problemet sociale”, tha Meta. Sipas tij, “të gjitha politikat tona qeverisëse, zhvillimore dhe arsimore janë në funksion të punësimit, të krijimit të vendeve të reja të punës dhe sikurse e kemi bërë të ditur prej kohësh, Plani ynë për Veprim dhe programi ynë elektoral dhe qeverisës ka një synim tepër realist, por edhe ambicioz për hapjen e 100 mijë vendeve të reja të qëndrueshme të punës gjatë katër viteve të ardhshme”.
Kreu i LSI-së e cilësoi periudhën mjaft intensive për koalicionin e ri të kryesuar prej saj. “Jam i bindur se kjo do të jetë një periudhë tepër intensive dhe e suksesshme të komunikimit me faktorë shumë të rëndësishëm, që janë të interesuar për t’u njohur me objektivat, prioritetet dhe idetë e LSI-së në programin tonë dhe natyrisht kërkon një angazhim të të gjithë kapaciteteve tona në LSI, por edhe të koalicionit tonë ‘Aleanca Socialiste për Integrim’”, tha Meta. Po dje, Meta komunikoi dhe me disa organizime elektorale të LSI-së. “Me këtë rast për të forcuar edhe komunikimin me mediat, dua t’ju prezantoj se z. Edmond Haxhinasto, kryetar i KDK-së, do të jetë njëkohësisht gjatë kësaj periudhe zëdhënësi i LSI-së për programin elektoral dhe qeverisës. Ndërkohë dua t’ju paraqes dhe z. Ralf Gjoni si zëdhënës të LSI-së, i cili do të jetë gjithmonë në komunikim me ju për çështje nga më të ndryshmet”, tha Meta. I pyetur dje nga gazetarët për akuzat ndaj implikimit të familjes së kryeministrit Berisha me çështjen e Gërdecit, Meta tha se, “në rast se e gjithë opozita do të ishte bashkuar me qëndrimet e qarta, parimore dhe konsekuente të LSI-së pas kësaj tragjedie, z.Berisha nuk do të ishte sot kryeministër dhe drejtësia do të ishte krejtësisht e pavarur dhe e lirë për të hetuar në mënyrë të paanshme në këtë tragjedi. Lëvizja Socialiste për Integrim, një ditë pas tragjedisë së Gërdecit kërkoi largimin e kryeministrit Berisha, por nuk u mbështet nga partitë e tjera opozitare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›