“Poli i Lirisë”, koalicioni me 6 parti depoziton kërkesën në KQZ
“Poli i Lirisë” është koalicioni i parë politik që depoziton zyrtarisht kërkesën për të konkurruar në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Dje pasdite pranë zyrës së protokollit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është depozituar kërkesa e koalicionit të djathtë politik “Poli i Lirisë”, ku lideri i tij është ish-kryeministri Aleksandër Meksi. Marrëveshja mësohet se është depozituar në KQZ pikërisht 24 orë përpara skadimit të afatit ligjore për paraqitjen e koalicioneve politike. Në këtë koalicion bëjnë pjesë edhe Partia e Bashkimit Demokratik dhe Partia Konservatore, Partia e Reformave Demokratike dhe Partia e Rruga e Lirisë. Ky është koalicioni i parë gjashtë partiak që depozitohet pranë KQZ-së. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, bën të ditur për “Panorama” se të gjithë krerët e partive politike kanë hedhur firmën për krijimin e këtij koalicioni, duke plotësuar dhe një nga kërkesat paracaktuara nga ana e KQZ-së. Sot është dita e fundit e regjistrimit të koalicioneve politike pranë KQZ-së. Zyrtarisht pritet që në këto votime të ketë katër koalicione politike.