E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e deputetit, qeni zbulon gjurmët

 

Trazhgim Sokolaj

Rreth 12 ditë pas vrasjes me armë të deputetit të PS-së në Fier, Fatmir Xhindi, prokuroria zbardh rrugën që ka ndjekur vrasësi gjatë largimit nga vendi i krimit. Zbardhja e rrugës së ndjekur nga autori i krimit është bërë me anë të dëshmisë së dhënë nga një punonjës policie, i cili ka shërbyer mbrëmjen e 2 majit 2009, me një qen gjurmues në vendin ku ndodhi krimi. Ky punonjës është marrë në pyetje ditët e fundit nga grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Efektivi i policisë ka pohuar se natën e krimit, kishte ndjekur lëvizjet e qenit, i cili ka nuhatur gjurmët e autorit. Qeni i policisë, duke nuhatur ka ndjekur gjurmët deri në rrugën kryesore në qendër të Roskovecit. Sipas të dhënave nga dëshmia e punonjësit të policisë që survejoi qenin gjurmues, vrasësi i deputetit të PS-së Fatmir Xhindi ka ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes. Ekzekutori i 49-vjeçarit me imunitet, ka ecur normalisht rrugicave të zonës derisa ka dalë në rrugën kryesore që shpie në qendër të Roskovecit. Aty besohet se një automjet ka qëndruar në pritje për të marrë vrasësin bashkë me armën e përdorur në ekzekutimin e deputetit. Makina që besohet se drejtohej nga një bashkëpunëtor i dytë, ka shërbyer në largimin e vrasësit prej vendit ku ai kishte lënë të vdekur në vend me 9 plumba deputetin e PS-së Fatmir Xhindi. E gjithë kjo skenë, që bën fjalë për lëvizjet e vrasësit, është zbuluar në fakt që natën e krimit, të shtunën e 2 majit 2009 rreth 40 minuta pas ngjarjes së rëndë. Një efektiv i policisë është dërguar në vendin ku u vra deputeti që atë natë, duke mbajtur me vete edhe një qen nuhatës nga ata që përdor policia kufitare për gjurmimin e klandestinëve. Kafsha që shoqërohej nga polici i cili survejonte gjestet e qenit, është çuar me automjet deri para portës së banesës së deputetit Fatmir Xhindi, aty ku ndodhi atentati. Pasi është lënë i lirë në vendin e vrasjes, qeni fillimisht ka hyrë në oborrin e banesës së deputetit, ku më parë ishte shembur përdhe Fatmir Xhindi. Më pas qeni nuhatës, ka ecur në dalje të oborrit duke kaluar diagonal rrugicën që ndodhet para banesës. Qeni ka vijuar nuhatjen duke vrapuar në rrugët dytësore drejt aksit kryesor që të nxjerr në qendër të Roskovecit e që më pas vazhdon drejt Fierit. E gjithë kjo ndjekje e gjurmëve të vrasësit është bërë nga qeni gjurmues, i cili ka arritur të zbulojë itinerarin e lëvizjeve të vrasësit deri në rrugën kryesore. Më pas gjurmët humbasin ndërsa besohet se aty, ekzekutori i deputetit ka hipur në një makinë që e priste për ta ndihmuar të largohej nga zona ku kishte ndodhur ngjarja. Fatmir Xhindi, deputet i PS-së në Fier prej tri legjislaturash u ekzekutua me armë në portën e banesës së tij në Roskovec. Ngjarja ndodhi 12 ditë më parë, mbrëmjen e 2 majit 2009 rreth orës 21:15. Më shumë se 170 persona janë marrë në pyetje në polici për këtë ngjarje, e cila ende ka mbetur "pa autor". 

Atentati, 14 banorë shoqërohen në polici
TIRANE - Grupi hetimit i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje ditët e fundit një numër të konsiderueshëm personash nga fshati Kurjan dhe nga Roskoveci, në lidhje me vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi. Mbrëmjen e të hënës, 14 persona janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Fierit, hetuesit u kanë marrë atyre deklarime në lidhje me ngjarjen ku mbeti i vdekur deputeti i PS-së vrasja e të cilit ende nuk konsiderohet e zbardhur. Sipas burimeve nga hetimi, mësohet se personat e shoqëruar janë banorë të fshatit Kurjan, ku deputeti kishte origjinën e tij dhe disa prona. Mes të shoqëruarve ndodhen edhe banorë të Roskovecit, zona ku aktualisht banonte Fatmir Xhindi me familjen e tij. Nga 14 të shoqëruarit, hetuesit thonë se tre persona kanë qenë anëtarë të një familje e cila ka pasur disa mosmarrëveshje me deputetin pak ditë më parë. Megjithatë vetë anëtarët e kësaj familje kanë pohuar se keqkuptimi me Fatmir Xhindin nuk kishte kaluar në përmasat e acarimit apo të fyerjeve, po kishte qenë në debat normal.

Krerët e policisë e Prokurorisë në analizë: Hetimi në tri pista
TIRANE - Zyrtarët e lartë të policisë së shtetit dhe drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të rënda, zhvilluan dje një analizë në lidhje me hetimet që po zhvillohen për zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Sipas burimeve hetimore, mësohet se dyshimet kryesore janë përqendruar në tri pista: vrasja për shkak të cilësive të veçanta të deputetit, shkaqet personale dhe një konflikt i mundshëm pronësie. Rreth orës 19:00 të mbrëmjes së djeshme mësohet se zv/drejtori i Përgjithshëm për hetimin në policinë e shtetit ka pasur një takim me zyrtarë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në prani të grupit hetimor. Në analizë janë shqyrtuar provat e mbledhura së fundi në lidhje me vrasjen e deputetit, ndërsa konfirmohet se pistat në të cilat po vazhdon hetimi, lidhen me detyrën e Fatmir Xhindit, problemet e tij personale dhe konfliktet për shkaqe pronësie. Analiza e djeshme mësohet se është përqendruar në detaje konkrete të hetimit ndërsa ende nuk ka zyrtarisht asnjë person të dyshuar si autor i mundshëm i vrasjes së deputetit. Në policinë e Fierit mësohet se po vazhdojnë shoqërimet e personave me dijeni për ngjarjen, për t'u marrë në pyetje por deklarimet e tyre nuk kanë dhënë rezultat.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›