E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse nuk po fillon fushata!

Henri Çili 

Akoma do fushatë! -mund të pyesë dikush nëse përciptazi ndjek kronikën e ditës, të mbushur me kronika të “Shqipërisë që ndryshon”, të “Vullnetarëve për bashkim”, të “Koha për veprim”. Por në fakt ky nuk është veçse një vështrim sipërfaqësor i kësaj fushate, pasi në thelbin e saj fushata nuk ka filluar ende. Janë disa tregues për ata që e vëzhgojnë jetën politike me kritere profesioniste për të parë se në fakt fushata nuk ka filluar ende. Aq më tepër të thuash se ajo ka gjashtë muaj që ka filluar duket fare e pavend. Tre janë kushtet që duhet të plotësojë një parti apo kamp politik për t’u futur në një fushatë elektorale: lideri, ekipi, programi. Nga këto vetëm çështja e liderëve në blloqet respektivë duket e zgjidhur. Të gjitha të tjerat janë ende të paqarta përfshi këtu edhe debatin 15-vjeçar për standardet e zgjedhjeve që edhe këtë fushatë po gllabëron një sasi të madhe energjish të aktorëve politikë.
Së pari, mozaiku i ekipeve është më i paqartë se kurrë për disa arsye, edhe pse këto arsye janë të ndryshme për secilin kamp. Sistemi i ri elektoral, i cili ka ndryshuar gjithçka në zgjedhjen e nuk ka krijuar një traditë, ndaj veç paqartësisë së fillimin, spikat një qëllim Ramës dhe Berishës për të dorëzuar listën në orën 12 të natës, në 12 maj, që i bie kufiri limit i detyrimit ligjor për të paraqitur listat në KQZ, 45 ditë para ditës së votimit, 28 qershor. Ky qëllim duket që ka të bëjë me pamundësinë e çdo diskutimi brenda partive për përbërjen e listave dhe vendin e secilit në listë. Këtë debat të brendshëm askush nuk e do, askush nuk e përballon dot. Ndaj palët politike gjenden në një pamundësi për të paraqitur ekipet reale me të cilët do të dalin para shqiptarëve për të qeverisur Shqipërinë e pas 28 qershor. Kjo bën që në të dy partitë kryesore askush nuk di asgjë për asnjë çështje. Situatë më paradoksale se kjo, nuk mund të imagjinohej, kur në fakt një nga qëllimet bazë të sistemit proporcional është t’i krijojë mundësi publikut të votojë një lider së bashku me ekipin që ai ka për projektin e vet politik.
Së dyti programi, edhe ky i dyti duket i pamundur për të qenë gati dhe për tu prezantuar publikisht, jo thjesht se mungesa e qartësisë në ekip e bën të pamundur hartimin e një programi politik, por dhe për faktin se ndërtimi i një programi ka rënë në paradoks të ri: cili do të jetë programi, ai i ekspertëve, ai i kompanive që këshillojnë palët politike për ndërtimin e fushatës, ai i organeve përfaqësuese të partisë apo ai i ekipit që do të shfaqet 45 ditë para ditës së votimit?
Këtyre pyetjeve, posaqë nuk është zgjidhur çështja e ekipeve në secilin prej dy partive kryesore nuk mund tu përgjigjet askush.
Ndaj kësaj radhe, duket se vërtet do të provohemi realisht nga thelbi i fushatës elektorale: nga ekipi dhe programi përkatës. Jo se të tille nuk do të ketë. Por se jemi para rrezikut kësaj herë që partia të jetë diçka tjetër, ekipi konkurrues në zgjedhje diçka tjetër, përmbajtja e programit diçka tjetër. Kjo prishje e rendit të gjërave rrezikon të na sjellë një “fushatë monstër”. Edhe pse ajo do të jetë ndoshta fushata e parë parlamentare që zhvillohet në sytë e mediave, drejtpërdrejt ajo ka risk të shndërrohet në një fushatë të paqartë. Ç’të bëjnë më parë votuesit në 30 ditët e fushatës: të njohin emrat e rinj në listë, të njohin programin apo të shohin performancën dhe lojën e palëve në fushatë. Nga ana tjetër ç’të bëjnë më parë pjesëtarët e ekipeve konkurruese gjatë 30 ditëve: të njohin programin, të mësojnë politikën apo të kujdesen për qarkun, kartat e identitetit?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›