E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku vemi?

Petrit Vasili 

Në një këngë të famshme të viteve ’60 të këngëtarit italian Xhorxhio Gaber “Po ç’është vallë e majta, ç’është vallë e djathta”, përballet me shumë ironi Si kurrë më parë, kjo është pyetja apo edhe në të njëjtën kohë dilema e madhe e mijëra qytetarëve, pavarësisht nga niveli i tyre shoqëror intelektual si dhe pavarësisht nga preferencat e tyre politike.
Bashkëjetesa midis fenomeneve politike me distanca tepër të mëdha, që nga NATO e deri tek halli për të pajisur disa qindra mijëra shqiptarë me karta identiteti, i bëjnë sot shqiptarët më të pasigurt se kurrë më parë dhe ata me shumë të drejtë nuk dinë t’i gëzohen apo jo NATO-s, apo ta shohin atë me një shpresë të venitur.
Sot me mijëra janë ata që thonë “ku vemi”, sepse debati fiktiv dhe shterpë politik, në shumë raste si një sajesë e stisur mediatike, ia ka zënë plotësisht vendin paraqitjes së qetë dhe të arsyeshme të asaj që është alternativa më e dobishme për një vend të ngërthyer nga kriza dhe varfëria.
Raportet hibride që politika ka krijuar dhe shitur në opinionin publik, ku maxhoranca dhe një pjesë e opozitës arrinin kompromise të tilla pa sens, si ai për Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor etj., etj., e kanë bërë akoma më shkulmuese dhe kritike pyetjen “ku vemi”.
Sot ashtu si në të gjithë demokracitë që citohen pafundësisht nga politika shqiptare kërkohet një raport i qartë mes shumicës dhe pakicës, ku secila prej tyre formulojnë qëndrime, programe politike dhe veprime konkrete, që ndryshojnë në filozofi dhe botëkuptim në mënyrë të qartë nga njëra-tjetra. Ky qëndrim i qartë dhe i diferencuar mirë ndërmjet alternativave që opozita dhe pozita paraqesin përkatësisht, është i vetmi që e vë zgjedhësin shqiptar në mendime dhe e bën të arsyetojë me qetësi, se kë dhe pse duhet të zgjedhë njërën prej tyre.
Në se i shërbehet qëllimshëm një politike pa kufij politikë, pa diferenca dhe dallime të qarta filozofike dhe alternative, pa një raport të qartë me qytetarin dhe me kredon se krijimi i neodiktaturave personale dhe soft të 2009-ës janë qëllimi i vetëm, atëherë natyrshëm vota do të bëhej konfuze dhe të gjithë do të pyesnin: për çfarë do të shërbejë vota ime dhe a ka kuptim që unë të votoj e të ricikloj pushtete dhe kasta inproduktive që prodhojnë kaos, shqetësim dhe varfëri për të gjithë.
Varfëria pa zgjidhje, kriza ekonomike pa instrumente për ta përballuar, papunësia që vetëm rëndohet pa limit dhe ku shumica e politikës e shohin atë me pasivitet të dënueshëm, janë kryeçështje të cilave sa më shumë që të mos ketë përgjigje të qarta aq më shumë qorrsokaku social dhe dëshpërimi individual bëhen kërcënues. Ndaj edhe LSI p.sh., e ka kthyer ndryshe nga të gjithë të tjerët punësimin në një kryesfidë të saj.
Ky moment që përjetohet sot dhe është gatuar për një kohë të gjatë, pas vitesh të tëra dështimesh të njëpasnjëshme të përballjes qeveritare me qytetarin, ka krijuar një sërë dilemash dhe dyshimesh të mëdha që dekurajojnë këtë të fundit dhe bëjnë atë që të braktisë rolin e madh dhe të pazëvendësueshëm që ai ka në ndryshimin dhe transformimin e shoqërisë dhe vetes së tij.
Fatkeqësisht qytetari shqiptar është sot shumë më pasiv dhe shumë më i demotivuar në rolin e tij social, por edhe politik se sa në fillimin e viteve ‘90, ku ndonëse kishte njëmijë paqartësi, ai ishte i bindur se ishte ai dhe vetëm ai, që do të bënte transformimin e duhur nëpërmjet vullnetit të shprehur me votë, por edhe me shumë forma të tjera që demokracia i mundësonte me shumicë.
Pyetja “ku vemi” rrjedh nga prodhimi në këto vite pluralizëm, i pushteteve të rreme të prodhuara nga sisteme zgjedhore artificiale që deformojnë realitetin elektoral, nga politika demagogjike dhe të mbushura me premtime paturpësisht fantastike dhe me një mungesë të frikshme veprimi të mbuluar me jorganë mediatike dizinformues.
Veprimi ka qenë sfida e pamundur e politikës. Politika shqiptare u përball me veprimin si filozofi tërësisht e re dhe absolutisht e munguar, vetëm një herë, kur Ilir Meta në vitet 1999-2001 e aplikoi konkretisht veprimin si një filozofi të re qeverisëse, e që u provua qartë se ishte pikërisht ajo që qytetarët prisnin dhe donin. Jehona e pashuar stimuluese e shembullit të atyre viteve, akoma edhe sot, është një provë se shqiptarët besojnë vetëm tek veprimi, sepse vitet shumë të gjata të diktaturës para dhe paskomuniste, ku propaganda zëvendëson veprimin i kanë lodhur e zemëruar mjaft ata.
Duke i qëndruar tutje abuzivizmit politik, që sofizmin dhe druajtjen nga përballja e shet për politikë të veçantë dhe të re, përpara të gjithëve shtrohet pyetja a mund të ketë fitore pa u përballur haptas me problemet dhe me kundërshtarin politik? Përgjigjja është vetëm një “Jo kurrë”.
Pranimi në NATO ishte dhe mbetet një moment i madh i të vërtetave të mëdha. Krahas kësaj arritjeje, që me shumë të drejtë është përkufizuar si e të gjithë shqiptarëve, kemi përcjellë një garë marketimi politik dhe personalizimi bajat, pa asnjë vlerë dhe ku përveç shpenzimeve pafund dhe pa vend të parave publike, nuk kemi dalluar asnjë moment reflektimi të përgjegjësive të mëdha që Shqipërisë i dalin përpara.
Këto përgjegjësi të mëdha dhe aftësitë që ka politika për t’i përballuar ato janë në një raport thellësisht të zhdrejtë, pra thënë qartë politika shqiptare e para 28 qershorit është e papërgatitur për të administruar demokratikisht dhe me mendje të hapur këtë dhuratë të madhe të Perëndimit në përgjithësi dhe të Amerikës në veçanti.
Delirit festiv të pranimit në NATO, që të nesërmen e tij i duhet të përballet me kyçin e ekzistencës së një demokracie minimalisht normale dhe që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ç’mund të thotë politika për to, asgjë. Kaosi, pasiguria dhe shqetësimi për një proces të rregullt zgjedhor nuk mund të mbulohen me festimet faraonike për NATO-n. Duhet veprim dhe vetëm veprim, së pari, për të shpëtuar standardin themelor të demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme që akoma duken të jenë larg si të tilla.
Mitingjet e festës kaq ishin. NATO për të gjithë është një përgjegjësi më shumë dhe jo një bonus më shumë. Çdo emër i përveçëm në pozitë apo në opozitë, që do të synonte të qëndronte në krah të emrit NATO dhe të rrëmbente individualisht ndonjë copë nga ajo, do të tregonte vetëm një provincializëm të mjerë politik më shumë dhe një vlerë më pak për veten dhe partinë e tij.
Ku vemi? Akoma nuk kemi një përgjigje të qartë për këtë. Mund të ecim përpara për ta gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje, vetëm duke vepruar shumë dhe shpejt. Jashtë filozofisë së veprimit ka vetëm udhëkryqe të reja më të rrezikshëm se ata që kemi parë deri më sot. Jetojmë në një kohë krize, që e refuzon si një trup të huaj pasivitetin dhe pritmërinë, duket qartë që është koha për veprim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›