E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënime jashtë burgjeve për 600 persona

 

Trazhgim Sokolaj

Qeveria shqiptare miratoi ngritjen e sektorit të “shërbimit të provës” në Ministrinë e Drejtësisë, duke i hapur rrugë zbatimit për herë të parë të dënimeve alternative (jo me burgim). Ngritja dhe funksionimi i një sektori të tillë ishte parashikuar në letër nga ndryshimet ligjore që hynë në fuqi në nëntor 2008. Prej pesë muajve në gjykatat shqiptare u depozituan 600 kërkesa të burgosurish për dënime alternative, të cilat u bllokuan pasi Shërbimi i Provës nuk ishte ngritur. Gjykatat i pezulluan 600 kërkesat e të dënuarve duke u shprehur se janë në pritje të konfirmimit nga Ministria e Drejtësisë, për ngritjen e “Shërbimit të provës”, komision i posaçëm që do të mbikëqyrë zbatimin e dënimeve alternative. Këshilli i Ministrave, me vendimin nr.302, datë 25 mars 2009, ka miratuar së fundi ngritjen dhe funksionimin e “Shërbimit të provës” bashkëngjitur me rregulloren e këtij sektori që do të vendoset në Ministrinë e Drejtësisë. Ngritja dhe fillimi i punës nga Shërbimi i Provës, pritet t’u hapë rrugë veprimi gjykatave në Tiranë dhe rrethe për shqyrtimin e 600 kërkesave të bëra nga të burgosurit, që pretendojnë se i plotësojnë kushtet për t’iu nënshtruar dënimeve alternative. Shërbimi i Provës është një komision i parashikuar në ndryshimet që u bënë në ligj në nëntor 2008. Komisioni ngarkohet të shqyrtojë rastet e personave të cilët mund t’i shpëtojnë dënimeve me burgim dhe t’i nënshtrohen masave alternative.
Kriteret e përfitimit
Neni 59 i Kodit të Procedurës Penale i cili ka hyrë në fuqi me ndryshimet e fundit më 27 nëntor 2008, me titull “Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë”, thuhet se “për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së veprës penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg deri në pesë vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale”. Ngritja e Shërbimit të Provës është një nga reformat e kërkuara nga organizmat ndërkombëtarë në kuadër të përmirësimit të sistemit të drejtësisë dhe përafrimit me vendet e BE-së. Funksionimi i një organizmi të tillë në Ministrinë e Drejtësisë me akses në sistemin gjyqësor shqiptar është konsideruar si një masë e efektshme për zgjidhjen e çështjes së mbipopullimit të burgjeve. Shërbimi i Provës ngarkohet me ligj të mbikëqyrë ekzekutimin e dënimeve alternative për ata të burgosur, të cilët plotësojnë kriteret e vendosura dhe si rrjedhim ndaj tyre ndërpritet mbajtja në qeli dhe vendoset kryerja e dënimit në një formë tjetër. Veç gjykatave, edhe Prokuroritë në rrethe kanë konfirmuar pamundësinë e zbatimit të dënimeve alternative në qindra raste gjashtë muajve të fundit, për shkak të mungesës së Shërbimit të provës, i cili është miratuar tashmë nga Qeveria.

Shërbimi, drejtori e përgjithshme në ministri
TIRANE – Vendimi i qeverisë i firmosur pak ditë më parë sanksionon se Shërbimi i provës do të funksionojë si drejtori e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë në nivel qendror. Ndërkaq, në nivel vendor ky shërbim do të ketë zyrat pranë secilës nga Gjykatat e rretheve gjyqësore në të gjithë vendin. “Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës, drejton, organizon dhe kontrollon ekzekutimin e dënimeve alternative”, thuhet në vendimin e qeverisë. Sipas tij, zyrat vendore të Shërbimit mbikëqyrin dhe mbështesin zbatimin e dënimeve alternative që varen administrativisht nga Drejtoria e Përgjithshme. Shërbimi i Provës veç administratës do të ketë edhe një drejtor të përgjithshëm, që përgjigjet për veprimtarinë e këtij organizmi.    

Dënimet alternative

Neni 59/a
Qëndrimi në shtëpi
Për dënimet me burgim deri në dy vjet ose kur kjo kohë është pjesë e mbetur e dënimit, sipas një vendimi për një periudhë më të gjatë burgimi, gjykata mund të vendosë vuajtjen e dënimit të dhënë me qëndrimin në shtëpi të së dënuarit, në një shtëpi tjetër private apo në një qendër të kujdesit dhe të shëndetit publik, kur ekzistojnë rrethanat e mëposhtme:
a) Për gratë shtatzëna ose nëna me fëmijë, nën moshën 10 vjeç, që jetojnë me të.
b) Për baballarët, që kanë përgjegjësi prindërore për fëmijën, që jeton me të, nën moshën 10 vjeç, kur nëna e tij ka vdekur apo nuk është e zonja për t’u kujdesur për të.
c) Për persona, në kushte të rënda shëndetësore, që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm nga shërbimi shëndetësor, jashtë burgut.
ç) Për personat mbi 60 vjeç, që janë të paaftë nga ana shëndetësore.
d) Për të rinj, nën moshën 21 vjeç, me nevoja të dokumentuara shëndetësore, studimore, të punës apo përgjegjësive familjare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›