E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrata e MEICO-s, pyetet sekretari i Mediut

"Lufta" midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, Forcave të Armatosura, në lidhje me nënshkrimin e kontratave për ngritjen e fabrikës së vdekjes në Gërdec, po përqendrohet në Prokurorinë e Përgjithshme. 24 orë pas dëshmisë së shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-lejtnant Luan Hoxha, radha i ka takuar një përfaqësuesi të ministrisë. Ish-sekretari i Përgjithshëm, Ardian Mullai, ka sqaruar trupën e prokurorëve për nënshkrimin e kontratave dhe detajeve të tjera që hedhin dritë mbi mënyrën e kontraktimit të firmës amerikane "Southern Ammunition Company" (SAC), si dhe kontraktimit e firmës "Albademil", me pronar Mihal Delijorgji, për shitjen dhe demontimin e armëve.

Burime nga akuza qendrore thanë dje se Mullai ka analizuar deklaratat e ushtrisë për paraqitjen filmike të bërë nga përfaqësues të kompanisë "SAC", me një laptop në paradhomën e zyrës së tij. Sipas ushtarakëve, nuk ka informacion për faktin se cili institucion dhe me cilin tagër i ka vlerësuar këto materiale në emër të palës shqiptare. Pikërisht rreth këtyre detajeve ka dhënë shpjegime ish-sekretari i përgjithshëm, duke bashkëpunuar me organet e drejtësisë. Burimet zyrtare nga akuza qendrore ishin të ngurta dje në dhënien e informacioneve, duke pohuar se gjithçka është nën hetim. Gjithsesi, nga burime konfidenciale mësohet se Mullai i ka paraqitur prokurorisë kopjet e kontratave midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanive që interesoheshin për demontimin dhe shitjen e municioneve. Ai ka deklaruar se ekskluziviteti i shitjes së armëve i takonte firmës shtetërore MEICO dhe se Ministria e Mbrojtjes kishte rol dytësor. Burimet nga akuza pohojnë se Ardian Mullai ka deklaruar para grupit hetimor se ministria i ka përcjellë të gjitha dokumentet e kontratave drejt Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe se zyrtarët e këtij institucioni kishin dijeni për të gjitha lëvizjet në Gërdec. Krahas dëshmisë, prokurorët i kanë kërkuar ish-zyrtarit të Ministrisë së Mbrojtjes pamjet filmike që paraqitën përfaqësuesit e firmës amerikane. Por duket se gjithçka ka qenë e kotë, pasi kopjen në fjalë e kanë vetëm përfaqësuesit e firmës amerikane, të cilët ende nuk e kanë dorëzuar në organin e akuzës.

Disa javë më parë, nënkolonel Ali Ndreu, që përfaqëson Forcat e Armatosura, në një dalje publike ka sqaruar të gjithë mënyrën e nënshkrimit të kontratave midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë amerikane "Southern Ammunition Company". Ndreu tha se specialistët e Shtabit nuk janë prononcuar për paraqitjen filmike të bëra nga përfaqësues të kompanisë "SAC", me një laptop në paradhomën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk ka informacion për faktin se cili institucion dhe me cilin tagër i ka vlerësuar këto materiale në emër të palës shqiptare. "Nëse ministri ka autorizuar një strukturë ose një person për ta bërë këtë, kjo nuk është përgjegjësi e Shtabit të Përgjithshëm", tha ai. Mësohet se Ardian Mullai, një nga përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë nënshkrimit të kontratës për shitjen dhe demontimin e armëve në Gërdec, ka dhënë shpjegime para prokurorëve edhe për urdhrin e datës 25 prill 2007 të ministrit të Mbrojtjes, që në momentin e përgatitjes së tij nuk ka kaluar përmes Shtabit. Sipas burimeve konfidenciale, Mullai ka deklaruar se ka zbatuar vetëm urdhrat, duke mos komentuar detajet e tjera. Detajet janë servirur në prokurori nga ushtarakët. Ata kanë pohuar se ish-ministri Fatmir Mediu ka shmangur Shtabin e Përgjithshëm nga vendimmarrja për përgatitjen e urdhrit që përcaktoi vendin për ndërtimin e fabrikës. Ushtarakët kanë firmosur në procesverbalet e prokurorisë se ky urdhër ka kaluar vetëm përmes drejtorive të ministrisë dhe jo të Shtabit, ndërsa më pas i është drejtuar Shtabit me shënimin "Për Veprim".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›