Berisha mbron ligjin e SHISH në grupin e PD
Me gjithë reagimin e faktorit ndërkombëtar, maxhoranca është e vendosur të mbrojë variantin e saj për ndryshimet në ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Ka qenë Kryeministri Sali Berisha i cili ka vlerësuar draftin që po diskutohet së fundi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i maxhorancës është shprehur se ligji është sipas të gjitha standardeve të kërkuara nga NATO dhe Bashkimi Evropian. "Ligji plotëson të gjitha kriteret e institucionet ndërkombëtare", mësohet të ketë thënë kreu i Qeverisë para grupit të shumicës parlamentare. Në të njëjtën kohë, Berisha mësohet t'u ketë kërkuar deputetëve që të lobojnë që përfaqësuesit e opozitës të vijnë në komision gjatë diskutimit të ligjit në mënyrë që drafti të bëhet sa më transparent. Por Kryeministri nuk është shprehur nëse ky variant do të kalojë në seancën parlamentare të 18 marsit, ashtu siç edhe është parashikuar në Konferencën e kryetarëve. Zyra e shtypit e Kuvendit bën të ditur se sot në orën 10.00 do të mblidhet Komisioni i Sigurisë Kombëtare, i cili do të vazhdojë diskutimin e lënë nga dje lidhur me ndryshimet në ligj. Duke iu referuar rregullores së Kuvendit, sipas të cilës një ligj hyn në seancë jo më herët se 48 orë pas miratimit në komision, maxhoranca duket se do të vendosë në minutën e fundit nëse në seancën e së enjtes kjo pikë e rendit të ditës do të jetë apo do të hiqet.