Delijorgji në gjykatë, për paratë e gjobës së doganave
TIRANE - Kompania “Përparimi”, pronë e Mihal Delijorgjit, të burgosurit për tragjedinë e Gërdecit, i është drejtuar gjykatës së Tiranës për tërheqjen e një shume parash që ka ngrirë në bankë 9 vite më parë për efekt të një gjobe doganore. Kërkesa për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, i është dorëzuar gjyqtares që e ka shqyrtuar këtë çështje 5 vjet më parë dhe që i ka dhënë të drejtë kompanisë së Delijorgjit. Mesditën e së premtes kjo gjyqtare ka vendosur të lëshojë urdhrin e ekzekutimit duke i hapur rrugë kompanisë “Përparimi” për të tërhequr sërish shumën që ka lënë peng në vitin 2001. Në vendimin e shpallur në nëntor të vitit 2005, gjykata e Tiranës shprehet se “Përparimi” i është drejtuar togave të zeza për shfuqizimin e dy gjobave të vëna nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, më 1 shtator 2005. Gjithçka ka nisur më 2 janar 2001 kur inspektorët e Doganës së Durrësit kanë kryer kontroll në magazinat e kësaj kompanie duke penalizuar me gjobë në 1.140.944 lekë të rinj, për shmangie të mbikëqyrjes doganore. Kompania e ka ankimuar në mënyrë administrative gjobën, për të cilën më 11 shkurt të vitit 2002 është vendosur ulja e vlerës së saj në 200 mijë lekë të rinj. Më 14 shkurt inspektorët kanë kryer kontroll tjetër në magazinat e kësaj kompanie dhe kanë penalizuar Delijorgjin me një gjobë të dytë në vlerën e 31.492.864 lekësh të rinj për shmangie të detyrimeve doganore. Pas kësaj Delijorgji u ankua në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e cila më 12 qershor 2002 e shfuqizoi penalizmin për të. Por, tre vjet më vonë, në 9 shtator 2005 Delijorgji mëson se Drejtoria e Doganave kishte shfuqizuar të dy vendimet që e “falnin” atë duke i kërkuar pagimin e gjobave. I ndodhur përballë këtij fakti Delijorgji, pasi ka ngurtësuar 40% të vlerës së gjobave, rreth 130 milionë lekë, i është drejtuar gjykatës së Tiranës, e cila pas shqyrtimit i ka dhënë të drejtë. “Gjykata çmon se aktet administrative të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin, konkretisht me nenin 123/1 të Kodit të Procedurës Administrative, në të cilin thuhet se: ‘Aktet administrative të pavlefshme mund të revokohen ose shfuqizohen vetëm për shkak të pavlefshmërisë dhe brenda afatit kohor të caktuar për ankimin gjyqësor’”, thuhet në vendimin gjyqësor, ku më tej argumentohet se dy dokumentet që i ulnin njërën gjobë Delijorgjit dhe i falnin tërësisht tjetrën, nuk ishin konsideruar asnjëherë të pavlefshme dhe se ishin revokuar jashtë afatit ligjor.