Vrasja e trajnerit, një i ndaluar
Etleva DeliaNë mesin e 20 personave të shoqëruar pas vrasjes në Kamëz të ish-atletit Hasan Rakipi, një prej tyre është arrestuar paraprakisht me akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Avni Goca, pronari i lokalit pranë të cilit ndodhi ngjarja është ndaluar nga policia. Kontrolli i ushtruar në banesën e tij, zbuloi rreth 100 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, të cilët i mbante pa leje. Ndërkohë ai ishte i ndaluar në polici, ku u morr në pyetje për vrasjen e trajnerit dhe kaq ka mjaftuar për mbajtjen e tij në arrest. Sipas policisë, 54-vjeçari Avni Goca do të mbahet në qelitë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për t’u hetuar edhe për vrasjen e trajnerit Hasan Rakipi. Policia tregoi se gjatë deklarimeve që Avni Goca dha pas shoqërimit në Komisariatin nr.5, u dalluan disa mospërputhje me dëshmitë e familjarëve të tij, të cilët ishin pyetur dje pas arrestimit të 54-vjeçarit. Gjatë dëshmisë në polici, Avni Goga ka deklaruar se në momentin kur ka ndodhur vrasja ndodhej brenda në lokal dhe nuk ka parë asgjë. Ndërkohë familjarët e tij, janë shprehur se në orën kur u vra ish-atleti, pronari i lokalit Avni Goca ndodhej në shtëpi. Kjo mospërputhje në deklarime, është bërë shkak që policia të hetojë në adresë të 54-vjeçarit në lidhje me vrasjen e ndodhur para lokalit të tij në Kamzë. Policia sqaron se ende nuk është konfirmuar ndonjëri nga variantet, ai i dhënë nga Avni Goca apo thëniet e familjarëve të tij, megjithatë hetuesit besojnë se pas mospërputhjes fshihet diçka. Familjarët duke dashur “ta shpëtojnë” nga prangat të afërmin e tyre, kanë pohuar një alibi, e cila është hedhur poshtë menjëherë duke qenë se vetë Avni Goca kishte pohuar të kundërtën më parë gjatë dëshmisë në polici. Fishekët e kalibrave të ndryshëm që janë gjetur në banesën e pronarit të lokalit pranë të cilit ndodhi vrasja, janë dërguar në Laboratorin e Kriminalistikës. Ata do të krahasohen me gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, nëse ndonjë prej fishekëve mund të ketë kalibër të njëjtë me plumbat, që i morën jetën ish-atletit 56-vjeçar të Dinamos. Të shoqëruarit për vrasjenDhjetëra persona të shoqëruar në polici menjëherë pas vrasjes së trajnerit të atletikës, edhe pse kanë qenë fare pranë vendit të ngjarjes, kanë mohuar të kenë identifikuar autorët e krimit. Dëshmitarët janë justifikuar me faktin që në ato momente nuk kishte energji elektrike dhe errësira i ka penguar që të dallojnë autorin, apo autorët e vrasjes. E megjithatë, disa nga të shoqëruarit, të cilët janë banorë që njohin pronarin e lokalit Avni Goca, dashur pa dashur kanë dhënë një shpjegim të mundshëm rreth ngjarjes. Gjatë deklarimeve të tyre ata kanë treguar për oficerët e policisë se viktima Hasan Rakipi, disa muaj më parë ishte grindur me pronarin e lokalit, pranë kompleksit ku ai stërviste ekipin e futbollit, sepse Avni Goca e kishte akuzuar për një marrëdhënie problematike me një të afërm të tij. Rakipi e kishte mohuar në mënyrë kategorike këtë akuzë që i bënte Avni Goca, madje për disa kohë ky debat u shoqërua me hatërmbetje mes njëri-tjetrit. Nga ai moment nuk ka pasur më debate mes Gocës dhe Rakipit, por vihej re që marrëdhënia e tyre ishte ftohur. Policia sqaroi se janë në verifikim e sipër të kësaj pjesë të deklarimeve të dhëna nga disa të shoqëruar, por njëkohësisht me këtë po hetohet edhe një konflikt i mundshëm i lindur në punën e viktimës si trajner.Familja: Nuk kishte konflikte me njeriTIRANE - Familjarë dhe të afërm të Hasan Rakipit, i cili mbeti i vrarë dy ditë më parë në Kamzë, ende nuk i kanë vënë një “emër” kësaj që ka ndodhur. Asnjë prej tyre nuk mund të japë një shpjegim për vrasjen, pasi sipas tyre nuk ekziston asnjë motiv. Kunata e trajnerit Hasan Rakipi në një prononcim për gazetën shprehet se 56-vjeçari nuk ka pasur asnjëherë konflikte me askënd, ka qenë tip i qetë dhe që nuk ka krijuar asnjëherë situata me njerëzit që kishte marrëdhënie pune, ku të kishte hatërmbetje apo pakënaqësi. Familjarët e tij mohojnë në mënyrë kategorike që Hasan Rakipi të ketë pasur ndonjë problem që mund t’i kushtonte jetën. “Edhe nëse ai kishte ndonjë debat, gjithnjë për punë pune, Hasani e zgjidhte me qetësi dhe asnjëherë nuk kishte konflikte me njerëzit me të cilët e lidhte puna, apo edhe të njohur të tjerë”, shprehen të afërmit e tij. Sipas tyre kjo që i ndodhi Hasan Rakipit është e pashpjegueshme, aq sa herë pas here ata mendojnë se mund ta kenë ngatërruar me ndonjë tjetër. Por nëse mund të ekzistonte vërtet ndonjë motiv për ta vrarë Rakipin, familjarët tregojnë vetëm ndonjë, person që 56-vjeçari ka refuzuar t’i marrë fëmijën për stërvitje, mund të ketë reaguar në këtë mënyrë. Sepse sipas tyre Rakipi si trainer i rastiste të përballej me njerëz të ndryshëm, që kërkonin me ngulm t’i stërvitnin fëmijët e tyre në ekipin e të rinjve. e.d