E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji, ortak me vajzën e Fahri Balliut

TIRANË- Mihal Delijorgji, i akuzuari kryesor si shkaktari i tragjedisë së Gërdecit ka ende firma të shpërndara në Shqipëri, të cilat vazhdojnë që të punojnë.

Kompania është "Trans Digging Construction" dhe Delijorgji është aksioner së bashku me vajzën e Fahri Balliut, një prej njerëzve të afërt dhe "këshilltarët" e kryeministrit Berisha. Aksioner tjetër është edhe vëllai i Mihal Delijorgjit, Kristo.

Firma është themeluar në vitin 2006 por vetëm pak ditë më parë dy prej aksionerëve kanë lënë pjesën e tyre duke ia dhuruar aksionerëve të tjerë. Kjo firmë vazhdon që të jetë edhe aktive dhe të kryejë punime. Edhe pse prokuroria ka pohuar se ka sekuestruar të gjitha pronat e Mihal Delijorgjit, në rastin konkret kjo gjë nuk ka ndodhur.


Madje Mihal Delijorgji ka përfshirë edhe të vëllanë në këtë firmë duke i dhënë aksione të barabarta. Pas largimit të dy prej aksionerëve themelues, njëkohësisht njëri prej tyre edhe administratori i kompanisë, mbetën aksionerë dy vëllezërit Delijorgji dhe vajza e Fahri Balliut, Henris Balliu.

Mihal Delijorgji ndodhet ende në burg, në pritje të nisjes së procesit gjyqësor kundër tij dhe gjatë kësaj kohe pjesa e tij në kompani është administruar nga i vëllai. Ky i fundit ka kryer të gjitha veprimet si dhe ka dhënë pëlqimin e tij për hyrjen e aksionarit tjetër, i cili do të ketë 40% të aksioneve.


Kjo është një nga të paktat firma ku Mihal Delijorgji rezulton realisht aksioner. Në raste të tjera ai është regjistruar si administrator e jo pronar. Prokuroria e Përgjithshme, e pyetur në lidhje me këtë rast, ka pohuar se nuk ka kryer ende asnjë veprim kundrejt "Trans Digging Construction".

Hetuesit e çështjes janë justifikuar se nuk kanë mundur që të marrin materialin e saktë nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.
"Ne kemi marrë dijeni për këtë rast.

Të dhënat tona tregonin se Delijorgji ishte aksioner dhe kemi nisur hetimin përkatës. Një ndër veprimet ishte marrja e të dhënave nga QKR dhe pikërisht këtu ka mbetur hetimi. Ende nuk kemi kryer asnjë veprim konkret",- thanë burimet e grupit hetimor të çështjes.


Firma "Trans Digging Construction" është regjistruar në shkurt të vitit 2002 në Gjykatën e Tiranës me pesë aksionerë, të cilët kishin pjesë të barabarta. Kapitali themeltar i saj do të ishte 100 mijë lekë. Aksionerët ishin Mihal Delijorgji, me 20%; vëllai i tij, Kristo Delijorgji po me 20%; Henris Balliu, Martin Mata dhe Ervin Mata, të gjithë me nga 20% të aksioneve.

Sipas aktit të themelimit, aktiviteti i firmës do të ishte gërmimi i tokës me qëllim ndërtimin e objekteve të banimit dhe veprave të ndryshme ndërtimore si dhe transportimi i dherave të gërmimeve të tokës dhe inerteve. "Shoqëria do të ushtrojë aktivitetin e saj për një periudhë kohore të pa kufizuar dhe administrator do të jetë Z. Ervin Mata",- thuhet në vendimin e regjistrimit në gjykatë të "Trans Digging Construction" si person juridik.

Sipas kontratës së themelimit të shoqërisë, ortakët mund të marrin pjesë në kompani apo shoqëri të tjera por me kushtin që të mos ishin kompani rivale. Në kontratë është përcaktuar se organi që do të bëjë edhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve do të jetë Gjykata e Tiranës. Kjo shoqëri është përcaktuar si SH.P.K që ndan fitimet dhe humbjet në bazë të shumës së aksioneve që ka gjithsecili.

Largimi
Administratori dhe një aksioner falën aksionet

Kompania "Trans Digging Construction" ka kryer aktivitetin e saj për tre vjet dhe veprimi i fundit i regjistruar është largimi i dy prej aksionerëve. Në kontratën e themelimit të saj thuhet se "ortakët mund të heqin dorë, por gjithmonë për shkaqe të përligjura. Heqja dorë nuk i shkarkon ortakët nga detyrimet e shoqërisë deri në momentin e heqjes dorë. Në rastin e heqjes dorë ata mund t'ia ofrojnë pjesën e tyre të kapitalit ortakëve të tjerë , në bazë të të drejtës së parablerjes dhe me refuzimin e tyre, mund t'ia ofrojnë këtë pjesë ndonjë personi tjetër". Këtë gjë kanë kryer më datë 16 shkurt administratori Ervin Mata dhe Martin Mata. Ata kanë kërkuar që të heqin dorë nga aksionet e tyre në kompani duke ia dhuruar ato një personi tjetër, e cila nuk ka lidhje me shoqërinë. Pëlqimi për këtë person është dhënë më datë nëntë shkurt 2009 nga aksionerët e tjerë të kompanisë "Trans Digging Construction". Me pranimin e dhurimit, aksionarja e re është bërë pronare e 40% të aksioneve por edhe të gjitha detyrimeve që rrjedhin prej saj.

Padia civile


Mihal Delijorgji dhe kunati i tij, Dritan Minxholli do të gjykohen edhe nga një padi civile në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Në padi kërkohet që personi apo subjekti juridik t'i paguajë dëmet e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec.

Vlera monetare që kërkohet të paguhet, është ajo e nxjerrë nga Komisioni i Vlerësimit të Dëmeve që prokuroria tashmë e ka bërë të ditur dhe që është rreth 2.2 miliardë lekë të reja, afërsisht 16 milionë euro. Kjo shumë tashmë është paguar nga autoritetet, ndaj të dëmtuarve nga shpërthimi.

PASOJAT


Sipas prokurorisë, nga hetimi 12- mujor i dosjes është provuar se ngjarja e 15 marsit 2008 ka shkaktuar vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31 personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm personash të tjerë.

Ndërsa, si pasojë e shpërthimit, në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore. Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vlerësimi paraprak, i akt-ekspertimit kontabël të datës 16 prill 2008, të Entit Kombëtar të Banesave, kap vlerën e 2.039.216.418 lekë të reja apo rreth 16 milionë euro

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›