Miku i Hoxhës: Remziu la Kosovën t'i shpëtonte UDB-së
Dy ish- agjentë të SHIK-ut, dëshmojnë arratisjen e Avdyl Loshajt nga godina e shërbimit sekret të degës së Tiranës
Në procesin ndaj ish- krerëve të SHIK-ut, ka dëshmuar edhe ish- kryesocialisti i Sarandës: Kristopulli, me shenja dhune në trup
TIRANE- Katër persona kanë dhënë dëshminë e tyre dje përballë Gjykatës së Krimeve të Rënda në lidhje me zhdukjen e tregtarit shqiptaro maqedonas, Remzi Hoxha në vitin 1995, krim për të cilin akuzohet ish- drejtori i SHIK-ut të kryeqytetit dhe tre ish- vartës të tij.
Mes dëshmitarëve të thirrur dje nga gjykata, ka qenë ish- sekretari i Përgjithshëm i Sindikatave të Kosovës, Bazri Hyka, njëkohësisht mik i ngushtë i Remzi Hoxhës.
Ai ka pohuar se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Remzi Hoxha, ishte ndjekur nga shërbimi sekret jugosllav, UDB-ja dhe për këtë ishte deyturuar të largohej në drejtim të Shqipërisë për të shpëtuar.
Ai dëshmoi për Gjykatën e Krimeve të Rënda se e kishte marrë vesh, rrëmbimin e Remzi Hoxhës, nga Avdyl Loshaj, personi tjetër që pretendohet se....................................... së bas është rrëmbyer nga SHIK-u në vitin 1995, bashkë me Hoxhën dhe Ziso Kristopullin.
Sipas Hykës, ai ishte takuar me Loshajn në vitin 1997, në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë. Gjatë këtij takimi, sipas dëshmitarit, Loshaj i kishte rrëfyer, se Remzi Hoxha ishte mbajtuar i izoluar dhe ishte keqtrajtuar në një nga bazat e SHIK-ut, (aktualisht SHISH).
Pas dëshmisë së mikut të Hoxhës, Bazri Hyka, ka dëshmuar ish- kreu i Partisë Socialiste të Sarandës, Astrit Llanaj. Ky i fundit rrëfeu një moment të një takimi të tij që kishte pasur me Ziso Kristopullin, pasi ky i fundit kishte dalë nga izolimi ku ai mbahej në Vain të Lezhës.
Në këtë vend pretendohet nga prokuroria se janë mbajtur dhe keqtrajtuar tre të dëmtuarit, Remzi Hoxha, Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj.
Sipas dëshmisë së ish- kryesocialistit, ai kishte parë Kristopullin, të kishte shenja dhune në trup, ndërsa kishte mësuar se ai sapo kishte dalë nga izolimi ku ishte mbajtur.
Pas dëshmisë së Llanajt, seanca e djeshme ka vijuar me marrjen e dëshmive të dy ish- agjentëve të Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), Petraq Xhorxhi dhe Anesti Selimi të cilët në kohën që ka ndodhur zhdukja e Hoxhës, kanë qenë efektivë të SHIK-ut të Tiranës.
Dëshmia e tyre kishte të bënte më shume me largimin nga drejtoria e SHIK-ut të Tiranës e Avdyl Loshajt, ku ai mendohet se po merrej në pyetje. Sipas dëshmisë së tyre, ishte hedhur nga kati i dytë i godinës së SHIK-ut ku po mbahej, nga policia. Edhe pse ata treguan këtë fakt, ish- agjentët e SHISH-it, nuk dhanë detaje të tjera mbi rrethanat e largimit.
Ata pohuan se nuk kanë qenë dëshmitarë okularë të kësaj ngjarjeje dhe se për këtë shkak nuk kishin shumë dijeni mbi këtë situatë. Në dëshmitë e seancave të ardhshme pritet të dëshmojnë edhe ish- efektivë dhe funksionarë të tjerë të SHIK-ut, në lidhje me këtë histori.
Në procesin e zhdukjes së tregtarit Remzi Hoxha, janë katër ish-punonjës të SHIK-ut, 94- 97, Arben Sefgjini në rolin e ish- drejtorit të SHIK-ut, për Tiranën, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi, Budjon Meçe.
Ata akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, afro 14 vjet më parë në Tiranë. Trupi i këtij të fundit edhe sot e kësaj dite mbetet mister përsa i përket vendndodhjes së mundshme të tij. Veç rrëmbimit e zhdukjes së Hoxhës, katër personat akuzohen edhe për rrëmbimin e shtetasve Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj.