Ekzekutohet gabimisht babai i dy fëmijëve
Vrasja/ Policia bëri të ditur se Nadir Quku u vra për shkak të ngjashmërisë së madhe me objektivin e vrasësve
Janë shpallur në kërkim vëllezërit Ilir e Basri Baba, djem të kreut të këshillit bashkiak të Vaut të Dejës
SHKODËR - Ngjashmëria në strukturë dhe në veshje me objektivin ka qenë shkak për vrasjen e Nadir Qukut në orët e vona të së hënës në qytetin e Shkodrës. 40-vjeçari nuk ka pasur asnjë konflikt me persona të tjerë, por qenia në vendin e gabuar, në kohën e gabuar, si dhe ngjashmëria që ai ka pasur me objektivin e vrasësve, ka bërë që plumbat t'i drejtoheshin atij.
Të paktën, ky është versioni zyrtar i dhënë nga policia e Shkodrës mëngjesin e së hënës, rreth 12 orë pas ekzekutimit të 40-vjeçarit para një lokali në Dugajët e Reja, në rrugën pedonale.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dy autorët që rezultojnë të jenë vëllezër e njëkohësisht djem të kreut të këshillit bashkiak të Vaut të Dejës. Ilir dhe Basri Baba, përkatësisht 38 dhe 30 vjeç, janë lindur dhe banues në fshatin Mjedë.
Dy vëllezërit mësohet se zotërojnë një lokal-disko rreth 100 metra larg vendit ku u ekzekutua Nadir Quku. Në lokalin e tyre, mbrëmjen e së hënës vëllezërit Baba janë konfliktuar me shtetasin N.Harusha. Si rrjedhojë i kanë kërkuar atij që të mos shkelte më në ambientin që zotëronin.
Por, edhe të nesërmen ka pasur sërish konflikt për shkak se, siç duket, Harusha nuk i është bindur kërkesës së tyre dhe është paraqitur në diskon e vëllezërve. Pas grindjes ai është larguar për t'u ulur në një lokal në rrugën pedonale. Në të njëjtin lokal ndodheshin edhe persona të tjerë, si dhe 40-vjeçari Nadir Quku, i cili kishte mbaruar darkën dhe po pinte.
Rreth orës 22:20, vëllezërit Baba kanë shkuar para lokalit ku e dinin se ndodhej personi me të cilin ishin konfliktuar dhe e kanë qëlluar. Por, duke qenë se kanë qëlluar që jashtë, kanë ngatërruar objektivin e tyre, për shkak se 40-vjeçari kishte një veshje të ngjashme me Harushën.
Si rrjedhojë, plumbat i janë drejtuar atij, duke i marrë jetën. Ndërkohë, të gjithë personat e tjerë që ndodheshin në lokal, janë larguar të tmerruar përfshi këtu edhe Harushën.
Në polici, objektivi i sulmit të vëllezërve Baba ka deklaruar se është grindur me dy vëllezërit nga Mjeda dhe ata kishin dashur ta vrisnin. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 8 gëzhoja pistolete model 54 dhe tre gëzhoja pistolete model 56.
Dyshohet se njëra prej armëve ka pasur silenciator. Ndërkohë bëhet e ditur se viktima, baba i dy vajzave të mitura, nuk ka pasur konflikt me ndonjë person dhe kishte shkuar në lokal për të pirë diçka pasi kishte ngrënë bukë.
Ai është përcjellë të martën për në banesën e fundit. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje janë djemtë e kryetarit të këshillit bashkiak të Vaut të Dejës, Myftar Baba. Akuza e ngritur ndaj tyre është "vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim", "vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim" dhe "armëmbajtje pa leje".