Çifti në makinë, grabitet me armë
Fundjavën e kaluar, dy persona grabitën një çift thuajse në të njëjtin vend në kërcënimin e armëve
Dy persona të maskuar dhe me armë grabisin një tjetër çift te ish-fusha e Aviacionit". Mbrëmjen e së hënës, vetëm dy ditë pasi u grabit një çift, persona të armatosur dhe të maskuar kanë mundur të vjedhin te ish-fusha e Aviacionit në Tiranë, një 30-vjeçar i cili ndodhej në makinën e tij i shoqëruar nga një vajzë.
I dëmtuari Florian Hysa lajmëroi menjëherë policinë e cila u vu në lëvizje për të identifikuar dhe kapur autorët. Në deklaratën e tij Hysa tregoi se autorët ishin dy persona të moshës 18-20 vjeç të maskuar dhe me armë.
Ata munden t'i vidhnin një shumë prej 180 mijë lekë të vjetra si dhe tre telefona celularë. Burime nga policia thanë se dyshohet se dy autorët e grabitjes së Hysës mund të jenë të njëjtët e çiftit që u vodh me dhunë mbrëmjen e së shtunës në po të njëjtin vend.
Grabitja
Mbrëmjen e së hënës, 30-vjeçari Florian Hysa kishte ndaluar automjetin te ish-fusha e Aviacionit në Tiranë dhe po qëndronte bashkë me një vajzë e cila mësohet se është studente. Kur kishin vetëm pak minuta që ndodheshin në makinë, dy persona e kanë detyruar 30-vjeçarin të hapë derën e automjetit.
Të armatosur dhe me maska, dy djemtë detyruan Hysën t'iu jepte paratë që kishte me vete dhe sendet personale. Kështu rreth 180 mijë lekë të vjetra dhe tre telefona celularë kanë përfunduar në duart e dy personave të cilët u larguan me shpejtësi në këmbë.
Fill pas grabitjes, i dëmtuari denoncoi ngjarjen te oficerët e seksionit të luftës kundër vjedhjeve me armë e dhunë. Këta të fundit thanë se në polici ka mbërritur vetëm Florian Kulla sipas të cilit autorët kanë qenë dy persona të moshës 18-20 vjeç dhe nga dialekti duket se ishin nga jugu i vendit. 'Janë shoqëruar disa persona por policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve.
Dyshohet se të dyja grabitjet e kryera brenda 48 orëve kanë të njëjtët autorë. Kjo gjë ka detyruar policisë të instalojë disa patrulla shërbimi në atë zonë pasi grabitjet po ndodhin gjatë mbrëmjes kur zona është ende e populluar duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve",- thanë për "Shekullin" burimet policore.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------
Të burgosurit, punë me pagesë jashtë burgut.
Të burgosurit në burgjet e vendit do të kenë mundësi të punësohen si brenda burgut ashtu dhe jashtë tij. Rregullorja e re e burgjeve e cila ka përfunduar ka parashikuar një kapitull të veçantë për punësimin e të burgosurve.
Kështu të gjithë ata të dënuar që dëshirojnë të punojnë gjatë kohës së kryerjes së dënimit fillimisht duhet të bëjnë një kërkesë, e cila i drejtohet drejtorit të burgut.
Të burgosurit do të punësohen duke lidhur kontratën e punës me drejtuesit e burgjeve , ose mund të punësohen dhe jashtë vendit të vuajtjes së dënimit, kur personi nuk paraqet një rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ajo që është më e rëndësishme për punësimin e kësaj kategorie, shpërblimi i punës, është përcaktuar të mos jetë më i vogël se pagat minimale të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
Paga që do të marrin të dënuarit do të përfshijë: të ardhurat që administrata e burgut ka të drejtë t'i japë një të dënuari që është i punësuar, shuma për detyrime ndaj sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si shuma personale që ruan i burgosuri në llogarinë e tij personale.
Familjarët e të burgosurve mund të disponojnë të ardhurat që kanë të afërmit e tyre në llogaritë personale dhe kjo mund të ndodhë vetëm në rastet kur autorizohen nga të burgosurit. Për vlerësimin e punës së të burgosurve do të ngrihet një komision i veçantë, që do të jetë pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.