E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji përsërit akuzën: Mediu ngriti Gërdecin

Avokati Maks Haxhia, dje në gjykatë pohoi se vonesa e kamionëve të SAC-it shkaktoi shpërthimin në Gërdec


Sipas mbrojtësit të bosit të Albademil, prokuroria ka lënë jashtë hetimit zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtes dhe SAC


TIRANË- Pas avokatit të Luan Hoxhës, edhe avokati Maks Haxhia, mbrojtësi Mihal Delijorgjit, një nga të pandehurit kryesorë për shpërthimin me pasoja të rënda në Gërdec, fajësoi me të njëjtin ton ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si përgjegjësin kryesor për këtë tragjedi.


"Klienti im Mihal Delijorgji është i pafajshëm dhe nuk është ai përgjegjësi për pasojat si në njerëz ashtu edhe dëme materiale të ardhura nga shpërthimi në Gërdec.

Ministria e Mbrojtjes dhe drejtuesit e saj iniciuan hartimin e ligjit për demontim të municioneve, e dërguan atë në qeveri e më pas në Parlament dhe e zbatuan. Ministria e Mbrojtjes përgatiti të gjitha procedurat që nga tenderi për këto demontime e deri te caktimi i vendit për këtë çështje. Ministria e Mbrojtjes ngarkoi MEICO-n, institucionin në varësi të saj për të kryer të gjithë projeketet për demontimin e municioneve.


Ministria e Mbrojtjes dhe MEICO, hapën tenderin dhe caktuan firmën amerikane SAC, si fituese për demontimin,- tha avokati Haxhia në fjalën e tij, gjatë ditës së djeshme. Në këtë mënyrë ai ia kaloi të gjithë përgjegjësinë Ministrisë së Mbrojtjes dhe drejtuesve të saj. Sipas Haxhisë, në asnjë rast emri i Mihal Delijorgjit nuk ka të bëjë me të gjitha këto veprime.


"Në momentin që SAC-i fitoi tenderin për demontim, Ministria e Mbrojtjes kishte caktuar ish-repartin e tankeve në Gërdec si vend për të kryer këtë aktivitet.


Kompania SAC kërkoi një kompani shqiptare të specializuar për skrapin dhe këtu fillon dhe hynë në lojë Mihal Delijorgji, i cili bashkë me përfaqësuesin e SAC-it, Patrik Henry, hapën kompaninë "Albademil". Me hapjen e saj u ndanë edhe aksionet mes tyre, ku Delijorgji përfitonte mbetjet metalike nga demontimi dhe kishte 67 % të aksioneve. Kompania amerikane SAC përfitonte barutin dhe kishte 33 % të aksioneve",-tha avokati Haxhia.


Më tej ai akuzoi prokurorinë për shmangie nga hetimi të drejtuesve dhe kompanisë SAC dhe punonjësve të saj në Gërdec. Sipas avokatit të Delijorgjit, përgjegjësia direkte e pasojave të shpërthimit, bie ndaj drejtuesve të kompanisë SAC, që ishte vonuar në tërheqjen e barutit të fituar nga demontimi i municioneve, e që ishte depozituar në sasi të mëdha në Gërdec.


"Ditën e ngjarjes, kompania SAC, ishte vonuar me trajlerat e saj për të tërhequr barutin e grumbulluar nga demontimi i municioneve në Gërdec. Ajo nëpërmjet një firme transporti nga Izraeli e eksportonte barutin nga Shqipëria në Belgjikë për përpunim civil,- tha Haxhia, ndërsa e cilësoi klientin e tij si viktimë të presionit mediatik në vend.


Të pandehurit


Delijorgji, Margariti, Minxholli e "Albademil", duan gjykim të shkurtuar
Po dje, avokatët e Delijorgjit, Dritan Minxhollit dhe Juliana Margaritit përsëritën kërkesën për gjykim të shkurtuar, e cila u rrëzua sërish nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Ridvan Hado.


Po në seancën e djeshme, parashtruan provat dhe kërkesat hyrëse edhe avokati i të pandehurës Juliana Margariti, i cili e cilësoi klientin e tij të pafajshëm për akuzat, ndërsa për marrjen me cilësinë e të pandehurit si person juridik të kompanisë "Albademil", avokati i kësaj kompanie e cilësoi të palogjikshëm juridikisht marrjen e një personi juridik si i pandehur në këtë rast. Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet edhe të avokatit Delijorgji u tërhoq për vendim, për ta shpallur pas dy ore.


Por, me kthimin e gjyqtarëve në sallën e gjyqit u konstatua se mungonin disa nga avokatët e çështjes, çka detyroi gjykatën të caktojë ditën e hënë ora 10:00 vazhdimin e këtij procesi gjyqësor ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit të ndodhur më 15 mars 2008.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›