E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indrit Aliu, mashtron grekët, u thotë se ishte Sokol Shehu

20/11/2009  U grabiti 4 milionë euro qytetarëve

TIRANE- Indrit Aliu, që në Shqipëri cilësohet si një nga njerëzit më supermashtrues, ka mundur që zanatin e tij ta verë në zbatim edhe në territorin grek, vend në të cilin ai ka arritur t’ia hedhë disa herë policisë helene. Nga mashtrimet që ai kryente nuk përfitonte shuma financiare, por në kryeqytetin helen Athinë ai fitonte lirinë e tij, pasi sa herë që ai ndalohej nga policët grekë, i kërkuari Aliu u thoshte atyre se është shtetasi Sokol Shehu dhe për të vërtetuar këtë, ai u nxirrte një pasaportë të falsifikuar. Nëpërmjet këtij emri të rremë, Indrit Aliu lëvizte i qetë në rrugët e Athinës, derisa një grup agjentësh të Interpol Athinës, kishin marrë informacione se personi që kishin ndaluar disa herë nuk është Sokol Shehu, por i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare Indrit Aliu. Të ndodhur në këto kushte, efektivat e policisë helene kanë shkuar menjëherë në shtëpinë ku fshihej 25-vjeçari, i cili prej kohësh mbahej nën vëzhgim. Ata kanë shoqëruar në polici Indrit Aliun, ku pas verifikimeve dhe shkëmbimit të informacione Athinë-Tiranë, rezultoi se personi i ndaluar është një nga personat që akuzohet nga Prokuroria e Tiranës, për veprën penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”. Aktualisht Ministria e Drejtësisë ka filluar proceduarat, në mënyrë që mashtruesi Indrit Aliu, të ekstradohet sa më shpejt në Shqipëri, ku dhe do të japë llogari lidhur më skemën e mashtrimit të disa biznesmenëve të njohur. Nga përllogaritjet që kanë kryer ekspertët e Prokurorisë së Tiranës, rezulton se si pasojë e mashtrimeve të shumta, Aliu ka mundur të përfitojë rreth 4 milionë euro. Kallëzimi i parë ndaj Aliut është dorëzuar nga një firmë ndërtimi, e cila kishte fituar tenderin për kryerjen e rikonstruksionit dhe rehabilitimit të rrugës Sinanaj-diga e HEC Kalivaç, komuna Lopes, qarku Gjirokastër, me vlerë të kontratës 7 milionë euro. Mësohet se nga kjo firmë Aliu ka përfituar rreth 500 mijë euro, të cilat i ka marrë me anë të mashtrimit dhe presionit se, nëse nuk paguanin, do të prishte kontratën. Gjithashtu, 25-vjeçari ka marrë një makinë nga kompanitë tregtare që operojnë në vend, të cilën nuk e ka paguar dhe as kthyer, por mendohet se e ka shitur e më pas është zhdukur. Prokuroria ka zbardhur edhe kallëzimin e një administratori të një kompanie, i cili kishte kontraktuar kompaninë e 25-vjeçarit për të kryer punimet e rrugës së fshatit Dishnicë me vlerë 70 milionë lekë, të komunës Bulgarec Korçë. Më pas po me anë të këtij administratori vlonjati Aliu ka nënshkruar kontrata për rikonstruksionin e Bashkisë së Librazhdit, si dhe për tre rrugë të tjera në Librazhd dhe komunën për rreth saj që kapnin shifrën e 1 milion eurove.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›