Delijorgji, sherr me ushtrinë në Gërdec
Armand Bajrami
Ish-ushtaraku i lartë, Zenel Kuçani, dhe ish-komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, dëshmuan dje në Gjykatën e Tiranës se si ndërmarrja MEICO u bë "zot" i ish-repartit ushtarak të Gërdecit, duke ia hequr ushtrisë nga duart këtë objekt. Kuçani si dëshmitar dhe Spahiu si i pandehur treguan rrethanat që u bënë shkak që ish-reparti i Gërdecit të kalonte në varësi të ndërmarrjes shtetërore MEICO. Sipas Zenel Kuçanit, ish-shef i Detashmentit të Mbrojtjes Ajrore, punimet për ndërtimin e fabrikës së demontimit të municioneve po krijonin probleme. Kuçani tha se punonjës të firmës private po konflikttoheshin me rojet ushtarake të repartit. Gjithashtu disa objekte të ish-repartit ishin shkatërruar. Për këtë, ai i kishte telefonuar ish- komandantit të Forcës së Bashkuar, duke i kërkuar që "ose ta marrin komplet ish-repartin, ose t'ia dorëzojmë MEICO-s". Në përfundim, dëshmia e tij u konfirmua nga i pandehuri në proces, Shpëtim Spahiu. Në një deklarim të lirë, i pandehuri Spahiu pranoi të kishte folur në telefon me Kuçanin dhe se fill pas kësaj, kishte kontaktuar drejtuesin e MEICO-s, Ylli Pinarin, për të caktuar "fatin" e ish-repartit të Gërdecit. Në seancën e djeshme, në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec, u dëgjuan 5 dëshmitarë.
I emëruar në detyrën e kreut të Detashmentit të Forcës Ajrore, në korrik të vitit 2007, Zenel Kuçani, tha dje se e kishte gjetur në ndërtim e sipër fabrikën e Gërdecit. "Gjatë qëndrimit aty unë konstatova se po vazhdonte puna për vendosjen dhe instalimin e makinerive. Si dokumentacion për këtë objekt kam gjetur një aktmarrëveshje mes Komandës së Forcës së Bashkuar dhe MEICO-s si dhe një kontratë qiraje mes tyre. Kontrata ishte për një sipërfaqe 200 metër katrorë dhe për një tjetër 20 metër katrorë. Kur shkova në ish-repartin e Gërdecit, pashë që ishin prishur 2-3 objekte të tij. Urdhërova vartësit e mi të fotografonin të gjitha objektet ekzistuese. Gjendjen e gjetur në objekte e pasqyrova me anë të një shkrese zyrtare te Komandanti i FB", - tha dëshmitari. Sipas tij, diskutimi mbi varësinë e ish-repartit kishte lindur pas shqetësimeve të përcjella nga vartësit e tij. "Një ditë nënoficeri Zylyftar Hadellari, i cili shërbente si roje në Gërdec, më mori në telefon. Me tha që kishte pasur një fishek në dorë brenda repartit. Për këtë ai kishte pasur një debat të fortë me përfaqësues të fabrikës. Për këtë shkova të nesërmen vetë dhe komunikova me nënoficerin Hadellari dhe me drejtuesin e fabrikës, Dritan Minxolli. Fola në celular me komandantin e FB, gjeneral Shpëtim Spahiun dhe i tregova gjendjen konkrete, duke i thënë që: 'Ose ta marrin me komplet ish-repartin, ose t'ia dorëzojmë MEICO-s'. Më tha që do të merrej me këtë punë. Pas një jave doli urdhri i ministrisë, i Komandës së Forcës së Bashkuar dhe i Komandës së Forcës Ajrore për kalimin kapital të ish-repartit MEICO-s", tha Kuçani.
Në një deklarim të lirë, i pandehuri Shpëtim Spahiu tha dje se në nëntor të 2007-ës ishte njoftuar nga Zenel Kuçana për një incident mes firmës private që punonte në ish-repartin ushtarak të Gërdecit dhe një nënoficeri. Gjithashtu, Kuçani i kishte pohuar se, MEICO e lë municionin ushtarak jashtë tokës së marrë me qira. Sipas Spahiut, në vijim ai i kishte kërkuar "llogari" drejtuesit të MEICO-s, Ylli Pinarit. Spahiu tha se referuar praktikës së MEICO-s, që nuk paguante qira në ambientet ushtarake, përveç Gërdecit, Pinari kishte refuzuar. "Atëherë i thashë që do të urdhëroja një togë ushtarësh të bllokonin hyrjen e fabrikës së Gërdecit dhe të mos lejonin askënd të futej brenda. Pinari më tha: 'E di që e bën, por më jep dy ditë kohë.'" tha Spahiu. Sipas dëshmitarit, pas dy ditësh u njoftua nga Ministria e Mbrojtjes se ishte firmosur kalimi kapital i ish-repartit të Gërdecit nga varësia e Komandës së Bashkuar në varësi të MEICO-s.
Ish-rojat e repartit: Luan Hoxha e takoi Delijorgjin në Gërdec
TIRANE - Tre nga nënoficerët, ish-roje në repartin ushtarak të Gërdecit, sqaruan dje momente të përçapjeve të para të ndërtimit të fabrikës së Gërdecit, shpërthimi i së cilës më 15 mars 2008 vrau 26 persona. Nazmi Shera tha se kishte lejuar vijim e punimeve në fabrikë, vetëm pasi ishte lidhur me komandantin e tij Asim Selmani. "Ai më tha t'i lejoja. Nuk e di nëse kishin autorizim apo jo", tha Shera. Në dëshminë e tij para gjykatës, Shera pohoi se gjatë kohës së shërbimit në repart kishte parë aty Mihal Delijorgjin, aktualisht i pandehur në proces. Gjithashtu dëshmitari përmendi edhe ardhjen e një "Benz"-i të zi nga Shtabi i Përgjithshëm. "Nuk e di se kush ishte brenda tij", pohoi Shera. Në përfundim të dëshmisë prokuroria i kundërshtoi pjesërisht atë. Sipas përfaqësuesve të akuzës, në prokurori Shera kishte pohuar se "me 'Benz'-in e zi erdhi Luan Hoxha. Ai takoi Delijorgjin, që kishte ardhur një orë më parë". Nënoficeri Dalip Kau tha para gjykatës se fytyrën e Mihal Delijorgjit e mbante mend që prej vitit 2006. "E mbaj mend kur vinte të merrte hekur për skrab në ish-repartin e tankeve në Gërdec, përpara se të ndërtohej fabrika e demontimit të municioneve". Ky fakt u pohua edhe nga dëshmitari Shera. Zylyftar Hatellari tregoi si ishte konfliktuar me rojet private të fabrikës së demontimit. Sipas tij, ai kishte kapur tre-katër fishekë në dorë, tek një arkë municionesh, teksa kryente shërbimin. Për këtë shkak ka debatuar ashpër me rojet private të fabrikës së demontimit. Hatellari tha se pak para se ish-reparti t'i kalonte MEICO-s, ai dhe kolegët e tij nuk ishin lejuar të futeshin në objekt. "Drejtuesit e fabrikës kishin urdhëruar rojet private të mos na lejonin në objekt", tha dëshmitari. ar.ba
"Bisedat me gjeneralët për punimet në Gërdec"
TIRANE - Dëshmitari Mehmet Metko, ish-shef i Shtabit të Brigadës Ajrore, tha dje se urdhri për lejimin e ndërtimit të fabrikës së Gërdecit i ishte dhënë nga eprorët e tij vetëm verbalisht. Metko tha se urdhri me shkrim, i premtuar në datën 28 prill 2007, nuk kishte ardhur të paktën deri në 14 maj 2007, kur ai ishte larguar nga ky post. Dëshmitari pohoi se punonjësit e paraqitur në Gërdec kishin pretenduar se kishin një urdhër. Ndërkohë që nën statusin që gëzonte, dëshmitari nuk kishte lejuar punimet, deri në një urdhër nga eprorët e tij.
"Në prill-maj 2007 kam qenë shef i Shtabit të Brigadës Ajrore në Selitë, detyrë që e kam mbajtur deri në 14 maj. Në periudhën e sipërcituar, ish-reparti i Gërdecit ishte vetëm pronë. Ruajtja ishte në varësinë të batalionit të Raketave në Maminas, i cili ishte në varësinë e brigadës. Më 28 prill jam vënë në dijeni nga komandanti i Batalionit, nënoficer Asim Selmani, se në Gërdec kishte ardhur një grup punëtorësh, të cilët kërkonin të ngrinin një objekt. E urdhërova të mos lejojë asnjeri në repart, pasi nuk isha në dijeni të ndonjë urdhri. Nisur nga kjo, fola me eprorin tim, gjeneralin Astrit Jaupi. I bëra të qartë situatën konkrete. Nga ana e tij, më tha që nuk dinte asgjë në lidhje me këtë problem. Më tha se do të kontaktonte me eprorët e tij. Pas 25-30 minutash, më telefonoi me celular Astrit Jaupi dhe më tha: 'Të lejohen punonjësit deri të hënën, se këtë ditë do të vijë urdhri me shkrim'. Nuk më tha ku e kishte marrë konfirmimin. Vetë nuk kam vajtur ndonjëherë në terren. Në 1 maj u emërova në Shtabin e Përgjithshëm. Fizikisht u shkëputa më 14 maj. Të hënën dhe më pas nuk na erdhi urdhri. Më ka informuar të hënën komandanti i batalionit se punonjësit po vijonin punën për në ish-reparti për ngritje objekti. I kërkova informacion me shkrim dhe më 10 maj 2007, në shkresën numër 346 i kërkova eprorit tim, gjeneral Astrit Jaupit, kërkesë për ardhjen e urdhrit me shkrim. Para datës 10 kam urdhëruar komandantin e batalionit për ndalimin e punimeve. Në datë 14 maj unë u shkëputa nga Brigade Ajrore dhe nuk di çfarë është bërë më pas", tha dëshmitari. ar.ba