E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trinomi i vështirë Greqi, Europë, Euro

Adrian CIVICI

Kriza greke duket se po re zulton më e madhe se sa përmasat ekonomiko-financiare të Greqisë në gjirin e zonës euro apo dhe vetë Bashkimin Europian. Fillimisht u mendua se i ndëshkuari kryesor prej saj do të ishte vetëm Greqia. Roli i BE-së apo ...vendeve të veçanta të saj shihej më shumë si një "mbështetje politike" e garanci institucionale, se sa "ndërhyrje direkte financiare për të shpëtuar financat publike greke". Aq më tepër, që edhe vetë qeveria greke dhe kryeministri Papandreu nënvizuan vazhdimisht se "Greqia mund ta përballonte e vetme" problemin e borxhit dhe deficitit të lartë publik të saj. Por, mënyra se si rrodhën ngjarjet, përtej shqetësimeve që vende si Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria apo Serbia shfaqën për pasojat negative që mund të reflektonte kriza greke në ekonomitë dhe tregjet financiare të tyre, evidentoi gjithashtu faktin se "kriza greke ndikoi e vazhdon të ndikojë shumë më gjerë se kaq. Bashkimi Europian u mobilizua thuajse totalisht në përballimin e pasojave të saj, Banka Qëndrore Europiane thuaje çdo ditë dha mesazhe e qëndrime që dëshmonin vëmendjen speciale që po i kushtonte kësaj çështje, vende si Gjermania, Franca, Anglia, etj., e bënë pjesë të politikës së tyre të përditshme "çështjen Greke", FMN u lakua shumë herë si "shpëtimtarja e mundshme potenciale" nëse solidariteti evropian dështonte, ndërkohë që në SHBA dhe në shumë panele ndërkombëtare të specializuara analizash financiare e politike u hap debati mbi "borxhin publik, rolin dhe mënyrat e menaxhimit të tij". U arrti deri aty sa të vihej në dyshim "aftësia e Europës dhe euros për të përballuar një krizë të tillë, qoftë edhe në një vend të vogël si Greqia". Ndërkohë, vetë monedha e përbashkët, euro, pësoi një lëkundje të paparashikuar në përmasat dhe frikën që ngjalli në shumë tregje financiare e bursa të botës.
Tashmë është e sigurtë, se "kriza Greke" do ti shtohet listë së gjatë të krizave financiare e monetare që ka njohur bota që prej të famshmes "kriza e tulipanëve" në Holandën e shekullit të XVII-të e deri tek kriza e fundit financiare botërore e viteve 2008-2009. Pyetjet dhe pikëpyetjet për të janë të shumta. Aq më tepër dhe konkluzionet apo mësimet që duhet të nxirren prej saj. Nga ana tjetër, edhe shumë qëndrime apo veprime të vendeve apo të disa liderëve kryesorë europianë e botërorë mbi çështjen Greke duhen kuptuar dhe interpretuar në kontekstin dhe përmbajtjen e tyre.
Cili është thelbi apo "thembra e Akilit" e problemit grek? Greqia duket se ka jetuar e vepruar për një kohë të gjatë, të paktën 10-15 vitet e fundit, masa dhe politika publike shumë më komode se sa lejonin mundësitë ekonomike e financiare të saj. Këto politika ishin thjesht iluzione mbi stadin e zhvillimit të Greqisë, bazoheshin në shifra të gabuara që nuk shprehnin realitetin apo në shifra të manipuluara, kjo mbetet për tu provuar e verifikuar si nga vete qeveria greke ashtu edhe nga partnerët europianë. Por, ndërkohë që qeveria Karamalis deri 4-5 muaj më parë publikonte një deficit publik prej 6% në raport me PBB, Kryeministri i majtë Papandreu, sapo erdhi në pushtet në tetor 2009, "zbuloi një deficit prej 12.9% dhe një borxh publik prej 115% të PBB", ndërkohë që limitet e fiksuar nga Brukseli ishin vetëm 3% dhe 60%. Në pak fjali, gjendja e Greqisë përmblidhej në një vend që "kishte një sistem fiskal sipërfaqësor shumë pak efektiv që lejonte mjaft fshehje e devijime fiskale, një ekonomi informate më shumë se 20%, shpenzime publike marramendëse, administratë publike të mbingarkuar, politika sociale shumë të avancuara edhe në krahasim me mjaft vende të zhvilluara europiane, etj.". Rregullimi i gjendjes kërkonte një plan drastik rigoroziteti financiar e buxhetor : reduktim të shpenzimeve shtetërore, të investimeve publike, të shëndetësisë dhe arsimit, ngrirje dhe në raste të veçanta edhe ulje të pagave të sektorit publik, rritjen e moshës së pensionit dhe kontributeve sociale, rritjen e mjaft taksave e tatimeve, etj. E gjithë kjo, me objektiv kryesor rikthimin në kriteret e Manstricht-it në një periudhë të ardhshme 3-4 vjeçare. Nëse Greqia nuk ja arrin këtij objektivi apo nuk ndihmohet, në skenë mund të dalë një skenar tjetër i padëshirueshëm : efekti ortek i krizës greke dhe në vende të tjera të zonës euro apo BE-së. Por Greqia, duhet të evitojë me çdo çmim shpërthimin dhe pakënaqësinë e madhe sociale që shpërtheu që në ditët e para të paraqitjes së planit të shpëtimin nga qeveria Papandreu apo reagimit të ftohtë e shpesh mosbesues të Gjermanisë.
Pse Gjermania reagoi kaq negativisht e shpesh herë ashpër ndaj Greqisë? Në disa raste, Kancelarja gjermane Angela Merkel mbajti një qëndrim të vendosur e pa asnjë ekuivok se "vendet që shkelin në mënyrë kaq të dukshme rregullat e Manstricht-it edhe mund të ndeshen me opsionin e përjashtimit të përkohshëm nga zona euro". Ndërkohë, në mjaft raste, përfshirë këtu edhe gjatë vizitës së Kryeministrit grek në Berlin, Gjermania pothuajse hodhi poshtë cdo ndihmë financiare direkte për Greqinë. Si mund të shpjegohet një qëndrim i tillë që në fakt habiti jo pak njerëz? Intrasigjenca gjermane duket e lidhur me disa elemente e faktorë. Në BE dhe veçanërisht në zonën euro, Gjermania është vendi me disiplinën fiskale më rigoroze dhe gjithashtu vendi që respekton në mënyrën më strikte kriteret e Manstricht-it. është e natyrshme që në emër të "sakrificave" dhe rigorozitetit të tyre gjermanët nuk mund të toleronin devijimet e mëdha nga vende që ata i cilësojnë si "klub Mesdhetar", përfshirë këtu veçanërisht Greqinë. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese gjermane, gjatë procesit të futjes së monedhës së përbashkët euro, lejoi braktisjen e markës duke theksuar qartë domosdoshmërinë e zbatimit rigoroz të kritereve të Manstricht-it dhe sidomos të klauzolës që ndalonte shpëtimin dhe ndihmën nga jashtë të vendeve të zonës euro që rezultonin me borxh publik dhe deficit të lartë. Arsyeja e tretë duket më politike. Dy muaj përpara zgjedhjeve rajonale të 9 majit në Gjermani, në kontekstin e një peizazhi politik të komplikuar, Kancelaria gjermane nuk rrezikon të marrë një vendim që shumica e gjermanëve duket se nuk e aprovojnë.
A rrezikohen vende të tjera të zonës euro dhe vetë euro nga simptomat e krizës greke? Që në fillimet e krizës greke u fol shumë se Greqia mund të ishte maja e një ajsbergu që mund të shfaqej më vonë edhe në disa vende të tjera të eurozonës. Në horizont filloi të qarkullonte fjala "PIGS", e shkruar për herë të parë nga Financial Times e cila me këtë nënkuptonte katërshen problematike Portugali, Irlandë, Greqi, Spanjë. ç'farë dukej se kishin të përbashkët këto katër vende? Një borxh publik të lartë që luhatej në intervalin 75-100 % të PBB të tyre, pra ndjeshëm më lart se normat dhe standardet e Brukselit; deficite korrente dhe sidomos tregtare më të larta se 8% në raport me PBB; Spanja, Portugalia dhe Irlanda e kishin bazuar rritjen e tyre ekonomike tek sektori imobiliar, sektor që u prek rëndë nga kriza financiare gjatë gjithë periudhës 2008-2009. Të privuara nga burimi kryesor që kishte ushqyer rregullisht rritjen e tyre ekonomike, për pasojë dhe bazën e qëndrueshme të të ardhurave publike të tyre në të tre vendet, në paralelizëm me rastin grek, u rrit niveli i papunësisë, u rritën deficitet e financave publike, dhe për pasojë u rritën dhe borxhet e qeverive, sidomos borxhi i brendshëm. Në një farë mënyre, megjithëse jo me zhurmën dhe vizibilitetin e Greqisë, këto vende filluan të zbatojnë të njëjtat politika të rigorozitetit buxhetor e fiskal, përfshirë këtu bllokimin e pagave dhe në raste të veçanta dhe uljen e tyre, ngritjen e taksave, rritjen e moshës së pensionit, etj. Dhe të gjitha këto u bënë nën hijen e mundësisë së rënies në recesion.
Edhe vetë euro u trondit këta muajt e fundit. Në fund të muajit nëntor 2009, kur kriza e financave publike greke sapo kishte dalë në sipërfaqe, euro këmbehej me 1.51 usd. Aktualisht euro këmbehet me 1.34 usd ose rreth 13% më pak se katër muaj më parë. Luhatjet e saj gjatë gjithë kësaj periudhe kanë rezultuar të lidhura ngushtë me ecurinë e qëndrimeve të vendeve të BE-së dhe Bankës Qëndrore Europaine në lidhje me akordimin e ndihmës financiare për Greqinë dhe vlerësimin e BQE për mundësitë e përballimit të situatës nga Greqia. Duket se të dy fenomenet, gjendja e Greqisë dhe ecuria e euros, të paktën në këtë periudhë, janë në simbiozë me njëra-tjetrën.
Pse u debatua kaq shumë për rolin e FMN-së dhe çfarë pritet prej saj për tejkalimin e krizës greke? Prezenca e FMN-së u bë shpejt "nyja gordiane" e të gjitha paketave të ndërhyrjes dhe ndihmës për Greqinë. Banka Qëndrore Europiane u tregua vazhdimisht skeptike dhe u shpreh më se njëherë kundër idesë së "thirrjes së FMN për ndihmë" në një vend të zonës euro duke preferuar që të mos kishte interferenca të huaja në zonën e saj ekskluzive të politikës monetare. Ndërkohë, "marrëveshja franko-gjermane" e ditëve të fundit parashikonte një "mbështetje të gjerë evropiane me kredi e ndihma të cilat mund të kompletohen gjithashtu nga kredi të tjera të dhëna nga FMN". Hipoteza dominuese është ajo e ndihmës nga vendet e zonës euro në formën e kredive dypalëshe. Gjermania, për pjesëmarrjen e saj në planin e ndihmës për Greqinë, e vuri si kusht të domosdoshëm edhe ndërhyrjen financiare të FMN. Përveç asistencës teknike, FMN pritet të japë edhe një kredi prej 20 miliard eurosh për Greqinë. Por, ndërkohë kjo nuk u pa me sy të mirë nga shumë vende të tjera evropiane që reaguan duke menduar se ky veprim tregonte veç te tjerave edhe për "një Europë politike jo aq të fortë dhe solide". Marrëveshja franko-gjermane shkonte akoma më tej se rasti grek duke bërë thirrje për një forcim urgjent "të qeverisjes dhe stabilitetit ekonomik e financiar" në të gjithë vendet e BE-së", duke përfshirë këtu edhe mjaft sanksione për vendet që i shkelin ato.
Duket se me këtë marrëveshje për ti ardhur në ndihmë Greqisë, familja evropiane evitoi një krizë akoma më të rëndë duke dëshmuar se është "në gjendje ta marrë në dorë fatin e saj", dhe njëkohësisht duke dëshmuar se "Europa i ka të gjitha kapacitetet në shërbim të realizimit të idealit evropian". Kjo marrëveshje u cilësua edhe si "një nga ditët më të rëndësishme për euron" duke dëshmuar se vendet e zonës euro nuk do të lejojnë asnjë destabilizim të vendeve anëtare në përgjithësi dhe vetë euros në veçanti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›