Përplasen tri makina, tre persona të plagosur lehtë
TIRANE - Tri makina u përplasën me njëra-tjetrën mbrëmë te rruga "Vasil Shanto". Bilanci i aksidentit është tre persona të plagosur lehtë, të cilët u dërguan në Spitalin Ushtarak, ku ndodhen në gjendje pa rrezik për jetën. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:00, ndërsa forca të shumta të policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Sipas burimeve nga policia, shkak për aksidentin mes tri makinave ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve të mjeteve. Ndërkohë, sipas hetimeve të policisë, tre personat e plagosur që u dërguan në spital për ndihmë mjekësore kanë qenë pasagjerë të mjeteve që u përplasën me njëra-tjetrën. Uniformat blu menjëherë pas aksidentit kanë ndaluar drejtuesit e mjeteve, të cilët janë mbajtur në polici mbrëmë deri pas mesnate me qëllim sqarimin e rrethanave të aksidentit të rëndë. Sipas hetimeve të zhvilluara nga forcat e rendit, ka rezultuar se shkak i aksidentit ka qenë njëra prej makinave, ndërsa dy të tjerat u përfshinë në ngjarje si pasojë e bllokimit të mundësisë së kalimit.