I sëmuri mendor u vë flakën dy makinave
TIRANE - Një 47-vjeçar, i cili dyshohet të jetë i sëmurë mendor, u arrestua dje nga forcat e policisë së Komisariatit nr.3 të Tiranës, me akuzën e "shkatërrimit të pronës me zjarr". Sipas një njoftimi për shtyp, mësohet se është arrestuar Ilirjan Itaj, pasi gjatë orëve të vona të natës është parë nga një patrullë policie, duke tentuar t'i vërë flakën një makine të parkuar, pasi kishte djegur një tjetër më përpara. Burime nga policia sqaruan se Itaj, për motive ende të paqarta, në rrugën "Pandi Dardha" në kryeqytet, ka shkatërruar duke i thyer më parë xhamat e më pas duke e djegur, automjetin tip "Reno", me targë TR 7296G, e parkuar në anë të rrugës. E menjëherë pas saj është afruar tek automjeti tjetër tip "Opel" me targë TR 4161 A, i parkuar disa metra më tutje, të cilit i ka thyer me gurë xhamat. Në momentin kur po tentonte t'i vinte flakën edhe asaj, Itaj është parë nga një patrullë policie, që i është afruar dhe e ka arrestuar në flagrancë. Burimet sqaruan se gjatë deklarimeve të pronarëve të mjeteve të shkatërruara është mësuar se ata nuk kishin asnjë lloj njohje me personin që u ka shkaktuar dëmin. Ndërsa vetë i arrestuari, nuk ka dhënë shpjegime për veprimet e kryera.