RENEA kap vrasësin e trefishtë
ETLEVA DELIA
Autori i shumë-kërkuar i tri vra-sjeve, Murat Nezha, i dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2002, u arrestua dje në orët e para të mëngjesit nga forcat RENEA. Bëhet fjalë për 33-vjeçarin Murat Nezha, i cili më 30 dhjetor të vitit 2001, ekzekutoi me armë nusen, vjehrrin dhe vjehrrën, brenda në apartamentin e tyre. Për më shumë se 8 vjet me radhë, vrasësi kishte bredhur i lirë, duke menduar se u kishte shpëtuar prangave, por dje rreth orës 07:00 i shumëkërkuari Murat Nezha është rrethuar në një banesë në Kamëz nga forcat speciale RENEA. Shtëpia e tij në Kodër Kamëz të Tiranës ishte e rrethuar nga dhjetëra policë, me armë të drejtuara dhe gati për të qëlluar, nëse i kërkuari bënte rezistencë. Për më se 25 minuta, i kërkuari tentoi t'i shmangej policisë, duke mos iu përgjigjur thirrjeve për dorëzim, por më pas preferoi më mirë të dilte vetë nga banesa dhe të deklarohej i vetëdorëzuar. Burime nga policia thanë se 33-vjeçari nuk tentoi të ngrinte armët drejt policisë dhe e vetmja rezistencë që bëri dje ishte fakti se qëndroi i mbyllur në banesë, derisa u bind për t'u dorëzuar. Pasi ka dalë nga dera e banesës së tij, Murat Nezha ngriti duart lart duke i kërkuar policëve të mos e qëllonin, pasi po dorëzohej. Para se të ndodhte kjo, ai i kërkoi diçka policisë. "Njoftoni gruan time që të më sjellë djalin, ta takoj para se të vij me ju", mësohet të ketë thënë Nezha, policëve para arrestimit. Pasi përqafoi të birin, vetëm 3 vjeç, vrasësi i trefishtë u prangos dhe më pas u transportua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
ARRATIA
Murat Nezha, akuzohet se rreth tetë vjet më parë ekzekutoi gruan, vjehrrin dhe vjehrrën në një apartament në Kavajë. Për këtë krim, ai u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë. Pasi realizoi krimin e rëndë, vrasësi mundi të arratisej, duke iu fshehur policisë por vetëm 10 ditë më parë "vendstrehimi" i tij u zbulua nga efektivat e Komisariatit nr.5 në Tiranë. Gjykata e Kavajës, më 13 dhjetor të vitit 2002, e dënoi Murat Nezhën me burgim të përjetshëm, në mungesë, duke e shpallur fajtor për vrasjen e gruas së tij Alida Poga, babait të saj Ramizit dhe nënës së saj Besimes. Nga deklarimet e familjarëve të viktimave u mësua se masakrën në apartamentin e familjes Poga, autori e kishte kryer për motive xhelozie ndaj të shoqes, duke fajësuar edhe prindërit e saj për kërkesën që ajo i bëri për t'u divorcuar. Murat Nezha, të paktën dy vitet e fundit, dyshohet se ka banuar në një shtëpi private të marrë me qira në Kodër Kamëz të Tiranës, ku jetonte me bashkëshorten dhe djalin 3 vjeç, si dhe me të vëllain. Gjatë kësaj kohe, Nezha nuk është marrë me asnjë aktivitet dhe për ekonominë e familjes është kujdesur i vëllai, në emër të të cilit ishte marrë edhe shtëpia me qira.