Këshilli: Shkarkim 1 prokurori, masa 3 të tjerëve
TIRANE - Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme votoi dje me shumicë votash propozimet për marrjen e masave ndëshkimore ndaj prokurorëve të Durrësit, të gjetur me shkelje në inspektimin e fundit të vitit 2009. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli mori në shqyrtim propozimet për masa ndëshkimore ndaj prokurorëve Drini Pali, Dritan Gina, Ilir Turja dhe Edmond Karriqi. Në këtë mbledhje është vendosur të shtyhet shqyrtimi i masës disiplinore për prokurorin Dritan Gripshi. Masa ndaj këtij të fundit mësohet se do të shqyrtohet në mbledhjet e ardhshme të Këshillit të prokurorisë. Pas leximit të raportit të inspektimit, me shkeljet e gjetura në punën e secilit prokuror, Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme, i përbërë nga shtatë anëtarë, ka hedhur në votim propozimet për masa disiplinore. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, shtatë anëtarë të Këshillit votuan pro shkarkimit të prokurorit Drini Pali, ndërkohë me shumicë votash është miratuar edhe ndëshkimi i prokurorëve Dritan Gina, Ilir Turja e Edmond Karriqi, me masën e vërejtjes me paralajmërim. Vendimet e miratuara dje me votim në Këshill, pritet t'i kalojnë zyrës së Prokurores së Përgjithshme, e cila nëse i lë në fuqi masat, ia kalon ato për dekretim Presidentit të Republikës. Prokurorët e Durrësit u dërguan në Këshill për masa disiplinore, pas një inspektimi të Prokurorisë së Përgjithshme, i cili gjeti shkelje në dosjet e hetuara prej tyre. tr.so