E Diel, 1 Nëntor 2026

Delijorgji, skandali i gjyqeve

Mihal Delijorgji është shpallur i pafajshëm nga gjyqtarët e Apelit Ushtarak, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e Durrësit e kishte shpallur fajtor për kontrabandë me mallra të tjerë dhe e kishte dënuar me 10 milionë lekë gjobë dhe shlyerjen e të gjitha shpenzimeve gjyqësore.

Trupi gjykues, në përbërje të të cilit kanë qenë tre gjyqtarë ushtarakë të Gjykatës Ushtarake të Apelit, Naum Pejo, Ylli Minka dhe Shaqir Gradica, ka dhënë pafajësinë e plotë për Delijorgjin dhe ka kërkuar pushimin e çështjes, me përfundimin se nuk provohen elementet e veprës penale. Gjyqtarët e Apelit Ushtarak kërkuan edhe rrëzimin e padisë civile në këtë proces penal.

Skandali "Delijorgji" merr përmasa të tjera pas këtij vendimi që përfshin Apelin Ushtarak, i cili ka gjykuar se Delijorgji është i pafajshëm dhe akuzat ndaj tij, puna disavjeçare e autoriteteve doganore dhe atyre hetimore duheshin hedhur poshtë. Ndërkohë "Delijorgji" vazhdon të endet gjykatave shqiptare. Fillimi i këtij viti e ka gjetur çështjen në dyert e Gjykatës së Lartë me një rekurs ndaj vendimit të Apelit.

Pasi ka mbyllur gjykimet në Fakt dhe në Apelin Ushtarak, Delijorgji, mbi të cilin pas ngjarjes së Gërdecit rëndojnë akuza të reja të një natyre tjetër, do të vazhdojë të gjykohet për kontrabandë me mallra të tjerë.

E ndërsa pas katër vitesh ka provuar për herë të dytë prangat, të gjithëve u ka mbetur në mendje, përtej tragjedisë që mbart mbi supe, cinizmi i shfaqur në fytyrën e qeshur të Delijorgjit, teksa beson se edhe arrestimi i dytë do të ketë fatin e të parit. Ndoshta edhe gjykimi i tij. Nënqeshja cinike në fytyrë e ka burimin te marrëdhënia me strukturat shtetërore të qeverive të ndryshme, por edhe me maratonën nëpër të cilën kalon gjykimi i tij. Në mënyrë të vazhdueshme, ai ka qenë shenjëstruar edhe para vitit 2004, si një nga biznesmenët që kryente kontrabandë, evazion fiskal nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, të cilat i shkaktonin shtetit dëme të konsiderueshme, por asnjëherë nuk iu shkua deri në fund. Pak ditë më parë, pohimi u bë edhe nga Kryeministri Sali Berisha, i cili shfaqet dhe në faqen elektronike të Kryeministrisë se "ky biznesmen, megjithëse kishte procese, nuk i hynte ferra në këmbë".

Llogaritë e Delijorgjit u deklaruan që në vitin 2004 se do të sekuestroheshin, pas akuzave dhe arrestimit të biznesmenit dropullit për evazion fiskal. Ky do të ishte fati i llogarive bankare të të gjithë biznesmenëve të mëdhenj shqiptarë dhe grekë, të cilët, në atë kohë, ishin nën hetim, në rast se nuk do të reagonin për të shlyer detyrimet dhe gjobat që u kishin autoriteteve doganore. Por deklarimet mbetën thjesht të tilla dhe të paktën marrëdhënia e Delijorgjit me shtetin shqiptar u forcua, madje pa njohur pengesë në ndryshim ngjyrash politike.

Katër vite më parë, Delijorgji u arrestua për veprën penale të "Kontrabandës me mallra të tjerë", parashikuar nga neni 174 i Kodit Penal, si dhe për veprën penale të "falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve", të parashikuar nga neni 190/1 i po këtij kodi. Hetimi dhe gjykimi i këtyre akuzave për Mihal Delijorgjin dhe shoqërinë "Përparimi sh.a.", bazuar në kallëzimin penal të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave vazhdon të endet në dyert e drejtësisë shqiptare prej katër vitesh. E ndërsa ka kaluar në shkallët e para të gjykimit, çështja "Delijorgji dhe Përparimi sh.a." ka mbërritur këtë fillim viti në Gjykatën e Lartë. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, ajo është gjykuar nga një trup gjykues, i kryesuar nga kryetari i gjykatës, Ervin Metalla dhe me anëtarë Markelian Koça dhe Arbana Selmanaj. Vendimi në këtë gjykatë është dhënë më 28 dhjetor të vitit 2006, më shumë se dy vjet e gjysmë pas arrestimit të bujshëm të Delijorgjit. I pakënaqur me vendimin, Delijorgji dhe avokati i tij, Maksim Haxhia, apeluan vendimin e Shkallës së Parë dhe pothuajse një vit më vonë, para katër muajsh, jepet vendimi i dytë për këtë çështje. Edhe ky vendim i lë të pakënaqur palët dhe përfundon në Gjykatën e Lartë, ku pritet të shqyrtohet dhe të vendoset fati i mëtejshëm i Delijorgjit, dënimit dhe 100 milionë lekëve.

Ndonëse nenet, në të cilat mbështeteshin akuzat e ngritura ndaj tij, parashikonin deri në pesë vjet heqje lirie, kjo nuk u mor në asnjë çast në konsideratë nga akuza, e përfaqësuar nga prokurori Ilir Turja. Ai, në të gjitha rastet, kërkoi dënimin me gjobë të biznesmenit, duke e gjetur fajtor për akuzat e mbështetura në dy nenet përkatëse të Kodit Penal. Organi i prokurorisë durrsake kërkoi dënimin e Delijorgjit në përfundim me 10 milionë lekë gjobë, gjë që u vlerësua e drejtë nga gjykata, e cila la në fuqi këtë kërkesë të akuzës, por duke hedhur poshtë atë për kryerjen e veprës penale të "Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve".

AKUZA

Neni 174

Kontrabanda me mallra të tjera

Importimi, eksportimi apo kalimi tranzit i mallrave, jashtë pikave doganore, fshehjes së plotë apo të pjesshme, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma, që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore, dënohen me gjobë ose burgim deri në pesë vjet.

Neni 190

Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve

Falsifikimi apo përdorimi i vulave, stampave dhe formularëve të falsifikuar, apo paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Precedentët

U akuzua për kontrabandë edhe në vitin 2000 e 2001

Të gjitha dosjet penale në ngarkim të biznesmenit dropullit

Procesi hetimor dhe ai gjyqësor do të nxirrnin në pah një pjesë të mirë të veprimtarisë importuese të Mihal Delijorgjit, nëpërmjet Portit Detar të Durrësit. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se më 16 tetor të vitit 2000, në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë regjistrohet për herë të parë një procedim penal në ngarkim të Mihal Delijorgjit, ai me nr.1597, në të cilin akuzohej për kryerjen e veprës penale të kontrabandës, parashikuar nga neni 174 i Kodit Penal. Më 18 janar të vitit 2001 regjistrohet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, një procedim tjetër penal me nr.19, ndaj të njëjtit të pandehur dhe për të njëjtën akuzë, si dhe ndaj disa doganierëve. Rreth një vit më vonë, në shkurt të vitit 2002, me vendim të Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtoria e Krimit të Organizuar bashkon dy procedimet penale në një të vetëm dhe bashkimi merr nr.19/1, në ngarkim të të pandehurit Mihal Delijorgji dhe disa doganierëve, akuzuar për kontrabandë nëpërmjet 26 deklaratave doganore të viteve 1999-2000.

Historia vazhdon. Më 19 prill të vitit 2004, një procedim tjetër penal regjistrohet nga Prokuroria e Durrësit vetëm në ngarkim të biznesmenit Delijorgji. Procedimi penal nr.425 nis për kryerjen e veprave penale të kontrabandës me mallra të tjerë dhe falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve nga ky person. Hetimi nis duke u bazuar mbi kallëzimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Të dyja procedimet penale mbërritën për gjykim si çështje të veçanta, duke marrë në gjykatë numra dhe data të ndryshme regjistrimi. Kështu, më vendim të ndërmjetëm, të marrë në nëntor të vitit 2004, nga gjykata e cila po gjykonte procedimin penal 19/1, së bashku me padinë civile në këtë proces kundër Delijorgjit, është vendosur veçimi i çështjes penale në ngarkim të tij, së bashku me padinë civile. Në mesin e muajit shkurt të vitit 2005, thuajse 10 muaj pas arrestimit në hyrje të stadiumit "Qemal Stafa" dhe lirimit të Delijorgjit kundrejt garancisë pasurore prej 1 milion dollarësh, vendoset bashkimi i çështjeve.

Si u justifikua pafajësia

Vendimet e vitit 2006 dhe 2007. Gjykata e Faktit e dënoi, Apeli e shfajësoi

Duke vlerësuar dokumentacionin dhe provat e sjella nga akuza gjatë seancave të gjykimit të dosjes "Delijorgji dhe Përparimi sh.a.", trupi gjykues i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, i kryesuar nga kryetari i kësaj gjykate, Ervin Metalla, vendosi më 28 dhjetor të vitit 2006 deklarimin fajtor të Mihal Delijorgjit për veprën penale të "kontrabandës me mallra të tjera", nëpërmjet 26 deklaratave doganore të viteve 1999-2000, në kuadër të procedimit penal nr.19/1, duke bërë deklarim të rremë të hekurit të importuar për ndërtim, si hekur lëndë e parë për prodhim gozhde etj. Parashikuar nga neni 174 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon me gjobë në shumën e 8 milionë lekëve. Gjykata vendosi po ashtu pranimin e padisë civile në kuadër të këtij procesi penal, duke u detyruar ana e paditur, shoqëria "Përparimi sh.a." që t‘i paguajë paditësit, degës së Doganës Durrës shumën prej 122.668.851 lekë. Togat e zeza të Durrësit e deklarojnë fajtor Delijorgjin për të njëjtën vepër penale të kryer edhe disa vjet më vonë dhe të fiksuar në procedimin penal të vitit 2004, për deklarim të rremë të hekurit të importuar për ndërtim, si hekur produkt kompensues i hekurit të eksportuar nën regjimin e përpunimit pasiv, parashikuar nga i njëjti nen i Kodit Penal. Në bazë të kësaj dispozite, ai dënohet me një gjobë prej 3 milionë lekësh. Ndërkohë, gjykata e deklaron Mihal Delijorgjin si të pafajshëm për veprën penale të "Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve", duke gjykuar se fakti nuk përbën vepër penale më vete, në kuptim të nenit 388/b të Kodit të Procedurës Penale. Në bashkim të dënimeve dhe bazuar në nenin 55 të Kodit Penal mbi "Caktimin e dënimeve për disa vepra penale", Mihal Delijorgji dënohet përfundimisht nga kjo gjykatë me një gjobë në shumën e 10 milionë lekëve të reja dhe vendoset që kjo gjobë të shlyhet brenda 3 muajve nga dita që vendimi merr formë të prerë. Ndërkohë, gjykata vendosi që sekuestroja konservative e vendosur nga Apeli ta kthejë në sekuestro të ekzekutueshme, pasi vendimi të marrë formë të prerë, në kuptim të nenit 273 të Kodit të Procedurës Penale. Shpenzimet procedurale gjatë hetimit dhe gjykimit të çështjes i kalojnë në ngarkim Delijorgjit, ndërsa shpenzimet gjyqësore lidhur me padinë civile në procesin penal, në masën 1% të vlerës së padisë, shumën 1.226.692 lekë, ia kalon në ngarkim shoqërisë "Përparimi sh.a.", e cila ka tre ortakë, por administrator është Delijorgji. Por brenda afateve të përcaktuara, Delijorgji, nëpërmjet avokatit mbrojtës, do të kundërshtonte vendimin, si për sa i takonte çështjes penale, ashtu dhe padisë civile.

Delijorgji kundërshton vendimin e Gjykatës së Durrësit dhe apelon në Shkallën e Dytë, nga do t‘i vinte dhe vendimi i shumëpritur që për fatin e tij të keq kundërshtohet nga akuza dhe përfundon në Gjykatën e Lartë. Në dhjetor të vitit të kaluar, Delijorgji do të merrte pafajësinë nga Gjykata e Apelit të Durrësit, ndërsa në përbërje të trupit gjykues ishin tre gjyqtarë të Apelit Ushtarak. Duke fituar pafajësinë, shpëton dhe 100 milionë lekët e vjetra të gjobës së dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, si dhe një sërë shpenzimesh të tjera. Gjithashtu, shpëton dhe nga masa e sigurimit "Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore" dhe vazhdon i lirë dhe i qetë bizneset e veta deri më 15 marsin e këtij viti, kur në Gërdec, do të ndodhte gjëma e projektuar prej tij dhe bashkëpunëtorëve.

Avokati i Delijorgjit kërkon në Apel prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe pushimin e çështjes penale, duke renditur disa shkaqe. Sipas kësaj gjykate, është vlerësuar pas shqyrtimit të provave dhe pretendimit të mbrojtjes se në punën e përditshme të administratës doganore ka pasur parregullsi ose paqartësi në lidhje me Kodin Doganor. Apeli ka vlerësuar se përfundimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për deklarimin fajtor të Delijorgjit për kontrabandë me mallrat e tjera, nuk mbështetet në provat që ajo ka marrë gjatë gjykimit në seancë gjyqësore dhe se vendimi është marrë vetëm mbi provat e paraqitura nga akuza, pa marrë parasysh pretendimet e mbrojtjes dhe se "arsyetimi i vendimit të gjykatës e lë pa provuar kryerjen e veprës penale nga i pandehuri, pasi ajo citon rrethanat në vendimin e saj që mungon nga ana subjektive dhe objektive e veprës penale të kryer nga i pandehuri". Trupi gjykues rendit disa dokumente të paraqitura pranë Faktit nga mbrojtja dhe mbi bazën e tyre ka vlerësuar se konkluzioni i Gjykatës së Parë është në kundërshtim me këto prova, të cilat faktojnë se artikujt si gozhdë, rrjeta teli etj., janë realizuar me teknologjinë e instaluar në Shkozet të Durrësit dhe janë prodhuar me hekurin e importuar e të deklaruar në 26 deklaratat doganore të viteve 1999-2000. Ndër të tjera, Apeli vëren se Gjykata e Shkallës së Parë, për përcaktimin e çdo figure krimi, duhet të marrë në analizë të gjitha provat e palëve dhe në përfundim të analizës mund të arrijë "në përfundim të saktë të figurës së veprës penale që ka në gjykim". Në përfundim të shqyrtimit, Apeli i Durrësit, më 17 dhjetor 2007, jep vendimin e tij, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës për sa i përket deklarimit të pafajshëm të Mihal Delijorgjit për falsifikim të vulave, stampave a formularëve, si dhe vendos "Prishjen e vendimit për sa i përket deklarimit fajtor dhe dënimit të të pandehurit për veprën penale të kontrabandës me mallrat e tjera për të dyja akuzat, të parashikuara nga neni 174 i KP dhe pushimin e çështjes, pasi nuk provohen elementet e veprës penale…".

Garancia

Ku shkuan 1 milion USD

Pas arrestimit të Delijorgjit në fund të prillit të 2004-ës, bazuar mbi vendimin e Gjykatës së Durrësit për caktimin e masës së sigurimit në arrest me burg, vlerësimi i kësaj mase më 5 maj të po atij viti, do t‘i jepte lirinë, duke zëvendësuar qëndrimin në qelitë e paraburgimit me masën e sigurimit të "garancisë pasurore në shumën e një milion dollarëve amerikanë". A u dhanë këto dollarë? Në seancën e gjykimit të 15 korrikut 2005, Gjykata e Durrësit rrëzon kërkesën e avokatit mbrojtës për zëvendësimin e masës së sigurisë nga "garanci pasurore" në "detyrim paraqitjeje". Por atë që nuk e lejoi Gjykata e Shkallës së Parë, e bëri ajo e Shkallës së Dytë. Gjykata e Apelit me vendim nr.48 të datës 2 shtator 2005, ndryshon vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe pranon kërkesën e mbrojtjes së Delijorgjit për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke zhbllokuar në këtë mënyrë shumën që shënoi të parën garanci pasurore në atë vlerë të bllokuar ndonjëherë në Shqipëri.

Puna në magazinat e "Përparimi sh.a." vijon normalisht, sikundër ndërtimet në Tiranë

Bizneset e Delijorgjit nuk janë prekur pas arrestimit

Firma "Përparimi sh.a." e Mihal Delijorgjit vazhdon punën normalisht, edhe pas arrestimit të administratorit. Një televizion i Tiranës transmetoi dje pamje të fabrikës së skrapit me ngjyrë, në Shkozet të Durrësit, ku dukeshin punëtorë që vijonin punën normalisht. Ndërkohë, edhe banorët e zonës kanë treguar se përveç një dite, kur në magazinat e firmës u ushtruan kontrolle, puna ka vijuar normalisht. Ndërkohë, edhe ndërtimet që kanë për investitor Mihal Delijorgjin janë duke u kryer pa ndalesa, megjithëse prokuroria ka kërkuar vënien nën sekuestro konservative të të gjitha pasurive të biznesmenit dropullit.

Pas arrestimit të Mihal Delijorgjit, në firmën e tij "Përparimi sh.a.", në Shkozet të Durrësit, u ushtrua kontroll nga Prokuroria e Durrësit, në prani të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe asaj Tatimore. Mëngjesin e 18 marsit, firma "Përparimi sh.a.", me nr.NIPT-i J81906504A, është vënë nën kontroll të plotë, së bashku me afro 25 punonjësit e saj. Mësohet se janë marrë në dorëzim dokumente të firmës që do të vihen në dispozicion të hetimit. Punonjësit i janë nënshtruar marrjes në pyetje për aktivitetin e firmës dhe të tjera hollësi që mund t‘i vlejnë hetimit të nisur për Delijorgjin dhe bizneset e tij. Brenda territorit të magazinës ka mjete ushtarake, të cilat firma e të arrestuarit i përdorte për skrap në bazë të një marrëveshjeje të hershme me Ministrinë e Mbrojtjes. Aktiviteti i firmës zhvillohej në kushte sigurie të lartë nga masat e marra prej pronarit, ndërkohë që banorët e Shkozetit thonë se para disa muajsh aty është dëgjuar një shpërthim, po që u tha se ka qenë një bombol oksigjeni. Ndërkohë në Durrës kanë mbërritur dhe ekspertë, hetues të Prokurorisë së Tiranës për të ndjekur procedurat e mëtejshme lidhur me hetimin e nisur për ngjarjen e Gërdecit dhe aktivitetin e Delijorgjit. Por përveç sekuestrimit të disa dokumenteve dhe marrjes në pyetje të disa punëtorëve, prokuroria dhe policia nuk kanë kryer asnjë veprim mbi pasuritë e Delijorgjit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›