Ǒpërfaqëson Delijorgji?!
Është një ushtarak, rob lufte, apo i përfshirë në një kategori të veçantë të përcaktuar me ligj për t‘u trajtuar si i tillë? Duket e çuditshme, por është e vërtetë. Kur kryetari i trupit gjykues të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës tha se çështja në Apel është trajtuar nga gjyqtarë ushtarakë, fillimisht nuk e besova, por emrat e gjyqtarëve Gradica, Minka dhe Pejo e mbështesin këtë. Delijorgji në gjykimin e Shkallës së Dytë është trajtuar si një ushtarak, por jo në mënyrë të rregullt. Në bazë të ligjit, Gjykata Ushtarake e Apelit duhet të shqyrtojë ankimet kundër vendimeve të Gjykatave Ushtarake të Shkallës së Parë. Në këtë rast, kjo nuk funksionoi. Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit Durrës, por gjyqtarët ishin të Apelit Ushtarak. U përdor kjo mënyrë, sepse nuk lejohet që Apeli Ushtarak të vlerësojë një vendim të marrë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, një gjykatë që merr në gjykim njerëzit pa grada ushtarake. Është e përcaktuar qartë që gjykatat ushtarake gjykojnë ushtarakët për veprat penale ushtarake, robërit e luftës dhe persona të tjerë të caktuar me ligj. Dhe vetëm vendimet e tyre mund të shqyrtohen nga Apeli Ushtarak. Ka dy shkelje në këtë gjykim. Gjithsesi në cilën prej këtyre kategorive hyn Delijorgji? Është një gjëegjëzë që kërkon përgjigje nga autoritetet përkatëse, ashtu si shumë të tjera lidhur me këtë person, që kanë ngritur dilema të mëdha për përfshirjen e shtetit, po tashmë dhe gjyqësorit në një mega-aferë që mban erë të rëndë dhe që la pas vetes shkatërrim dhe vdekje. Çështja "Delijorgji" ka zbardhur një shtet, që nga faktet e deritanishme duket se ka ngritur në sistem mashtrimin, shkeljen e ligjit dhe rregullave, duke çuar në shfajësimin real të një individi, që mbi të gjitha synon rritjen e fitimin pa u ndalur para asgjëje. Lidhjet në sferat e larta ushtarake duket se e ndihmuan Delijorgjin të dilte mbi ligjet, të siguronte njerëzit e duhur për të marrë pafajësinë. Përtej një emri që është bërë kryefjala e ditës në organet mediatike dhe opinionin publik, ka shumë më tepër. Parë në një këndvështrim, të gjithë duhet t‘i jemi në njëfarë mënyre mirënjohës Delijorgjit, që i hapi sytë opinionit për atë që po ndodh…