E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deliu u ekzekutua nga vrasës me pagesë

Viktima nuk i ka njohur personat që kanë trokitur në derë. Policia: Po hetojnë për drogë, hakmarrje dhe konflikte pronësie

TIRANË- Ekzekutimi i bujshëm mafioz i dy ditëve më parë mendohet se është kryer nga vrasës me pagesë. Hetuesit e çështjes së vrasjes së Elton Deliut dhe nënës së tij mendojnë se “killerët”ishin njerëz të paguar. Burime të grupit hetimor të çështjes thanë dje për “Shekullin” se dyshohet që 32-vjeçari nuk i ka njohur personat që kanë trokitur në derë ndaj dhe ka hapur derën. Ndërsa sipas të dhënave nga banorët e pallatit mësohet se nuk janë dëgjuar biseda mes “mysafirëve” dhe Deliut, duke hedhur dyshime se ata kanë shkuar vetëm për të ekzekutuar të riun. Ndërsa nëna e tij është vrarë për shkak se ishte dëshmitare në vrasjen e të birit. Ajo ishte në gjumë në momentin e krimit por ekzekutorët kishin frikë se mos i kishte parë dhe i identifikonte më pas

Hetimet

Fill pas krimit të dyfishtë që tronditi dy ditë më parë Tiranën, policia nisi hetimet duke rindërtuar fillimisht mekanizmin e ngjarjes. Në bazë të provave të fiksuara në vendin e ngjarjes po edhe nga dëshmitë e banorëve të pallatit, policia ka mundur të rindërtojë skemën e krimit të hedhur mbi dyshime. Burime nga policia thanë se dyshohet se kanë qenë dy persona të cilët janë ngjitur në katin e gjashtë të pallatit ku banon 32-vjeçari Elton Deliu dhe kanë trokitur në derë. I riu ka hapur derën pasi nga “syri magjik” nuk ka arritur të dallojë dy mysafirët, të cilët nuk i njohu. Sapo ka hapur derën dy personat kanë zbrazur 11 plumba pistolete mbi trupin e Deliut. Për të mos rrezikuar prangat më vonë gjë e cila do të vinte si rrjedhojë e gabimeve në vendngjarje, autorët kanë eliminuar edhe nënën e “shënjestrës” së tyre e cila ndodhej në gjumë. Policia dyshon se dy autorët janë paguar nga persona të tjerë për të kryer vrasjen. Dyshohet se ata mund të kenë marrë urdhër vetëm për ekzekutimin e Elton Deliut ndërsa nëna e tij ka qenë viktimë pasi rastësisht ishte dëshmitare megjithëse ishte në gjumë për autorët duket se ka qenë më mirë ta vrasin sesa ku i dihej më vonë në se ajo i kishte parë.

Pistat

Burime nga policia thanë se fill pas ngjarjes nisën hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Kështu policia ngriti disa pista hetime mes tyre tre më kryesoret të cilat janë ende në verifikim e sipër. “Prishja e pazareve të drogës, konflikti për pronat në Kashar apo ndonjë konflikt i çastit, janë tre pistat në të cilat po heton policia” thanë për “Shekullin” burime nga policia. Mësohet se Elton Deliu ka qenë i arrestuar më parë për trafikim lënde narkotike, ndërsa ishte i njohur dhe fakti që ai kishte konflikte për pronën në periferi të kryeqytetit. Kjo ka bërë që policia të mos neglizhojë të kaluarën e Deliut që sipas të dhënave edhe ai vetë ruhej nga ndonjë hakmarrje e mundshme. Ndërkohë që pas ngjarjes policia shoqëroi 25 persona, të cilët pasi u morën në pyetje u lanë të lirë. Ndërsa edhe gjatë ditës së djeshme, oficerët e policisë kriminale morën në pyetje shtatë persona të cilët u lanë të lirë për mungesë provash. Policia bëri të ditur se të shoqëruarit ishin personat që dyshohet se kishin konflikte me Deliun. Policia e Tiranës tha dje se po punohet për të identifikuar dhe kapur autorët e kësaj ngjarjeje.

Arrestimi i parë i Deliut me përzierës droge dhe dyshimet e policisë për një rrjet të shpërndarjes së heroinës

Policia: Elton Deliu lëvizte me makinë të blinduar

TIRANË- Elton Deliu prej disa kohësh ruhej nga ndonjë atentat i mundshëm ndaj tij. Ai kishte evituar lëvizjet e shumta kryesisht në këmbë ndërsa udhëtonte vetëm me makinë të blinduar. Por pavarësisht masave që kishte marrë 32-vjeçari Deliu për të ruajtur “kokën”, eliminimi fizik i tij sërish ka ndodhur. Autorët e kanë gjetur atë duke e ekzekutuar madje “inati” i tyre ka zbrazur plumba edhe mbi nënën e të riut. Fakti që askush nuk të vret brenda në shtëpi, kjo edhe sipas ligjit të kanunit, nuk ka ndodhur me vrasësit e Elton Deliut të cilët i kanë shkuar deri në derën e shtëpisë. Sapo ka hapur derën Deliu është përballur me dy persona të cilët e qëlluan 11 herë me pistoletë ndërsa më pas qëlluan me një plumb në kokë edhe nënën e tij. Kjo e fundit gjeti vdekjen e menjëhershme ndërsa 32-vjeçari ndërroi jetë në spital. Ndërkohë burime nga policia thanë se ai ishte kërcënuar shpesh herë ndaj dhe ruhej, por asnjëherë nuk kishte denoncuar në polici. Oficerët e policisë kriminale kanë sekuestruar telefonin celular të Deliut me qëllim verifikimin e thirrjeve hyrëse e dalëse të kryera kohët e fundit. Ndërsa në pyetje është marrë edhe e fejuara e Deliut e cila nuk ka ndihmuar policinë me dëshminë e saj pasi sipas oficerëve ajo nuk kishte dijeni për lidhjet e të fejuarit të saj.

Emri i Deliut është shënuar në dosjet e policisë së kryeqytetit që në vitin 2005 por asnjë herë nuk janë kryer hetime serioze ndaj tij. Rreth dy vjet më parë, policia e Tiranës arrestoi dy persona për trafikim lënde narkotike, mes tyre Elton Deliun. Hetuesit deklaruan në atë kohë se kishin kapur dy të rinj me heroinë por më pas rezultoi se ishte vetëm përzierës droge. Fakti që Deliu kishte “vizituar” qelinë pasi ishte kapur me 4 kilogram përzierës droge ka hedhur dyshime te policia se ai trafikonte drogë. Policia deklaroi në atë kohë se lajmërimi për kapjen e Deliut dhe të riut F.K, kishte ardhur në rajon, nga një taksist i cili kishte dalluar një pistoletë në automjetin me të cilin udhëtonin dy të arrestuarit. Policia u nis menjëherë në vendngjarje, në afërsi të bulevardit “Zogu i Parë” dhe shoqëruan dy të dyshuarit në rajon, pasi njëri prej tyre, pikërisht Deliu, kishte një pistoletë pa leje. Pas një kontrolli në banesën e të riut me iniciale F.K, u gjet edhe sasia e lëndës narkotike, që për momentin u mendua se ishte heroinë. Pasi qëndroi për pak kohë në qeli, 32-vjeçari Elton Deliu u la i lirë. Ndërkohë që nga të dhënat e mbledhura policia dyshon se Deliu kishte konflikte për çështje pronësie në Kashar të Tiranës. Por mungesa e provave ka detyruar policinë të mosmbajë më shumë se disa orë në komisariat “kundërshtarët” e Deliut. Ndërkohë që edhe ndonjë konflikt i çastit që ka akumuluar hakmarrje te autorët mund të jetë motivi i ekzekutimit të Deliut. Gjithsesi policia bëri të ditur se këto pista po heton.

Viktima

Elton Deliu, 32- vjeç, dhe nëna e tij Flutura, 52-vjeç, janë qëlluar me pistoletë brenda banesës së tyre. Atentatorët kanë hipur deri në katin e gjashtë dhe pasi kanë kryer krimin kanë zbritur qetësisht pa u diktuar nga askush

Vdekja

Flutura Deliu është ekzekutuar me një plumb në kokë teksa po flinte dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Djali i saj 32-vjeçar, ishte ende gjallë kur mbërriti policia në vendin e ngjarjes. Ai ndërroi jetë rrugës për në spital

Motivi

Të dhënat e para të policisë flasin për një vrasje të organizuar prej kohësh. Dyshimet e para të hetuesve janë se motivi i ngjarjes së rëndë ka qenë prishja e pazareve të vjetra të drogës, por nuk përjashtohet as hakmarrja

Hetimi

Policia e kryeqytetit ka marrë në pyetje dhjetëra persona por pa mundur që të krijojë një ide të qartë në lidhje me vrasësit. Ata janë treguar shumë gjakftohtë kur janë larguar dhe kanë lënë pak gjurmë në vendin e ngjarjes

Zbulimi

Nënë e bir janë gjetur nga e fejuara e djalit, e cila kishte qenë dy orë para ngjarjes në banesë dhe kishte shkuar te një parukeri pranë pallatit për tu rikthyer sërish. Kur ajo është kthyer ka gjetur trupat e tyre të gjakosur

Dyshimi

Pas vrasjes, policia ka shoqëruar në komisariat 20 persona. Ata janë marrë në pyetje në lidhje me atë që ka ndodhur. Ditën e djeshme policia ka shoqëruar edhe shtatë persona të tjerë por asnjë prej tyre nuk dinte gjë për ngjarjen

Policia dyshonte se personat që morën pjesë në përplasjen me armë bënin pjesë në të njëjtin grup trafiku

Ngjarja tek “Ramazan Shijaku” për pazare droge

TIRANË- Një tjetër rast kur emri i Elton Deliut është shfaqur në skedarët e policisë është ngjarja e vitit 2005 në rrugën “Ramazan Shijaku” në kryeqytet. Deliu në atë kohë 29 vjeç, kishte krijuar një “rrjet” të shpërndarjes së drogës me disa të rinj që banonin në atë zonë. Por pazaret janë prishur për një sasi narkotikësh dhe në këtë moment ka nisur konflikti. Deliu dhe persona të tjerë janë vënë në ndjekje të një djali të ri, të cilin pothuajse e kanë kapur në rrugicën e ngushtë “Ramazan Shijaku”. Aty ka ndodhur një shkëmbim i gjatë zjarri, që për fat të mirë nuk ka shënuar viktima. Për 20 minuta lagjja është terrorizuar nga krismat e shumta të armëve ndërsa plumbat kanë përfunduar në shtëpitë private të rrugicës. Pas ngjarjes policia doli me një tjetër version, sikur katër persona kishin dashur që të vrisnin Deliun. Madje, policia deklaroi në atë kohë se shkaku i kësaj ngjarjeje ishte prishja e pazareve të drogës. Por edhe pse uniformat blu pranuan faktin e trafikut të drogës, asnjë hetim i mëtejshëm nuk u krye për këtë fakt. Një vit më pas policia arrestoi në Kavajë dy prej personave që u akuzuan sikur kishin tentuar të vrisnin Deliun. Arrestimi i K. K dhe E. B u krye në fshatin qerret të Kavajës. Në banesën ku ata fshiheshin u gjetën dy armë gjahu dhe 30 gramë lëndë narkotike e tipit hashash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›