E Diel, 1 Nëntor 2026

Dell: Të përsëriten zgjedhjet dhe në Lipjan

SHBA bën thirrje për përsëritjen e zgjedhjeve lokale edhe në Gjilan, përveçse në Prizren dhe Lipjan. "Ne besojmë se, pas shqyrtimit të mëtejmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njohë në tërësi obligimin e vet, të respektojë vendimin e KZAP-it për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan", thuhet në komunikatën e lëshuar nga ambasada amerikane, pas takimit që ambasadori Christopher Dell ka zhvilluar me kryetaren e KQZ-së, Nesrin Lushta. Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, ka zhvilluar dje një takim me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta. Në një komunikatë për opinion, të lëshuar nga ambasada amerikane, thuhet se "Shtetet e Bashkuara mbështesin vendimin e KQZ-së, të datës 22 dhjetor, për të implementuar pjesërisht vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), të datës 19 dhjetor, i cili udhëzoi përsëritjen e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Prizren, Lipjan dhe Gjilan". "Ne besojmë se, pas shqyrtimit të mëtejmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njohë në tërësi obligimin e vet, të respektojë vendimin e KZAP-it për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan. Qëllimi i ligjit në këtë çështje është i qartë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgjegjësi të qartë të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në të tri komunat sipas vendimit të KZAP-it të datës 19 dhjetor", thuhet në komunikatë. "Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet e kryetares së KQZ-së, zonjës Lushta, për të siguruar zbatimin e ligjit dhe i inkurajojmë të gjitha partitë dhe entitetet politike të respektojnë si germën, ashtu edhe frymën e ligjit, gjersa ky proces vijon, si dhe të përmbahen nga përpjekjet për të minuar institucionet dhe proceset e vendosura me ligj për avantazhet e tyre partiake", thuhet në komunikatën e lëshuar nga ambasada amerikane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›