E Diel, 1 Nëntor 2026

Nderimi për kreun e opozitës së Kosovës

Ish-komandanti i UÇK-së gjatë luftës për çlirimin e Kosovës dhe më vonë Kryeministër, Ramush Haradinaj, është nderuar me titullin "Qytetar Nderi" i Kukësit me motivacionin "Për merita të shquara në zgjidhjen e çështjes kombëtare". Titullin ia dorëzoi kryetari i bashkisë, Hasan Halili, gjatë një ceremoni në Kukës, ku ishte i pranishëm edhe vetë Haradinaj, si dhe përfaqësues të politikës nga Prishtina dhe Tirana. Të njëzetepesë këshilltarët e Bashkisë së Kukësi kanë votuar në mënyrë unanime propozimin e një grupi intelektualësh për të shpallur "Qytetar Nderi" të Kukësit ish-komandantin e UÇK-së dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, aktualisht kryetar i partisë "Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës". Në dosjen e përgatitur me këtë rast ishin dokumentuar disa nga momentet domethënëse jo vetëm për jetën e Ramushit dhe familjes së tij, por edhe të Kosovës në tërësi.

Haradinaj

I njohur për kontributin me armë në dorë për çlirimin e Kosovës dhe si komandant i UÇK-së, ai lidhet me Kukësin në mënyrë të veçantë në vitin 1998, kur gjatë një mësymjeje për t‘u futur në Kosovë nga kufiri i Hasit, në krye të batalionit ushtarak që drejtonte, në përplasjen ballë përballë me ushtrinë serbe, vritet vëllai i Ramushit, Luani, teksa shtinte me mitraloz kundër pushtuesve, ndërsa në po atë aksion plagoset edhe Ramushi. Ashtu i plagosur e varros të vëllain në fshatin Vlahën të Hasit, nga ku e zhvarros pas luftës për ta rivarrosur në vendlindje, ndërsa vetë jetoi në një familje në Tropojë, derisa për pak javë shërohet dhe rikthehet në luftë. Edhe Komuna Tropojë e Vjetër e ka shpallur Haradinajn "Qytetar Nderi", pas çlirimit të Kosovës. Bashkia e Kukësit në vite ka shpallur 12 qytetarë nderi, ku ndër të tjerë bien në sy Azem Hajdari, rektori i UT-së, Dhori Kule etj.

S.Dida

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›