Moikom Zeqo: Bojkoti, një vendim personal i Ramës
“Bojkoti në Parlament i PS-së është i pakuptimtë, virtual dhe jo zyrtar”. Kështu është shprehur historiani dhe gjithashtu një nga aktivistët e PS-së, Moikom Zeqo për TV “Ora News”. Zeqo, duke e cilësuar Ramën si përgjegjës kryesor për bojkotin e PS-së dhe situatën në PS-së, theksoi se ky bojkot është një vendim personal i tij dhe jo zyrtar e gjithëpërfshirës. Sipas Zeqos, vendosja e tij në krah të kundërshtarëve të Ramës ka të bëjë me mospranimin e tij për bojkotin e Parlamentit. “Vendimi për bojkot është një delitantizëm politik dhe jo me një opozitë institucionale”, - u shpreh Zeqo. Ndërkohë, Zeqo e ka cilësuar garën për kreun e PS-së mes Ramës dhe Lakrorit si një spektakël ku nuk ka asnjë paritet juridik, sepse një nga garuesit ka funksion dhe tjetri cilësohet thjesht si anëtar. Sipas tij, fitorja e Ramës është në kontradiktë me afatin kohor të mandateve të tjera të vendosura në forume. Gjithashtu, Zeqo theksoi se zgjedhjet lokale do të rrezikohen me Ramën në krye, duke shtuar se këto zgjedhje nuk mund të fitohen, sepse nuk ka një ide të re politike që të frymëzojë opozitën.