Demaçi: Pranoj të bëhem president, nëse më kërkohet!

Aktivisti shumëvjeçar për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi, do të pranojë ofertën për t`u bërë president, nëse kjo i kërkohet nga partitë parlamentare. Emri i tij është lakuar për president të vendit, para datës 22 shkurt, kur Kuvendi, me procedura jokushtetuese, zgjodhi Behxhet Pacollin në këtë post.
Në një prononcim për Radion “Evropa e Lirë”, Demaçi u shpreh i gatshëm të marrë përsipër këtë detyrë.
“Mua zyrtarisht askush nuk më ka ofruar, unë vetëm kam përsëritur deklaratat e mia gjithmonë që jam në shërbim të popullit im, shtetit tim, kombit tim. Nuk kam ç`ka të diskutoj, unë jam njeri i kohëve të vështira, i detyrave të vështira, i situatave kur të gjitha rrugët bllokohen”, tha Demaçi.
I njëjtë ka qënë dhe qëndrimi i një ditë më parë nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku. Ai tha se për hir të stabilitetit politik, do të pranonte të udhëhiqte shtetin, në qoftëse do të kandidohej.