E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata ne Libi Turqia e gatshme te negocioje marreveshjen e paqes

Turqia ka marrë përsipër të negociojë një marrëveshje paqeje për Libinë e mbërthyer në një konflikt të armatosur e pa rrugëzgjidhje. Ndërsa takonte sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Rasmusen, i cili ka realizuar një vizitë të shkurtër në Ankara, ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu konfirmoi se Turqia është duke kërkuar të negociojë armëpushimin në Libi dhe po takohet për këtë qëllim me të gjitha palët. I dërguari i kolonel Gadafit, Abdelati al-Obeidi, pas Athinës ka mbërritur në Ankara, në kërkim të një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës në vendin e tij.

"Ne do të kemi një takim me të dërguarin libian, ndërkohë që bisedimet vazhdojnë edhe me kryengritësit e Këshillit Kombëtar të Libisë të cilët do të na vizitojnë së shpejti. Turqia do të bëjë më të mirën që mundet për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe për arritjen e një axhende që përfshin kërkesat politike të popullit libian”- tha ministri i jashtëm turk.

Numri dy i diplomacisë libiane, Obeidi takoi Davutoglu në etapën e dytë të misionit të tij, dhe një zyrtar turk i ministrisë së Jashtme tha se të dyja palët kanë disa ide për një armëpushim të mundshëm. Më herët, zyrtarët grekë thanë se Libia po kërkon negocimin e një marrëveshjeje politike, pasi konflikti brenda për brenda me kryengritësit duket i pamundur për të marrë një zgjidhje.

“Nga ajo që mësuam nga i dërguari i Libisë, regjimi në Tripoli po kërkon të gjejë një zgjidhje. Ka nevojë për një sforcim për paqe e stabilitet në Libi”- tha ministri i Jashtëm grek, Dimitris Drutsas.

I dërguari i kolonel Gadafit, pritet të vizitojë të martën edhe Maltën. Pavarësisht një dëshire për të biseduar, nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se çfarë ofron Libia në shkëmbim të një marrëveshjeje, ndërkohë që front i luftës vazhdon të jetë i ndezur përreth qytetit të pasur me naftë të Bregas, e ndërkohë që kryengritësit vazhdojnë të bombardohen nga forcat e Gadafit në qytetet perëndimore, si Misrata.

Një anije turke ka arritur të evakuuojë të plagosurit nga Misrata dhe Bengazi, dhe rrëfimet e tyre tregojnë një gjendje ekstreme, me mungesa në energji, uje e ushqim, por edhe me snajperat që qëllojnë nga çatitë.

Juli Prifti Azhornuar së fundi ( e hënë , 04 prill 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›