E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milkani: Si e binda “komisar Katanin” të vinte në filmin tim

Pirro Milkani: “Mikele Plaçido, në Tiranë, në gjysmën e parë të marsit”. Flet regjisori pas premierës së filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder”
Matilda Arapi

Regjisori Pirro Milkani e nisi këtë film me 200 milionë lekë dhe e përfundoi në mënyrë të suksesshme. E pohon ai vetë se “ishte një gomarllëk, pasi vetëm përpunimi dhe stampimi i negativit kushtojnë mbi 100 milionë...”. Gjithsesi, kineasti i njohur ia doli mbanë misionit të tij. Nëpërmjet këtij filmi, Milkani rijetësoi kujtimet e kohës studentore duke i dhënë fund pengut që mbante prej vitesh. E sheh sot tek takohet dhe përshëndetet me publikun në kinema Millenium, nga i cili pret mbështetjen më të madhe. Interesant është edhe fakti se si Milkani mundi të merrte në këtë film një aktor të njohur si Mikele Plaçido. Madje, në intervistën e dhënë ekskluzivisht për gazetën “Albania”, ai pohon se ndoshta brenda dy javëve të para të këtij muaji “komisar Katani” do të vijë vetëm për 24 orë në Tiranë, për të parë filmin dhe për të takuar miqtë e tij në Shqipëri.
Pas dy vitesh pritjeje, filmi juaj “Trishtimi i zonjës Shnajder” u promovua. Si ndiheni?
Premiera e filmit me të vërtetë është një çlirim shpirtëror e fizik kur e shikon krejt të mbaruar. Më duket sikur kam kaluar një sëmundje, por jam shëruar plotësisht dhe këtë shërim ma ka dhënë publiku. Nga eksperienca që kam, isha bërë sy e veshë i tëri në këta dy net për të ndier reagimin e publikut dhe kuptova që reagimi ishte në kohën dhe momentin e duhur. Nuk është një komedi që të qeshin nga fillimi deri në fund, por ka disa skena fine që njerëzit qeshin. P.sh. personazhi i kuzhinieres është mjaft simpatik dhe e plotëson filmin, jo vetëm figurën e Lekës por edhe atmosferën e Çekisë, mentalitetin e vajzave kudo që janë, në Çeki, Shqipëri apo Afrikën e Jugut. Ëndrra për t’u bërë aktore është një magji. Në një vepër autobiografike nuk është nevoja të marrësh vetëm një shembull, një përjetim personal, por ke një përgjithësim. Më kujtohet që në fund të qershorit, fillim korriku, vajzat e provincës dyndeshin në Pragë, të gjitha me ëndrrën për t’u bërë aktore teatri dhe kinematografie. Por kishte edhe mashtrues, të cilët e keqpërdornin këtë pasion të tyre. Them që filmi është i mirë, por do të jetë edhe më i mirë po të ndiqet nga publiku. E them këtë pasi njerëzit sot më shumë preferojnë të pinë një kafe në klub e të kërcejnë në disko. Të jetuarit dhe të shijuarit e një vepre artistike në kolektiv është diçka e mrekullueshme, sidomos kur ke atë shoqen ose shokun përbri që të buzëqesh dhe reagon, ky përjetim është i dyfishtë. Është ndryshe të shikosh një film në shtëpi.
Çfarë prisni nga premiera e filmit në Çeki?
Me një lloj ambicjeje pres t’u tregoj kolegëve të mi që kanë bërë emër në botë se edhe unë jam po aq i përgatitur profesionalisht sa ata, ndonëse krijova në një vend të izoluar. Pres një publik që të më thotë po ato fjalë të mira që i thotë edhe publiku shqiptar, atëherë do ta kuptoj vlerën universale të filmit. Nga ana tjetër, Praga është një qytet me një larmi veprimtarish kulturore të jashtëzakonshme. Vetëm sivjet, atje do të shfaqen 20 premiera filmash. Ajo që më ngushëllon është fakti se publiku, rinia çeke, është tepër me shije. Djemtë dhe vajzat çeke, kur kanë në vitrinë një film amerikan dhe një çek, përzgjedhin prodhimin e tyre, edhe pse ai është më i dobët. Me siguri që dhe filmi më i dobët çek merr 20 mijë spektatorë. Film i suksesshëm në Çeki do të thotë të mbledhësh gjysmë milionë spektatorë. Të paktën 20 mijë spektatorë filmi do t’i marrë, por këta 20 mijë çekë do të informohen se edhe në Shqipëri paska kulturë kinematografike.
Në filmin tuaj luan edhe Mikele Plaçido, i njohur për shqiptarët me rolin e tij si komisar Katani. Si arritët ta bindnit atë që të merrte pjesë në filmin tuaj?
(Qesh) Me miqësi. Mikele Plaçidon unë e kam njohur qysh në vitin 1994, gjatë xhirimit të filmit “L’Amerika”. Mos harroni që 15 vjet më përpara ishte shumë më popullor, më i ri, më i bukur. Nuk më harrohet kur po xhironim në Durrës dhe ambasadori i Rumanisë m’u lut ta çoja Mikelen në festën që ai organizonte. I them Mikeles që na presin në orën pesë dhe ai më thotë: “Miku im, po ora është pesë dhe ne jemi duke xhiruar...”. Do të shkojmë me vonesë, - i thashë, dhe ashtu bëmë. Kur kemi hyrë në sallë te Ambasada Rumune, mjedisi u elektrizua dhe të gjithë donin që t’u prezantoja “komisar Katanin”. Ambasadorët më luteshin t’ua çoja atë për darkë. Kur shkova në Romë, ai ishte duke xhiruar një film. Na dha gjysmë ore për një intervistë dhe pyetja bombë që i bëra ishte: “Sikur t’ju propozoja një rol në një film që po përgatis, a vjen?”. Ai tha: “Për ty do të vij patjetër”. Ishte një gëzim i madh dhe për t’u siguruar e pyeta nëse mund ta botoja në shtyp këtë fjalë dhe Mikele pranoi. Në një farë mënyre ndihej i obliguar dhe erdhi.
Mendoni se ai do të jetë me ju në premierën tjetër në Çeki?
Ai mbi të gjitha do të jetë në Shqipëri. Vërtet i ka dalë një punë e rëndësishme, një miting i madh në Romë, por më pyeti se kur është premiera e radhës. Më tha se do të vinte në Pragë, ndërsa unë iu përgjigja: “Nuk më bëhet vonë fare, të dua në Shqipëri”. Ai nuk gënjen dhe ka shumë angazhime. Midis 1 dhe 15 marsit, duke shpresuar që ky film të jetë në kinema, ai do të vijë në Tiranë për 24 orë. Do të futet në sallë të shohë filmin që nuk e ka parë, të bisedojë me ne dhe të kthehet.
A mendoni se prezenca e Mikele Plaçidos në filmin tuaj do t’i japë më shumë shans suksesit?
Natyrisht. Filmi ndërtohet mbi mite, legjenda, mbi emra aktorësh. Shpeshherë ka një kategori publiku që shkojnë në kinema vetëm për aktorin e tyre të zemrës. Rinia çeke e admiron Anna Geislerovën, por të moshuarit janë kurreshtarë të shohin Mikele Plaçidon. Kështu do të ketë dy kategori njerëzish. Megjithatë, gjithmonë filmi është enigmë. Shenjat janë që ky film duhet të marrë spektatorë. Vetë Mikele e vizitoi këtë vend falë filmit tim. Edhe pse ka një rol të vogël, ai jep disa sentenca filozofike për jetën, nga të cilat njeriu nxjerr mësime. Është tepër e goditur shprehja e tij në film: “...Në fund të fundit, gjërat kthehen në vendin e tyre”.
Gjatë premierës së filmit dukej se në sytë e Janës dhe të Lekës, personazhet kryesore, (Anna Geislerova dhe Nik Xhelilaj), nuk kishte lot. Ato ishin zhvendosur te sportelistja e hotelit (Bara Shqepanova). Pse?
Dhimbja shprehet në mënyra të ndryshme. Ka tipa sentimentalë, ka tipa që mundohen ta mbajnë e ta gëlltisin brenda dhimbjen. Dhimbja e Janës, edhe pse pa derdhur lot, është ajo e sportelistes kur lexon letrën. Jana e ndien se Lekës diçka do t’i ndodhë, prandaj i lutet që ta presë se do të kthehet shpejt. Historikisht, mijëra studentë që studionin jashtë, edhe pse ishin të zgjuar, janë kthyer. Ata e dinin që vinin në një vend të prapambetur. U dukej si një obligacion që këtë vend, këtë Shqipëri, ku kishin lindur, ku ishin familjet e tyre, duhej ta bënin më të mirë. Kjo i bënte më të fortë, t’i vinin një gur zemrës, të linin një dashuri aty dhe të ktheheshin në vendin e tyre.
A do të donit të bënit një film tjetër me kujtimet tuaja rreth kohës kur keni studiuar në Çeki?
Unë mendoj që me këtë film u ezaurua gjithçka. Kam shumë histori të përjetuara, edhe më interesante, jo thjesht si aventura sesa si gjëra që mund t’i sjellin diçka spektatorit. Por, kujtimet e mia do të zgjohen nga “Trishtimi i zonjës Shnajder”, aty ka dhe shumë histori të tjera.
Pse e zgjodhët Enon si bashkëpunëtor?
Kur ai xhiroi filmin “Edeni i braktisur” isha në spital. Enoja ma solli filmin aty dhe me kënaqësi zbulova i emocionuar që Eno kishte cilësi të mira kinematografike. E përqafova, madje fillova të qaja. Kjo më dha zemër që me këtë djalë mund të bashkëpunoja në filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder”. Aq më tepër që kam natyrë tregimtare dhe Enoja, duke qenë djali im, i ka dëgjuar këto histori. Ai është magjepsur kur një ditë i thashë se do ta bënim bashkë filmin mbi historitë që i dinte shumë mirë. Fillimi dhe mbyllja e filmit, hyrja e dalja nga tuneli, janë ideja e Enos. Finesat e filmit i përkasin atij. Gjithashtu, ka edhe shumë kontribute të tjera, si recitimi i kuzhinieres në oborr para Arturit, teksa Leka shikonte nga lart dhe qeshte.
Kush ishte aktori më i paguar në filmin tuaj?
Mikele Plaçido, edhe pse e kisha mik. E pagova më shumë, por kjo është shumë pak në krahasim me atë që ai merr në Itali. Mikele ka xhiruar në Hollivud dhe bota e kinemasë ka diferencime. Më kërkoi një shumë minimale që ishte 20 mijë euro për tri ditë.

3 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›