E si është e mundur?
Vladimir GOLEV
Mësuesi plak, me kapele e jelek të ngrënë nga koha, nxori nga xhepi një grusht qindarka dhe zuri t’i numërojë. Bëheshin gjithsej dy leva. O-ho-o! Mjaftonin sa për një bukë, për dy kokrra domate e për një kupë kos. Tepronin dhe për një kafe. Qysh kur nuk kishte pirë kafe? Nuk mbahej mend.
Në tryezën ku qe ulur, tavlla ende nxirrte tym nga cigarja e lënë pa u pirë deri në fund prej ndokujt. Cigare e markës së shtrenjtë. Philip Morris. E shojti me gisht dhe u kujtua se i qe çarë hunda për një. Do të kishte pirë dhjetë cigare ndez e shuaj, po të kishte, edhe pse mirëfilli e dinte se, sapo të thithte të parën, do t’i merrej fryma nga tymi i fortë, do të rënkonte e do ta flakte. Këto vitet e fundit astma sa vinte e po e mundonte më tepër. Por jo vetëm për këtë shkak. Qindarkat nuk i mjaftonin as për të blerë një gazetë. E kishte bërë hesapin që, nëse përditë blinte nga një gazetë, me ato pare gjatë muajit mund të blinte njëzet e ca bukë. Mund të bënte edhe pa gazetë. Edhe pa cigare, ashtu sikundër mund të bënte edhe pa mish, sheqer e fruta. Njeriu bën si bën, i thoshte vetes. Çfarë nuk kishte ngrënë gjatë viteve?
Një hap larg tij qenë ulur një djalë e një vajzë. I tërhoqi vëmendjen pamja e tyre e trishtuar. Në tryezë, para syve të tyre, rrinte ngrirë një shishe me ujë të gazuar, si dhe dy gota të zbrazëta. Ishin mospërfillës ndaj gjithçkaje rretherrotull. Një fustan i zbërdhylur cope të lirë, një palë sandale të vitit të kaluar dhe kurrfarë stolie në qafën e hollë vajza, me vështrim të zbrazët, sikur nuk merrte frymë në këtë botë. Djali, me xhakoventon e vjetër hedhur krahëve, me këpucë të zeza dimri në mes të verës, mbante shtrënguar në duar një dosje najloni dokumentash. Kandidatë-studentë, mendoi mësuesi. Kushedi nga i ka sjellë era për të dhënë këtu provimet e konkursit për në universitet. E zuri trishtimi me ç’po i shihnin sytë. Këto fytyra të munduara, këto vështrime pa shprehje dhe kjo shishe uji e gazuar me dy gota të zbrazëta e gjitha kjo të ndrydhte dhimbjesh, të ngjallte ndjesinë e poshtërimit deri në kockë. Si ka mundësi? Si ka mundësi? Në moshën e tyre? pyeste veten mësuesi plak, që kishte edukuar qindra e qindra fëmijë në atë shkollë të hershme.
Kamerierja nxori nga xhepi i përparëses bllokun për të shënuar porosinë. Gati sa s’i dolën fjalët “Një kafe, ju lutem!”, por se ç’ia preu në mes dhe i vuri kamerieres në dorë grushtin e qindarkave:
Merrni sa ju duhen dhe jepu nga një akullore këtyre fëmijëve (i kishte mbetur zakoni i lashtë i mësuesit për t’i quajtur të gjithë fëmijë të vegjël).
Dhe, si heshti pak, shtoi:
Sot kam ditëlindjen dhe s’kam kë të qeras. Djemtë e mi janë në Spanjë.
Mblodhi qindarkat e kusurit dhe u ngrit. Djali dhe vajza, që e kishin dëgjuar, u befasuan sa s’ka. Syve u shndriti një fije gëzimi. E përshëndetën me kokë. A e besuan, vallë, gënjeshtrën e tij naive?
“Fukarai jep, i kamuri kurrë”, tha me vete mësuesi.
Përktheu Abdurrahim Myftiu
_____________
Vladimir Golev ka lindur në Bansko, Bullgari. Poet, romancier, dramaturg, përkthyes. Fitues i shumë çmimeve letrare të rëndësishme. Është përkthyer në frengjisht, anglisht, rusisht, gjermanisht, arabisht e në disa gjuhë të Ballkanit.
3 Mars 2008