E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: “Pollo të ndryshojë kriteret për emërimin e mësuesve”

Pas ankesave, Avokati i Popullit i rekomandon ministrit të Arsimit. Përzgjedhja e mësuesve sipas performancës dhe meritës së tyre
Laureta Rryçi

Tiranë - Ministria e Arsimit duhet të marrë masa të menjëhershme për të përcaktuar kritere të qarta për emërimin e mësuesve. Avokati i Popullit, nëpërmjet një shkrese zyrtare, i ka kërkuar ministrit të Arsimit, Genc Pollo, jo vetëm të ndryshojë mënyrën e emërimit për mësuesit, por edhe përzgjedhjen e tyre. Burime pranë zyrës së Avokatit të Popullit pohuan dje për gazetën “Albania” se tashmë rekomandimi ka mbërritur në tavolinën e ministrit të Arsimit dhe janë në pritje për përgjigje mbi masat që do të merren.

Ankesat

Institucioni i Avokatit të Popullit, gjatë vitit 2007 ka trajtuar një numër të konsideruar ankesash të ardhura ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe institucioneve në vartësi të saj. Një pjesë e madhe ankesash kanë pasur si objekt problematika që lidhen me marrëdhënien e punësimit në sektorin e arsimit, duke filluar që nga problemi i pagesës, shpërblimeve, trajtimeve të veçanta, marrjes në punë apo edhe largimet nga puna të personelit mësimdhënës. Sipas Dobjanit, gjatë trajtimit të këtyre ankesave janë evidentuar një sërë problemesh si në drejtim të mënyrës së rregullimit ligjor të marrëdhënieve të punës së personelit mësimdhënës në sistemin parauniversitar, ashtu dhe ne drejtim të moszbatimit të drejtë të këtij kuadri ligjor nga ana e organeve përgjegjëse. Avokati i Popullit ka evidentuar se Dispozitat Normative të Arsimit Parauniversitar nuk janë miratuar me urdhër apo udhëzim të ministrit të Arsimit. Ato janë firmosur nga ministri, duke u dërguar për zbatim me shkresë zyrtare nga sekretari i Përgjithshëm. Në këto kushte, nevojitet rregullimi sipas Kushtetutës i kësaj çështjeje.

Rekomandimi

Në rekomandimin që i është nisur Pollos, një pjesë e rëndësishme e Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2004-2015 është edhe rritja e cilësisë së mësimdhënies. Kjo do të realizohet nëpërmjet procesit të kurrikulës për trajnimin e mësuesve, skemës motivuese të punësimit të bazuar në meritat, shqyrtimit të modeleve të reja dhe alternative të trajnimit të mësuesve etj. Por tërheqja dhe mbajtja në punë e mësuesve cilësorë, kërkon studimin e skemave të reja te motivimit, të cilat bazohen në performancë/meritë dhe jo thjesht në stazhin e punës. Sipas Dobjanit, në rast se me “kërkesa që lidhen me përgatitjen iniciale” do të kuptojmë kushtet që duhet të përmbushë një mësues për t’u punësuar si i tillë në arsimin parauniversitar, atëherë këto të fundit duhet të miratohen me një akt të Ministrit të Arsimit. Në aktet, të cilat janë miratuar pas ligjit, rezulton që Dispozitat Normative në nenet 46 dhe 55 të tyre të referojnë te Kontrata Kolektive, e cila duhet të parashikojë masat disiplinore dhe te Kodi i Punës përsa u përket lëvizjeve në punë të mësuesve. Pra as ligji dhe as Dispozitat Normative nuk parashikojnë kërkesa që lidhen me përgatitjen iniciale të mësuesve. “Me gjithë kundërshtitë e konstatuara me sipër, duke e marrë si pozitiv faktin e parashikimit të një procedure konkurrimi për një vend të lirë pune, kjo e fundit nuk evidentohet të jetë kryer rregullisht nga ana e Drejtorive Arsimore Rajonale apo Zyrave Arsimore, të cilave ju është kërkuar ta konfirmojnë zyrtarisht këtë’, thuhet në rekomandim.

Regjistrimi i mësuesve

Regjistrimi i mësuesve do të shërbejë si parakusht për të zënë një vend pune si mësues. Në këtë akt theksohet me forcë se procedura e aplikimit për vend pune, e miratimit dhe e zgjidhjes së konflikteve, duhet të hartohet dhe miratohet formalisht nga qeveria dhe MASH-i. Kjo duhet të realizohet së bashku me reformën e programeve të trajnimit të mësuesve.

Rekomandimi

1. Rregullimi i posaçëm ligjor apo nënligjor i kritereve që duhet të përmbushë një person që të punësohet si mësues në arsimin parauniversitar.

2. Parashikimi në mënyrë të qartë dhe pa ekuivok i procedurës së aplikimit për vend pune, si dhe i mënyrës së zgjidhjes së konflikteve që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës për personelin mësimdhënës në arsimin parauniversitar.

3 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›