E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grahmat e fundit të trenit blu të mareshallit Tito

Gazeta “Le Monde” rrëfen situatën në Beogradin e vitit 1981. Shkrimi është ribotuar në gazetën “Bashkimi”
Po botojmë më poshtë artikullin e gazetës franceze “Le Monde”, të datës 14 mars 1982, me titull: “Lamtumirë Kongres festiv!” kushtuar gjendjes aktuale në Jugosllavi. Vendi i kongreseve dhe i vizitave zyrtare e ka pakësuar bujën. Valuta gjendet rrallë, me përjashtim të disa personave. Gjatë tri dekadave, udhëheqja jugosllave është preokupuar mbi të gjitha për ngjarjet ndërkombëtare. Duke praktikuar një politikë të jashtme të shumëkohshme, ajo ka shpërndarë emisarë në të gjitha anët e botës dhe, nga ana tjetër, mund të themi se çdo ditë ka pritur delegacione dhe personalitete shtetërore të huaja, të cilëve ndërkohë u ka rezervuar një pritje pompoze dhe të kushtueshme. Pasuesit e Titos u kanë qëndruar besnikë koncepteve të mosangazhimit, por i kanë pakësuar vajtje-ardhjet pambarim dhe u kanë dhënë atyre një formë dhe përmbajtje modeste. Kjo vlen edhe për kohëzgjatjen e vizitave zyrtare, të cilat janë kufizuar deri në tri ditë maksimumi. Tani në rrugë nuk ka më popull për të përshëndetur vizitorin, meqenëse është hequr dorë nga një rregull i pashkruar, sipas të cilit lejoheshe të shëtisje sa të doje nga një cep i vendit në tjetrin, për t’u njohur me sistemin shoqëror ose thjesht për t’u kënaqur me bukurinë e natyrës. Banketet, koktejlet dhe pritjet janë pakësuar në minimum. Në momentin e vështirësive të imponuara nga një krizë e rëndë ekonomike, Jugosllavia ka pushtuar së qëni një vend socialist i tipit mikpritës. Avionët specialë, që mund t’u shërbenin zyrtarëve të rangut të dytë, nuk shihen më në qiell. Treni i famshëm blu i Titos nuk qarkullon më nëpër periferitë e kryeqytetit, ndërsa “Galebi”, anija në bordin e së cilës janë ndërmarrë lundrime të famshme turistike, nuk është më anije-shkollë për marinën kombëtare. Përdorimi i mercedezëve luksozë të federatës bëhet mbi bazën e një programi rigoroz, ndërsa në përgjithësi përfaqësimi protokollor diktohet rigorozisht nga mundësitë financiare. Sipas një dekreti, kongreset dhe mbledhjet e tjera ndërkombëtare, për të cilat Jugosllavia mban ndofta rekordin botëror, nuk mund të zhvillohen pa kërkuar autorizimin e qeverisë që një vit më parë. Me qëllim që të përdoret më me nikoqirllëk valuta e huaj, janë mbyllur rreth njëzet agjenci tregtare, si dhe një numër përfaqësish diplomatike dhe konsullatash. Monedhat e konvertueshme janë kthyer në një makth për jugosllavët. Këtu të flasin vetëm për dollarë, marka, franga zvicerane ose franceze. Meqenëse shteti dhe ekonomia e ndiejnë më shumë mungesën e këtyre monedhave, shtypi shkruan, herë pas here, se kjo ose ajo ndërmarrje është detyruar të ndërpresë ose të pakësojë prodhimin e vet për shkak të mungesës së valutës së nevojshme për importimin e lëndëve të para ose të produkteve gjysmë të gatshme. Gjendja bëhet edhe më e vështirë mbasi huatë e marra nga jashtë ose nga bankat kombëtare (më parë relativisht të lehta për t’u marrë) u nënshtrohen kushteve të rënda. Sigurisht, ndërmarrjet eksportuese që disponojnë teprica valute u japin ndërmarrjeve që nuk kanë, por ama me një kurs interesi 10-30 për qind më të lartë se kursi zyrtar. Veprime të tilla janë të ndaluara, por praktikohen vazhdimisht pa rrezikun se ashpërsia e ligjit do të ndëshkojë shkelësit e tij. Ata që nuk eksportojnë, por që sidoqoftë kanë nevojë për valutë, u kërkojnë klientëve të tyre eksportues që një pjesë të shlyerjeve t’ua bëjnë në valutë të huaj. Në qoftë se refuzojnë të paguajnë pjesërisht në valutë, hoteleve nuk u furnizohen prodhime bujqësore dhe uzinave nuk u jepet çelik. Në disa raste, kjo procedurë i ngjan një shantazhi. Disa qytetarë disponojnë shuma të konsiderueshme valute. Ajo është rrjedhim i mandateve të punëtorëve jugosllavë me punë në Perëndim, i turizmit, si dhe i të gjitha llojeve të transaksioneve pak a shumë të pranuara. Ata e depozitojnë atë nëpër banka (pa qenë të detyruar të justifikojnë burimin e saj), duke e përdorur për blerje të mëdha ose për të pasur pozita të forta financiare në raste zhvlerësimesh të monedhës vendase apo edhe për ta financuar jashtë shtetit. Pavarësisht nga kriza, disa ende i kalojnë pushimet e tyre në Austri, Itali, Greqi apo Spanjë ose ndërmarrin udhëtime për qejf në Kanada, Australi, Kinë ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga 7 miliardë dollarë që figuronin më 1981-shin në llogaritë bankare të personave privatë, 3 miliardë janë tërhequr. Për ç’qëllim? Asnjeri nuk e di saktë. Pjesa më e madhe e kësaj shume është harxhuar jashtë shtetit, gjë që ka bërë që jugosllavët të eksportojnë në valutë në një kohë që shteti ka vështirësi të mëdha për ta gjetur. Në krahinat me emigracion të madh politik, shitblerjet e shtëpive e të tokave bëhen në monedha të forta. Në zonat turistike, privatët u kërkojnë të huajve të paguajnë me valutë dhe jo me dinarë. Në bazë të ligjit kjo është shkelje, por ama kjo nuk do të thotë që ndonjë pronar restoranti apo pensioni të jetë dënuar ndonjëherë për këtë arsye. Sipas shtypit, vitin që shkoi në xhepat e privatëve mbetën në këtë formë 500-700 milionë dollarë. Pasuritë e disa personave janë të tilla saqë treqind zotërues valute kanë deklaruar kohët e fundit se janë treguar të gatshëm të blejnë toka për ndërtime në... Florida. Mund të shtojmë se këto toka ishin ofruar nga një sekser dhe ishin shpallur në njërën prej të përditshmeve të Beogradit. Ndërkohë që ende ka njerëz që nuk privohen nga trillet e tyre, në të kundërtën një shtresë e gjerë e popullsisë kufizon nevojat e veta të përditshme. Ajo nuk ka as valutë dhe as dinarë. Nga ana tjetër, mjafton t’u hedhësh një sy gazetave për të parë se gërshëra e pagave është zgjeruar dhe se pabarazia shoqërore është thelluar. Fillimi i vitit u karakterizua nga një valë ngritjesh të çmimeve që ishte më e madhja që ka njohur Jugosllavia që pas Luftës. Një gjë e tillë shkaktoi një pakënaqësi të përgjithshme dhe një ballafaqim të pazakontë midis republikanëve të federuara dhe qeverisë.

Shkrimi është botuar në gazetën “Bashkimi” më 16 prill 1982
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

Në numrin e ardhshëm do të lexoni:

Rikthehen demonstratat në vitin 1982: Kërkohet Kosova republikë

Pas përleshjeve të vitit 1981 në Prishtinë, rikthehen trazirat në të gjithë vendin

Përplasje të hapura në Podujevë dhe në vende të tjera, plagosen disa persona

Kërkohet shkëputja e vendit nga Beogradi. Reagime të zbehta nga Tirana zyrtare

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

3 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›