E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmet e Gërdecit, sekuestro pronave të Pinarit

 

TIRANE – Dëmet materiale që u sollën qytetarëve dhe shtetit  duket se do t’u kushtojnë gjithë pasurinë, të akuzuarve kryesorë për tragjedinë e Gërdecit. Ligjet shqiptare nuk parashikojnë hetim pasuror dhe bllokim pronash ndaj personave të akuzuar për vrasje, megjithatë dosja “Gërdeci” për vetë specifikën e saj duket se bën përjashtim. Katër të akuzuarit për vrasje, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi, veç vrasjes së 26 personave, akuzohen se përmes krimit që kanë kryer, shkaktuan te qytetarët dhe buxheti i shtetit një dëm që arrin në 22 miliardë lekë. Ky argument, i provuar me faktet e mbledhura në dosjen “Gërdeci”, ka ndihmuar Prokurorinë të ligjërojë hetimin pasuror ndaj katër të pandehurve për “vrasje masive” në punishten e demontimit të municioneve. Hetimi përfshin verifikime në banka, tatime, dogana, Hipoteka dhe për zyrtarët, edhe në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Mihal Delijorgji, personazhi kontravers i botës së biznesit në Shqipëri, ishte i pari të cilit iu hetua dhe iu bllokua pasuria. Bëhet fjalë për tetë llogari bankare me vlerë 900 mijë euro, ndërtime dhe troje, 18 mijë metra katrorë në Shkozet të Durrësit, troje dhe pallate banimi, 11 mijë metra katrorë në zonën e ish-uzinës “Enver” në Tiranë, lokal dhe banesë, 824 m2 ndodhur në fshatin Sofratikë të Gjirokastrës, tokë me sipërfaqe 1783 m2, tek ish-parku i mallrave, rruga e Kavajës në Tiranë, toka dhe troje të tjera me sipërfaqe ndërtimi, në 17 raste, truall me sipërfaqe 14.500 m2, në zonën kadastrale 8616, Durrës dhe sipërfaqe trualli prej 3523 m2, në zonën kadastrale 8515, Durrës. Pas zbulimit dhe bllokimit të pronave të Mihal Delijorgjit, Prokuroria është përqendruar në identifikimin e pronave të ish-drejtorit të Ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, zyrtar i lartë shtetëror i pandehur në dosjen “Gërdeci”. Sipas burimeve zyrtare, në emër të tij janë gjetur prona të shumta, të cilat do të përdoren për shlyerjen e dëmeve në rast se ish-drejtori i Ndërmarrjes MEICO shpallet fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij. Hetimi i pasurive të Ylli Pinarit është bërë nga Prokuroria edhe me qëllim verifikimin e përfitimeve të mundshme materiale kundrejt favorizimit që ai i ka ofruar kompanisë amerikane SAC dhe firmës “Albademil” të Mihal Delijorgjit, që në të vërtetë fshihej pas subjektit të ardhur nga SHBA. Prokuroria e Përgjithshme tha se po heton edhe pronat e dy të akuzuarve të tjerë për vrasje masive në Gërdec, Dritan Minxolli, ish-drejtor i fabrikës dhe Sokol Ngjeçi, ish-mbikëqyrës i ndërmarrjes MEICO, në rajonin ku bëhej demontimi i municioneve.   tr.so

Pasuritë e Ylli Pinarit

1. Apartament 270 metra katrorë, me vlerë 7.2 milionë lekë, Tiranë.
2. Sipërfaqe apartamentesh ku është pjesërisht pronar, 150 metra katrorë në Tiranë
3. Apartament banimi në Golem me vlerë 36.4 milionë lekë dhe një dyqan me sipërfaqe 100 m2
4. Pjesa e pronësisë në truall me sipërfaqe 2333 metra katrorë në Tiranë
5. Pjesa e pronësisë në truall me sipërfaqe 122 metra katrorë, Tiranë
6. Sipërfaqe toke bujqësore prej 22 hektarësh në Tiranë
7. Autovetura tip “Skoda” me vlerë 1 milionë lekë
8. Autovetura “Volksëagen” me vlerë 250 000 mijë lekë
9. Llogari bankare në vlerën 10 mijë euro në bankat e nivelit të dytë, Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›