E Diel, 1 Nëntor 2026

Bora, nuset shkojnë me kalë te burri

 

PESHKOPI/ HASAN PASHA

I janë kthyer mesjetës banorët e Kalasë së Dodës në rrethin e Dibrës. Qëmoti nuset përcilleshin tek burri me kalë. Kuptohet asokohe nuk kishte rrugë dhe as mjete transporti. Po halli e deshi që banorët e fshatit të thellë t’i ktheheshin ritit të vjetër. Rruga që lidh këtë zonë me qytetin e Peshkopisë është bllokuar që ditën e premte në mesditë. Askush nuk mund të lëvizë me mjete motorike nga Kalaja e Dodës në drejtim të qendrës administrative, Peshkopisë apo më tej, në rrethe të tjera. Nëse banorët e tjerë të Kalasë së Dodës kishin gjendje ushqime e bukë, dy familje të kësaj treve kishin një hall të madh. I gëzonte fakti se kishin dasmë, martonin vajzat, por ishin të shqetësuar pa masë se nuk kishte rrugë për t’i përcjellë ato. Njëra nga vajzat e Kalasë së Dodës duhet të udhëtonte në drejtim të Tiranës dhe tjetra në drejtim të Kukësit. Burime nga fshati treguan se, dasmorët u mblodhën të shtunën, ashtu në kushte të vështira. Pa energji elektrike dhe në kushte të vështira klimaterike. Ndërkohë mëngjesi i ditës së djeshme ka rezultuar i vështirë si për dasmorët dhe për nuset, dhëndurët dhe të afërmit e tyre. Të shtunën po në kushte mjaft të vështira kanë udhëtuar më këmbë dhe kafshë ngarkese krushqit. Ndërkohë, në të gdhirë të ditës së djeshme të afërmit e të familjeve që martonin vajzat janë mobilizuar për të transportuar nuset dhe miqtë deri në Peshkopi dhe Kukës. Të paktën janë dashur mbi 5 orë udhëtim në kushte mjaft të rënda, pasi lartësia e dëborës i kalonte 100 cm. Vajzat nuse janë mbështjellë mirë me rroba pasi qëndrimi i tyre në kalë ishte i vështirë, sidomos për shkak të ftohtit. Banorët, sidomos dasmorët janë shprehur të indinjuar ndaj strukturave shtetërore që nuk u interesuan për hapjen e rrugës, megjithëse ata kishin kërkuar ndihmë.
Ndërkohë ka ardhur duke u përmirësuar gjendja klimaterike në qytetet Peshkopi, Burrel, Klos e Burrel. Jo vetëm shtabet e emergjencave civile, por dhe ndërmarrjet e rrugëve, bashkitë dhe ushtria kanë kontribuar në hapjen e akseve rrugore nacionale. Rruga Peshkopi-Milot ka funksionuar më mirë nga tre ditët e mëparshme, ndërkohë rruga Peshkopi-Kukës edhe dje ka rezultuar e bllokuar. Nëse gjendja e rrugëve nacionale erdhi duke u përmirësuar, shumica e rrugëve rurale kanë qenë dhe dje të bllokuara. Drejtorët e ndërmarrjeve rurale të rretheve Mat, Bulqizë e Dibër kanë pohuar se nuk kanë as fonde, mjete apo forca për të mundësuar hapjen e rrugëve që lidhin komunat me qendrat administrative të rretheve. Më kritike gjendja paraqitej në komunat Kala e Dodës, Lurë e Selishtë në rrethin e Dibrës, Martanesh, Ostren e Trebisht në rrethin e Bulqizës dhe Xibër, Macukull e Derjan në rrethin e Matit. Banorët e komunës së Xibrit thanë për gazetën “Panorama” se prej së premtes ato janë të izoluar plotësisht. Kryetari i fshatit Xibër Murrize, Riza Fejza tha se më shumë se 5 mijë banorë janë të bllokuar, pasi trashësia e dëborës arrin deri në 150 cm. “Rruga nga qyteti i Klosit për në fshatrat e komunës tonë është e bllokuar. Nuk bëhet fjalë për mbledhje të shtabit të emergjencave civile, pasi dhe kryetari i komunës ndodhet në Tiranë prej ditësh dhe nuk ka mundësi të kthehet në vendlindje. Spitali është mbyllur pasi infermieret dhe mjekët nuk kanë asnjë mundësi të mbërrijnë në qendër të komunës”, pohoi ai. Në gjendje kritike ishin dje dhe banorët e fshatit malor të Selixës në komunën e Komësisë. Banorët kanë lëshuar dje sinjalin “sos”, duke kërkuar ndihma ushqimore, pasi askush nuk e mendonte se gjendja do të përkeqësuar kaq shumë në këtë stinë.

Hapet rruga në Qafë-Mali
KUKES - Një situatë më e përmirësuar ka qenë gjatë ditës së djeshme në Qarkun e Kukësit. Pas një bllokimi prej 24 orëve në Qafë-Mali, aksi kombëtar i rrugës Kukës-Tiranë është zhbllokuar dhe rreth orës 23:00 të së shtunës karvanët me qindra automjete te bllokuara në dy drejtimet e rrugës kanë nisur të lëvizin dhe kanë mbërritur në Tiranë paraditen e së dielës. Edhe në rajonin e Pukës, rruga ka qenë në një gjendje të rënduar. Segmenti ishte bllokuar në një gjatësi prej 7 km, nga Qafë Shllaku në Qafë-Mali të Pukës. Edhe dy autobusët e bllokuar me pasagjerë kanë lëvizur në drejtim të Tiranës. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Shefqet Bruka tha se tashmë rruga nacionale konsiderohet e hapur, ndonëse duhet pasur kujdes dhe në disa segmente kërkohet përdorimi i zinxhirëve. Policia ka ndaluar dhe qarkullimin e automjeteve të rënda. Sipas Brukës është avancuar edhe në hapjen e rrugëve rurale që lidhin komunat me qendrat e rretheve. Është hapur rruga për në komunë e Bushtricës, ku vihej në pikëpyetje dhe bërja e tre dasmave, të cilat janë zhvilluar normalisht. Në Tropojë nuk ka asnjë komunë të izoluar, ndërkohë që në Has ka një situatë më të rëndë sidomos në fshatrat e komunave Golaj e Gjinaj dhe në Bashkinë Krumë. Të bllokuara mbeten rrugët nacionale Kukës-Dibër, Kukës-Shishtavec dhe Kukës-Bajram Curri, ku trashësia e dëborës arrin në 1.2 m lartësi. Dëbora e rënë në qytetin e Kukësit është shkrirë plotësisht.   j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›