E Diel, 1 Nëntor 2026

Hasi: Shqipëri, këtë herë bëhu e madhe!

 

Jetmir Halilaj

Hungaria është i vetmi shans që Shqipëria të mund të korrigjojë ndalesën e panevojshme ndaj Maltës më 11 shkurt. I këtij mendimi është edhe ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, Besnik Hasi, që aktualisht është zv/trajner i Anderlehtit. “Hungaria do të përpiqet të luajë në mbrojtje, për të shfrytëzuar rastin dhe për të ndëshkuar. Me pak fjalë, do të luajë si në ndeshjen e kaluar, ku megjithëse nuk bëri diferencën në fushë, arriti të merrte tri pikët. Skuadra jonë duhet të jetë e kujdesshme, sepse nëse përqendrohemi në sulm, do të rrezikojmë shumë”, ka thënë Hasi në një intervistë për “Panorama”.
Shqipëria luan kundër Hungarisë dhe ka një shans për të korrigjuar gabimin që bëri në Maltë. Në Budapest dështuam, ndonëse kundërshtarët nuk bënë ndonjë lojë për t’u pasur zili. Çfarë duhet të bëjnë kuqezinjtë që t’ia dalin mbanë këtë herë?
Të mos e nënvlerësojnë Hungarinë. Ata kanë një grup lojtarësh të mirë që arrijnë të bëjnë diferencën. Kur them të mos e nënvlerësojnë, kam parasysh një karakteristikë tipike të hungarezëve: ata luajnë mekanikisht, pa e vrarë mendjen për spektakël, por dinë të fitojnë në ndeshje të tilla, gjë që Shqipëria e ka të vështirë ta bëjë. Lojtarët tanë nuk duhet të gënjehen nga loja që do të bëjë në Tiranë ekipi i Kumanit. Edhe në këtë takim ata do të përpiqen të luajnë vakët, pa bërë shumë presion dhe do të kërkojnë të shfrytëzojnë gabimet e skuadrës tonë. Nuk janë një ekip që shkëlqejnë, por ama i shfrytëzojnë më mirë se ne rastet që u jepen. Nuk duhet të mendojmë të sulmojmë në çdo moment, sepse do t’u lëmë shumë hapësira. Unë mendoj se nëse skuadra zbret me mentalitetin e duhur dhe me besim në vetvete, plus edhe mbështetjen e tifozëve tanë të mrekullueshëm, mund t’ia dalë mbanë. Megjithatë, e theksoj edhe njëherë se duhet të jemi të kujdesshëm.
Pas asaj paraqitjeje më 11 shkurt kundër Maltës, besimi i tifozëve nuk është më ai i mëparshmi ndaj skuadrës dhe sidomos ndaj trajnerit, ju si mendoni?
Unë e pashë atë ndeshje në stadium. Luajtëm keq. Me përjashtim të Skelës që u përpoq të bënte diçka, të tjerët nuk ishin aspak në formë. Tifozët kanë të drejtë, ai ishte një shans i mirë për Shqipërinë dhe nuk e shfrytëzuam. Ky është një defekt i vjetër i skuadrës tonë, që në ndeshjet vendimtare, nuk arrin të bëjë atë që duhet. Megjithatë, nuk duhet kritikuar vetëm Ari Hani, por edhe skuadra.
Para ndeshjes, Ari Hani tha se do të ishte një katastrofë një rezultat tjetër veç fitores, por dështoi. Për më tepër që edhe kundër Maltës, ashtu si me Suedinë e Portugalinë hodhi në fushë një skuadër me një sulmues të vetëm...
Nuk dua të komentoj zgjedhjet e Hanit. Nuk është etike. Megjithatë, kam përshtypjen se është çështje mentaliteti. Është tipike e holandezëve të luajnë me skemën 4-4-3. Ai kishte menduar që Skela e Duro të bënin rolin e sulmuesit të fshehur, por kjo nuk funksionoi. Përveç kësaj, mos harroni se kishte edhe dy mungesa shumë të rëndësishme si Cana e Lala, që janë dy shtylla të skuadrës tonë.
Një rezultat tjetër veç fitores ndaj Hungarisë, do të thotë dështim i edicionit?
Unë mendoj se kemi një mundësi të mirë për të korrigjuar atë çka kemi lënë mbrapa. Pas Hungarisë kemi ndeshje shumë të vështira me Danimarkën, Portugalinë dhe Suedinë. Të gjithë e dimë se sa është probabiliteti që skuadra jonë t’ia dalë mbanë. Për ët fituar ndaj Maltës, shtyllat e skuadrës duhet të bëjnë diferencën. Sulmi duhet të bëjë diferencën, sepse vetëm nëse shënojmë mund të fitojmë.
Meqë jemi të sulmi, Ari Han ka lënë jashtë dy sulmues me peshë si Bogdani e Kapllani....
Nuk kanë luajtur dhe nuk kanë shënuar. Për këtë trajneri nuk mund të kritikohet. Të tjerët, si Salihi, Berisha apo Memelli kanë shënuar dhe me të drejtë pretendojnë një vend në Kombëtare. Është tjetër punë pastaj, se Bogdani apo Kapllani janë nga ata lojtarë që në Kombëtare arrijnë të bëjnë diferencën. Tërheqin skuadrën, mbrojnë mirë, pra janë lojtarë që i japin siguri gjithë grupit. Për më tepër që Shqipëria është mësuar që të marrë në ekip futbollistë që megjithëse nuk luajnë, arrijnë të bëjnë mirë në kombëtare. Kjo ndodh sepse ata kanë eksperiencë jo vetëm në ekipin përfaqësues, por edhe sepse stërviten në skuadra të një niveli të lartë në arenën ndërkombëtare. Më besoni, kjo është shumë e rëndësishme.
Çfarë i druheni te Shqipëria para kësaj ndeshjeje?
Fakti që nuk ka lojtarë, të cilët qoftë edhe në një ndeshje të vetme, por shumë të rëndësishme, siç është kjo me Hungarinë, të mund të bëjnë diferencën. Unë shpresoj shumë, që edhe këtë herë, lojtarët të vënë zemrën në fushë dhe të bëjnë atë që presin të gjithë. Mezi pres që në këtë ndeshje, të bëjmë atë hapin e madh, pra të dimë të jemi vendimtarë dhe cinikë në takimet më të rëndësishme. Në të kaluarën nuk e kemi bërë dot një gjë të tillë. Shpresoj shumë që më 28 mars Shqipëria të tregojë se është maturuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›