Shqipëria, pushkë me 5 USD organizatës IRA
Investigimet e gazetarëve anglezë pretendojnë se kanë zbuluar fakte të reja për trafikun e armëve nga Shqipëria drejt Irlandës së veriut. Në një shkrim të revistës britanike “Time”, thuhet se një arsenal armësh ka mbërritur në Irlandë nga Tirana që prej vitit 2003 dhe vazhdon të jetë një burim mjaft i rëndësishëm i furnizimit me armë dhe municion të organizatës terroriste IRA. Gazetarët i referohen burimeve të Shërbimit Sekret anglez, të cilët kanë mundur të zbulojnë origjinën e armëve që përdorin sot militantët e Real IRA-s, që shkurt njihet si RIRA. Sipas revistës thuhet se trafiku ka nisur që prej vitit 1997, por është fuqizuar më tepër në vitin 2003, kur armët kanë nisur të trafikohen në sasi më të madhe. Lidhjet e organizatës kriminale irlandenze me Shqipërinë, janë krijuar nga kriminelë shqiptarë, të cilët janë emigrantë në Britaninë e Madhe që prej vitit të trazirave dhe luftës së Kosovës. Shërbimet e zbulimit anglez, kanë mbledhur prova mjaft të forta për vrasjet e fundit që janë kryer në Irlandën Veriore dhe sipas tyre armët janë të Evropës Lindore. Në revistën “Time” theksohet fakti se frika është e pashmangshme nga shërbimet e rendit atje, pasi ekziston mundësia që organizata mund të ketë edhe bomba të mëdha, të ngjashme me ato që vranë 29 persona në vitin 1998 në Omagh.
SULMET ME ARME SHQIPTARE
Sipas mediave angleze, referuar burimeve nga Shërbimi Policor i Irlandës së Veriut, në të gjithë vendin është përhapur një panik për vazhdimësinë e IRA-s. Policia ka informacione se organizata i ka të gjitha mjetet dhe armët e nevojshme për të nisur një fushatë të qëndrueshme terroriste. Sipas policisë, armët përfshijnë pushkë sulmi “AK-47”, armë të tjera të kalibrit të madh dhe të vogël. Media angleze pretendon se edhe armët e përdorura për vrasjen e dy ushtarëve dhe një oficeri policie, janë armë të mbërritura nga Shqipëria. Sipas policisë vendase, nga të tre grupet, ONH përbën kërcënim më të madh, pasi disponon armët më të fuqishme. Kjo organizatë ka një shërbim aktiv, që me anë të një makinerie të prodhojë bomba të fuqishme. RIRA sipas policisë ka ndërtuar një arsenal të konsiderueshëm armësh që nga viti 2006 dhe po vazhdon të furnizohet edhe më shumë. Armët sipas medias britanike janë blerë nga agjentët e shitjes në Tiranë. Agjencitë e ndjekjes së Krimit dhe të Sigurimit irlandez, kanë arritur të zbulojnë se armët janë blerë në shuma më pak se 5 dollarë për një pushkë sulmi, apo një raketë hedhës. Sipas këtyre burimeve dyshohet se armët e trafikuara në Irlandë, janë vjedhur nga forcat e mbrojtjes së Shqipërisë. Organizata tjetër ONH posedon armë të ngjashme me ato të RIRA-s, duke përfshirë edhe raketa-hedhës dhe pushkë sulmi AK-47. Ajo ruan disa armëve të importuara nga Ballkani në vitin 2000, që dyshohet se janë me origjinë shqiptare. IRA dhe ONH, sipas burimeve të sigurisë policore anglezë, ka pasur raste që kanë blerë armë shqiptare në të njëjtën kohë, duke u fuqizuar së tepërmi. Në mediat britanike shkruhet se këto organizata kanë armë të mjaftueshme për të favorizuar një fushatë terroriste në të ardhmen. Një pjesëtar i IRA-s është i dyshuari kryesor për vrasjen e një mekaniku armësh të kësaj organizate në jug të Rathfarnham në Dublin, të premten në mëngjes. 42-vjeçari, sipas burimeve, është vrarë pasi e kishte zgjatur marrëveshjen e biznesit të armëve.