Tiranë, maskat grabisin 35 mijë lekë në euro-lloto
TIRANE - Një grabitje me armë dhe maska ka ndodhur mesnatën e së shtunës në lagjen “Allias” të kryeqytetit. Tre persona të maskuar dhe me armë kanë hyrë në ambientet e një pike euro-llotoje dhe duke kërcënuar punonjësit dhe pronarin, kanë arritur të marrin xhiron ditore. Burime nga policia bënë të ditur se shuma që kanë arritur të marrin 3 grabitësit ka qenë 35 mijë lekë, pasi pjesa tjetër ishte tërhequr nga pronari, duke qenë se në atë orë puna ka qenë duke u mbyllur. Dy nga personat e maskuar dhe të armatosur janë futur brenda, ndërsa njëri ka qëndruar jashtë duke bërë roje. Pasi kanë kërcënuar pronarin Agron Abazi, të cilit ia kanë vënë pistoletën në kokë dhe më pas kanë detyruar punonjësit e tjerë, të cilët kanë qenë duke mbyllur llogaritë e ditës, që të gjitha paratë t’i fusnin në çantën e tyre. Të njëjtat burime bënë të ditur se ka qenë vetë pronari i euro-llotos, Agron Abazi, ai që ka bërë denoncimin në Komisariatin nr.4, menjëherë sapo grabitësit janë larguar. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, gjithashtu edhe specialistët e Seksionit të Vjedhjeve Kundër Biznesit. Deri në orët e vona të mbrëmjes, policia nuk ka mundur të identifikojë apo të ndalojë ndonjë person të dyshuar për ngjarje, ndërkohë që janë marrë deklarimet e punonjësve dhe të pronarit. Burimet sqaruar se ata nuk kanë arritur të dallojnë ndonjë tipar të veçantë të grabitësve, pasi ata kanë qenë të armatosur. Ashtu edhe si në rastet e tjera të grabitjeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti, në filiale bankash dhe agjenci të këmbimit valutor, edhe këtë herë ka qenë pothuajse e njëjta skemë grabitje. Pasi kanë marrë paratë, personat e maskuar janë larguar nga vendi i ngjarjes me dy motorë, të cilët sipas dëshmitarëve nuk janë fiksuar, pasi ishin pa targa. Në harkun kohor prej dy muajsh, kjo është grabitja e tretë me maska dhe armë që ndodh në kryeqytet, që ka të njëjtin mekanizëm, por që ashtu si të tjerat mbetet pa autor. Burime nga policia bënë të ditur se edhe pse këto ditë ka pasur dhjetëra persona të arrestuar për vjedhje të ndryshme që janë realizuar në Tiranë, për asnjërin prej tyre nuk ka prova që mund të jetë i përfshirë edhe në grabitjet me armë që kanë ndodhur këto dy muaj.